E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Çdo besim, institucion më vete

16/04/2010 Kreu i ekzekutivit takon komunitetin hebraik evropian

Komuniteti hebraik do të ketë mundësinë që të vendosë objekte të kultit dhe të ketë përfaqësuesin e tij dhe në vendin tonë. Kjo ka qenë kërkesa e Këshillit Evropian të Rabinëve për kreun e ekzekutivit, Sali Berisha. Kërkesë e cila është mirëpritur nga ana e Kryeministrit Berisha, duke nënvizuar në këtë mënyrë faktin se në Shqipëri jepet e drejta që çdo besim ndërtojë institucionet e tij. Kështu, gjatë vizitës së tij në Bruksel, kreu i Qeverisë shqiptare, Berisha, u prit në një takim në selinë e Këshillit Evropian të Rabinëve nga një përfaqësi e lartë e komunitetit hebre në Evropë, që kryesohej nga Rabini Levi Matusof, drejtor në Këshillin Evropian të Rabinëve. Në këtë takim, përfaqësuesit e Këshillit Evropian të Rabinëve falënderuan Kryeministrin Berisha për vizitën, si dhe shprehën mirënjohjen e tyre për mbështetjen dhe ndihmën e madhe që shqiptarët i kanë dhënë komunitetit hebre në Shqipëri, duke strehuar dhe shpëtuar shumë prej tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Njëkohësisht, ata nënvizuan se aktiviteti i tyre ka për qëllim rigjallërimin, promovimin dhe mbështetjen e komunitetit hebre në Evropë, duke shprehur dëshirën e tyre që edhe në Shqipëri të kishte objekte të kultit të tyre, si dhe një përfaqësues. Kryeministri Berisha garantoi se “Qeveria shqiptare mbështet dhe do të mbështesë gjithmonë lirinë e besimit”. Përfaqësuesit e Këshillit Evropian të Rabinëve, duke uruar që Shqipëria të realizojë sa më shpejt ëndrrën e saj evropiane, u shprehën se “komuniteti hebre, si dhe Këshilli Evropian i Rabinëve, përmes organizmave të tij, do të promovojnë dhe mbështesin procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›