E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes me armë në dorë

Share

Muhamed Merah

Jeta e Muhamed Merah përfundoi poshtë dritares së banjos së tij. Atje e gjetën policët vrasësin e Tuluzës. Në dorën e djathtë mbante një pistoletë. Ai ishte rrëzuar nga dritarja e banjos në katin e parë, pasi forcat elitare policore sulmuan të enjten paradite banesën e tij. Por Merah qëlloi mbi policët. Sipas të dhënave të para, ai është qëlluar nga një snajper dhe ishte i vdekur kur ra përtokë.

Ministri i Brendshëm francez, Claude Gueant tha se forcat policore hynë brenda në orën 10:30 përmes dritareve dhe derës. Me ndihmën e një video- roboti ata hodhën një vështrim brenda. Më pas ndezën bomba tymuese. Kur Merah nuk reagoi, njësia speciale Raid pak përpara orës 11:00 nisën të kërkojë dhomë më dhomë.

Papritur i dyshuari doli nga banjo dhe hapi zjarr me disa armë. Ishte një zjarr i rëndë. Një anëtar i forcave speciale më tha se nuk ka përjetuar kurrë më parë një shkëmbim të tillë zjarri, tha Gueant. Vrasësi serial u përgjigj duke luftuar me çdo armë që kishte.

Policët iu kundërpërgjigjën. Pas disa minutash shkëmbim zjarri, gjatë të cilit u plagosën dy policë, Merah u hodh nga dritarja. Ai u gjet i vdekur në tokë, tha Gueant. Sipas televizionit BFM, në vendngjarje u gjetën më shumë se 300 gëzhoja. Gueant falënderoi policët për punën jashtëzakonisht të vështirë.

Pas vdekjes së tij, në lagjen Cote Pavee është duke u rikthyer qetësia. Por çështja nuk është e mbyllur. Presidenti francez, Nikola Sarkozi thotë se policia po kërkon bashkëpunëtorët.

Nëse Merah ka pasur bashkëpunëtorë, është një nga shumë pikëpyetje, që mund të mbeten pas vdekjes së tij. Disa prej tyre ndoshta nuk do marrin kurrë një përgjigje. Kjo edhe për shkak se autoritetet kishin planifikuar ta kapnin atë të gjallë.

Shkëmbimi i zjarrit erdhi pas më shumë se 30 orësh lojë nervash. Qindra forca policore u angazhuan në operacion. Merah kishte deklaruar se do vdiste me armë në dorë. Policia ndërhyri kur ai tha se kishte ndërmend të vriste policët.

Në bisedë me policinë, Merah kishte deklaruar se ishte pjesë e rrjetit terrorist Al Kaeda. Edhe pse e përshkruante veten si një muxhahedin, ai sërish sipas autoriteteve nuk i përkiste ndonjë lëvizje të njohur terroriste.

*Marrë nga Spiegel

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›