Sekuestrohen 2 kg marijuanë në një autobus udhëtarësh
Kakavije- Për të dytën herë prej fillimit të vitit strukturat e Policisë së Shtetit në Qarkun e Gjirokastrës kanë sekuestruar sasi droge në tentativë për t’u trafikuar në drejtim të Greqisë me autobusë udhëtarësh. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë Rajonale të Kufirit, mesnatën e së enjtes duke u gdhirë dita e premte, në stacionin kufitar të Kakavijes, gjatë një kontrolli që efektivat blu kanë ushtruar në autobusin e linjës Shkodër-Athinë, me targa TR 3070 R, kanë gjetur një sasi lënde narkotike. “Te bagazhet e dorës, në fund të autobusit ne konstatuam një çantë dore sportive, ku brenda saj kishte një qese plastmasi të mbështjellë me letër natriban të mbushur me 2 kilogramë marijuanë”, thonë burimet policore. Në mbështetje të efektivave të kufirit, janë vendosur edhe kolegët e tyre të antidrogës së Gjirokastrës. Sipas burimeve në grupin hetimor, pas zbulimit të ngarkesës me drogë është bërë shoqërimi i shoferit të autobusit dhe pasagjerëve në policinë lokale. Pasi janë intervistuar, gjatë hetimeve, asnjë prej tyre nuk ka pranuar pronësinë e çantës në të cilën u gjet sasia e drogës. Pas hetimeve intensive specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve mëngjesin e së premtes bënë të munduar identifikimin e personit që posedonte çantën. “Një i ri nga Shkodra ka hipur në autobus së bashku me çantën në Tiranë, ndërkohë që më pas ka zbritur gjatë rrugës me pretendimin se ishte i sëmurë”, thonë burime në grupin hetimor. Policia dyshon se do të ishte një person tjetër që do të priste ngarkesën e drogës në Athinë. Megjithëse ka bërë të mundur identifikimin e pasagjerit, policia e Gjirokastrës për arsye hetimi nuk publikon identitetin e tij. Përpara disa ditësh, strukturat e policisë në Gjirokastër goditën një tjetër tentativë të trafikut ndërkombëtar të drogës nëpërmjet autobusëve të udhëtarëve, duke ndaluar një pasagjer nga Gjirokastra dhe sekuestruan 1.5 kg marijuanë, e cila kishte si destinacion Greqinë.