Qeveria merr në mbrojtje prokurorët dhe gjyqtarët
Kryeministri Sali Berisha premton nga Thumana se projekti tjetër madhor për Shqipërinë pas anëtarësimit në NATO, është liberalizimi i vizave, gjë që do ta bëjë të mundur vazhdimi i reformave nga mazhoranca aktuale qeverisëse. Kryeministri i vendit ka siguri të plotë për këtë, pasi bashkë me mazhorancën e tij synon të përsërisë rezultatin e arritur në zgjedhjet e vitit 1992 me moton “Shqipëria në BE”. Kreu i qeverisë, i cili ishte dje në Thumanë, ku përuroi shkollën e mesme të kësaj komune, tha i bindur se lundrimi i nxënësve në internet është hapi i parë që do të shtrijë librarinë virtuale në të gjitha shkollat e vendit. “Ne do të kërkojmë të kemi akses në 11 librari virtuale të vendeve të BE-së, të cilat kanë mbi 2.2 milionë tituj", - u shpreh z. Berisha. Kryeministri u kërkoi banorëve të kësaj zone dhe mbarë shqiptarëve që nën moton “Shqipëria në BE” të votojnë djathtas më 28 qershor. Berisha iu drejtua atyre: “Interesi juaj, të dashur qytetarë, është që ne të integrohemi në BE, që ne të marrim statusin e kandidatit, që ju të lëvizni të lirë, pa viza në mbarë Evropën”. Ai përmendi se “lufta kundër abuzimeve dhe korrupsionit është miniera e fondeve të kësaj qeverie". Në takimin me banorët e Thumanës ai premtoi: "Në mandatin e dytë qeverisës nuk do të këtë asnjë metër rrugë të paasfaltuar në komunën e Thumanës". Duke vënë në dukje arritjet e qeverisë në 4 vitet e fundit, Kryeministri Berisha pohoi: "Për këtë qeverisje, interesat e qytetarëve kanë qenë përparësia më madhore e saj". Kryeministri akuzoi: "Për anëtarësimin e vendit në NATO ishin dakord 96 për qind e shqiptarëve, por nuk ishin dakord një grup i vogël njerëzish, të cilët në momentin kur Shqipëria merrte ftesën për anëtarësim në NATO, organizonin në Tiranë mitingje dhe përdornin mediat e tyre, që hapeshin me tituj denigrues ndaj thelbit të vokacionit tonë perëndimor, anëtarësimit në NATO". Duke u ndalur te disa nga arritjet e kësaj qeverie gjatë këtij mandati qeverisës, Kryeministri solli në vëmendje: "Ne ia dolëm të mbajmë premtimin e bërë në vitin 2005 për dyfishimin e pensioneve në fshat, dyfishimin e rrogave të arsimtarëve dhe infermierëve, si dhe rritjen e pensioneve në qytet në masën 48-70%". "Ky është interesi i çdo shqiptari të ndershëm që do të zhvillojë vendin e tij, përjashto një grup të vogël njerëzish që i kërkonin qeverisë të mos rriste rrogat dhe pensionet, ndërkohë që për vete firmosnin miliona në bordero”, - tha ai. Duke u ndalur te investimet në arsim, Kryeministri vuri në dukje: "Gjatë këtyre 4 viteve ne ia kemi dalë të ndërtojmë dhe rikonstruktojmë 1012 shkolla në të gjithë vendin”. Në këtë drejtim, ai vuri në dukje se “në rrethin e Krujës, në 4 vite janë ndërtuar 7 shkolla të reja, ndërkohë që në kryeqytetin e Shqipërisë, i cili ka 700 mijë banorë, janë ndërtuar vetëm 3 shkolla të reja". “Kjo ndodh se për ndërtimin e shkollave nuk mund të vendoset dot gjoba prej 20%”, - tha Kryeministri Berisha. Për sa u përket investimeve lokale, kreu i qeverisë vuri në dukje se në “8 vitet e qeverisjes socialiste në këtë komunë janë investuar vetëm 13 milionë lekë, ndërsa në 4 vitet e kësaj qeverisjeje janë investuar gjithsej 335 milion lekë”. Kryeministri u kërkoi autoriteteve vendore të bëjnë çdo projekt për t'i dhënë kësaj komune shkolla, rrugë, ujësjellës dhe kanalizime të reja. Kreu i qeverisë premtoi se "në 4 vitet që do të vijnë, kjo mazhorancë do të bëjë çdo gjë për të barazuar pensionet e qytetit me ato në fshat".