E Diel, 1 Nëntor 2026

Incidenti në poligon frikëson banorët e fshatrave pranë

Librazhd Fshatarët ankohen se shpërthimet po u dëmtojnë shtëpitë

Incidenti i ndodhur dy ditë më parë, ku u plagosën lehtë tre specialistë të demontimit dhe asgjësimit, ka kultivuar frikë në komunitetin e fshatrave pranë poligonit të Zgarës në Librazhd. Prej më se dy vitesh, që nga koha kur ka filluar puna në Poligonin e shkatërrimit të predhave luftarake në malin e Zgarës, në Rrethin e Librazhdit, paniku ka ekzistuar gjatë gjithë kohës te banorët, pavarësisht se ndodhen relativisht larg këtij poligoni. Por më tepër frika ka pushtuar banorët e fshatrave Kuturman e Togëz, që janë përballë malit dhe më afër se fshatrat e tjerë. Sipas banorëve, situata është mjaft problematike gjatë kohës që kryhen shpërthimet, të cilat janë mjaft të fuqishme. Në mjaft raste, nga kryerja e shpërthimeve të tilla ka pasur lëkundje të fuqishme të tokës, të cilat banorët i krahasojnë me lëkundjet e një tërmeti të fuqishëm. Këtë e tregojnë edhe dhjetëra shtëpi të plasaritura në fshatrat Kuturman e Togëz. Sipas banorëve, ka pasur ndonjë rast që copëza të predhave që shkatërrohen në poligonin e Zgarës, edhe për shkak të disnivelit me shtëpitë më të afërta, kanë fluturuar edhe jashtë zonës së sigurisë, edhe pse ky është një nga poligonet e përcaktuar si ndër më bashkëkohorët për demontimin e predhave luftarake. Në këtë poligon, sipas banorëve kryhen 4-5 shpërthime në ditë dhe më se njëmijë banorë të fshatrave Kuturman e Togëz përjetojnë shpesh panikun që krijohet nga shpërthimi i predhave. Të paktën dy herë komuniteti i kësaj zone ka zhvilluar protesta për ndërprerjen e shpërthimeve të fuqishme, sepse nga ato po shkatërrohen një numër i madh banesash.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›