Dita Botërore e Paqes, aktivitet festiv për 250 nxënës
Ashtu si në mbarë botën, edhe në Tiranë u festua Dita Botërore e Paqes. Me nismën e Forumit Shqiptar për Aleancën e Qytetërimeve dhe me mbështetjen e Institutit Arsimor “Wilson”, u mblodhën rreth 250 fëmijë nga shkolla të ndryshme të kryeqytetit, të cilët zhvilluan veprimtari kulturore e sportive, me moton: “Luajmë së bashku në paqe”. Nisma e Forumit Shqiptar për Aleancën e Qytetërimeve është pjesë e fushatës së madhe të ndërmarrë nga Fondacioni Euro-Mesdhetar Anna Lindh me temë “Ndërtojmë besimin- ngremë ura” dhe zhvillohet njëherësh në të 43 vendet anëtare të Organizatës Bashkimi për Mesdheun, ndër të cilat është dhe Shqipëria. Po ashtu, Shqipëria është anëtare aktive edhe e Grupit të Miqve për Aleancën e Qytetërimeve, i ngritur në kuadrin e OKB-së. Me diversitetin e saj fetar dhe me trashëgiminë shembullore të bashkekzistencës harmonike midis komuniteteve të ndryshme fetare, Shqipëria ofron një përvojë të rrallë dhe të çmuar. Forumi Shqiptar për Aleancë të Qytetërimeve punon për afirmimin e kësaj përvoje, si në gjirin e vendeve të Organizatës së Bashkimit Mesdhetar, ashtu edhe të vendeve anëtare të Grupit të Miqve të Aleancës së Qytetërimeve. Nxënësit e ardhur nga disa shkolla publike të Tiranës, si dhe nga “Medreseja” dhe nga kolegji “Don Bosko”, sigurisht që përmbanin në vetvete besime të ndryshme, madje në ndonjë rast edhe edukim fetar të organizuar, por aty, ashtu si në jetën e përditshme, zhvilluan një minikampionat basketbolli, futbolli dhe volejbolli si dhe bënë një kros përgjatë Liqenit Artificial të Tiranës. Veprimtaria u mbyll me një ekspozitë vizatimesh të nxënësve me temë: “Ç’është paqja për mua?”