E Diel, 1 Nëntor 2026

I heqin titullin Qytetar Nderi, se u ankua te Berisha

Vendimet e Këshillit Bashkiak të Fushë-Arrësit, brenda 4 muajsh

I heqin titullin “Qytetar Nderi”, pse denoncoi korrupsionin. Ngjarja e rrallë ka ndodhur në qytetin e vogël të Fushë-Arrësit dhe ka për personazh kryesor një anëtar të Partisë së Punës së Shqipërisë, që përfaqëson këtë forcë politike në këshillin bashkiak të qytetit.

Mirash Lulashi, 76 vjeç, u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Fushë-Arrësit më 25 dhjetor të vitit 2009. Atij iu dha ky titull për kontributin që kishte dhënë për ngritjen e qytetit dhe për punën e bërë në ruajtjen e pyjeve. Por katër muaj pas nderimit, i njëjti këshill bashkiak, ku edhe Mirash Lulashi bën pjesë, zhvilloi një mbledhje jashtë radhe dhe ia hoqi me shumicë votash titullin që i kishte dhënë.

Tomë Curri, sekretar i Këshillit Bashkiak të Fushë-Arrësit, sqaron se “Vendimi për dhënien e titullit ‘Qytetar Nderi’ është kryer më 25.12.2009. Ky vendim është dërguar te prefekti në Shkodër për ta miratuar dhe nuk ka pasur asnjë kundërshtim. Vendimi për dhënien e këtij titulli këshilli e ka marrë konform ligjit, ku nga 10 këshilltarë që kanë qenë prezentë në mbledhje, ai ka marrë gjashtë vota. Në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak, një grup këshilltarësh kanë kërkuar revokimin e këtij titulli, gjë e cila edhe është miratuar me shtatë vota. Këshilli bashkiak përbëhet nga 15 këshilltarë dhe në mbledhje kanë qenë të pranishëm 13”.

Por Mirash Lulashi e konsideron të paligjshëm revokimin e titullit dhe akuzon këshilltarët e PD-së se po veprojnë si komunistët dikur, duke rikthyer luftën e klasave. “Edhe pse unë jam anëtar i Partisë së Punës dhe përfaqësoj këtë forcë politike gjatë dy legjislaturave në këshillin bashkiak, deri më sot nuk kam pasur asnjë konflikt me njeri. Në jetën time nuk kam dërguar njeri në gjykatë e prokuroi dhe nuk kam internuar askënd. Janë drejtues të pushtetit ata që kanë qenë anëtarë të Partisë së Punës, duke nisur që nga Kryeministri Sali Berisha, Skënder Gjinushi etj., që vetëm sa kanë ndryshuar dokumentin e partisë. Sipas logjikës së disa këshilltarëve, që kanë marrë ndonjë urdhër nga partitë e tyre, duhet të heqim nga detyra edhe Kryeministrin. Unë e di që jetojmë në demokraci dhe ku lufta e kasave është hequr”, thotë Lulashi. Ai shton se “heqja e titullit është në kundërshtim me ligjin dhe për këtë unë do t’i drejtohem gjykatës”.

Por edhe vetë Mirash Lulashi nuk e beson se lufta e klasave është rikthyer. Ai e di se ka një arsye më të fortë që i ka shtyrë kolegët e tij në këshillin bashkiak që t’ia heqin titullin që vetë ia dhanë. “E vërteta e heqjes së titullit është se unë me disa këshilltarë i kemi dërguar një letër Kryeministrit Sali Berisha, ku denoncojmë vjedhjet që janë kryer në Bashkinë e Fushë-Arrësit. Këtu, mbi 70 për qind e qytetarëve marrin përkrahje sociale në një kohë që janë të punësuar. Ka edhe shumë probleme të tjera. Para se unë ta vija në dijeni Kryeministrin, kam vënë në dijeni edhe këshillin bashkiak për të gjitha këto. Kam hapur Kushtetutën dhe ligji ma jep këtë të drejtë, të denoncoj korrupsionin. Megjithatë, unë të gjitha vjedhjet që kam denoncuar te Kryeministri, do t’i denoncoj edhe në prokurori”, thotë Lulashi.

Ai shton se nuk i intereson fare titulli, por do ta ndjekë çështjen në gjykatë, për të provuar nëse të paktën në këtë vend pushteti gjyqësor nuk funksionon si politika.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›