Vdes në Turqi Aleks Nika, demostruesi i 21 janarit

Shkon në katër numri i viktimave të demostratës së 21 janarit. Aleks Nikaj, demostruesi nga Lezha, i cili ishte në gjëndje të rëndë shëndetësore, pasi kishte një plumb në kokë, ka humbur jetën në spitalin e Turqisë.
Deputeti i PS-së, në qarkun e Lezhës, Gjovalin Kadeli, konfirmon për “Ora News” lajmin e vdekjes së 35-vjeçarit Nikaj, i cili ndodhej në spitalin e Stambollit në Turqi që prej 29 janarit.
Ai ka marrë mjekimin në Spitalin Ushtarak të Tiranës fillimisht, dhe më pas është transportuar për në Turqi. Edhe mjekët e këtij spitali nuk kanë mundur të bëjnë ndërhyrje kirurgjikale për Nikajn, pasi gjëndja e tij ishte e rënduar prej plumbit në kokë. Madje prej dy ditësh ai kishte kaluar në vdekje klinike.
Ndërkohë që në 21 janar kanë gjetur vdekjen edhe tre demostrues të tjerë, Ziver Veizi, Faik Myrtaj si dhe Hekuran Deda. Vdekja e Aleks Nikajt e çon në katër numrin e demonstruesve të vrarë.