Aksidentohet rëndë polici, zhduket shoferi
Elbasan
Aksidentet automobilistike nuk kursejnë as punonjësit e policisë. Një oficer policie që punon në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Elbasanit është aksidentuar rëndë ditën e djeshme. Ngjarja ka ndodhur përgjatë rrugës “Rinia”, shumë pranë konviktit të studentëve, ku 55-vjeçari Bexhet Agolli po lëvizte me motoçikletën e tij. Një mjet, që ende nuk është identifikuar nga policia, ka përplasur 55-vjeçarin e më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Pasi ka marrë ndihmën e parë në spitalin kirurgjik të Elbasanit, punonjësi i policisë është dërguar urgjent me helikopter në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Policia vazhdon hetimet për të identifikuar mjetin dhe drejtuesin anonim që aksidentoi kolegun e tyre.
#