E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes marinari filipinas, ekzaminimet në Tiranë

16/04/2010 Kapiteni: Vuante nga tensioni i lartë

Marinari i një trageti të linjës Durrës-Trieste-Durrës ka vdekur në mënyrë të papritur në bordin e mjetit lundrues të udhëtarëve. Shtetasi Filipinas, Wilson Rosario Gabuten, është konstatuar i vdekur në orët e vona teksa kapiteni i ekuipazhit të tragetit ka bërë “apelin” e listës së marinarëve. Burime policore të Drejtorisë së Migracionit e të Kufirit në portin e Durrësit kanë deklaruar se marinari 50-vjeçar nga Filipinet është gjetur i vdekur në kabinën e tij rreth orës 22.45. Ai ishte pjesë e ekuipazhit të tragetit “Venezia” të linjës Trieste-Durrës dhe paraprakisht flitet për një goditje të forta kardiake. Filipinasi i lindur e banues në Batac Ilocos Norte Filipine vuante nga tensioni i lartë arterial dhe një nga pistat e hetimit është edhe ajo e goditjes nga ataku kardiak që mund të jetë shkaktuar nga hipertensioni. Megjithatë, nuk është bërë asnjë koment lidhur me këtë ngjarje, e cila ka vënë në lëvizje strukturat e policisë, Prokurorisë së Durrësit dhe Ministrisë së Shëndetësisë. 50-vjeçari ka vdekur para se në kabinë të shkonte kapiteni, i cili ka mundur të hyjë në lidhje shumë shpejt me policinë e portit. Shërbimi mjekësor i Durrësit ka dërguar në pak minuta autoambulancën, një mjek si dhe një infermiere, por filipinasi kishte vdekur kohë më parë. Trupi i pajetë i marinarit Wilson Rosario Gabuten është transportuar për në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë. Atje do të bëhen ekzaminimet e plota për të dalë më pas në shkaqet e vërteta që kanë sjellë vdekjen e filipinasit në tragetin “Venezia”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›