E Shtunë, 31 Tetor 2026

Exit Gërdec

Elsa Ballauri 

Një nga lajmet më interesante të këtyre ditëve të tensionuara të zgjedhjeve është edhe procesi i votimit të Gërdecit dhe zonave përreth. Votat më të shumta i janë adresuar PD-së, vota të pakta ka marrë PS-ja dhe pothuajse të papërfillshme LSI, PSD dhe Poli. Rastin e Gërdecit do ta quaja një nga fenomenet interesante të historisë së votimit në Shqipërinë e viteve të tranzicionit. Votat e Gërdecit priteshin të ishin sidomos të dy partive që investuan atje jo vetëm para, por që kishin në dukje edhe moralin e të qenit sa më afër banorëve zemërthyer pas humbjes së njerëzve të dashur dhe shkatërrimit të banesave. Këto ishin PS dhe G99. Ishte normale që Gërdeci në kontekstin shqiptar të shfrytëzohej si një “shans” i mirë i fushatës parazgjedhore nga opozita. Por… mënyra se si u shfrytëzua dhe intensiteti i llojit të ndjenjës që u përkushtua mbi të, mendoj se i kaloi caqet e sinqeritetit.
Eshtë shumë e rëndësishme të konstatohet se sa të ndjeshëm janë njerëzit ndaj marrëdhënies njerëzore, sidomos të atij që pretendon se mund t’i udhërrëfejë jetën dhe të luajë rol në të ardhmen e tij. Marrëdhënia e politikanëve me njerëzit në Shqipëri është një nga filozofitë më të dështuara deri tani. Kjo lloj marrëdhënie ka historinë e vet të shëmtuar që nga koha e totalitarizmit dhe ende mbetet ndër filozofitë e dështuara edhe në këtë periudhë tranzicioni.Premtimet, fjalët e bujshme, lotët e krokodilit, zërat e ëmbël të atyre që dua të vijnë në pushtet me votat e nevojtarëve, janë një marrëdhënie “romantike” që përjetojnë pushtetarët e ardhshëm dhe një zbulim i hidhur që shpeshherë ndjejnë qytetarët e mjerë.
Midis këtyre dy “racave”, ka një ndryshim të madh. Të parët janë krokodilët ekzotikë të fushatave elektorale, të dytët janë udhëtarë normalë që i ka marrë etja dhe duan të lagin buzët nëpër liqenet e rrezikshme ku jetojnë edhe këto qenie hipokrite… Në përgjithësi ndodh gjithmonë kështu. Nëpër demokracitë e pakrijuara mirë, premtimet janë qesharako-tragjike dhe populli vuajtës i përhershëm dhe viktimë e naivitetit të vet.
Por populli nuk ka tjetër zgjidhje: i duhet të besojë, ose të mos besojë, i duhet të zgjedhë për kë voton, ose të mos e bëjë këtë, i duhet të testojë dhe kur fillon kjo fazë, ai ka filluar të ndërgjegjësohet.  Intuita është njëra anë, pjesa tjetër i takon pjekurisë.  Rasti i Gërdecit ia vlen të analizohet në raport me këtë pjekuri. Fluksi politik që ushtroi mbi Gërdecin PS-ja dhe sidomos G99 gjatë fushatës, ishte dukshëm i tepruar. Mënyrat ordinere dhe false të përpunimit të shumë banorëve, të tërheqjes së kamerave pas vetes për të treguar se si udhëheqësit e ardhshëm vizitonin njerëzit e pangushëlluar të ngjarjes së rëndë, ishin një mënyrë shumë e pagjetur politikisht, njerëzisht dhe artistikisht. Jam e bindur se banorët kanë psherëtirë me mijëra herë, pasi përcillnin deputetët e ardhshëm që i furnizonin ata me ushqime… E pamundur të jetë krijuar mes tyre dhe njerëzve që pretendonin t’i ndihmonin kimia njerëzore e domosdoshme për të besuar… A e kuptuan dot këtë përfaqësuesit e partive, sepse jam e bindur që jo të gjithë prej tyre kishin prirjen false të të komunikuarit…
Nuk jam aspak më shumë e ndjeshme dhe nuk anoj aspak nga pjesa e atyre pushtetarëve që e fituan Gërdecin me heshtje dhe me përpjekjen për të ndërtuar atë që ata prishën me indiferencën e tyre. Natyrisht që ata mbeten përgjegjës të asaj ngjarje tragjike.
Nuk është rastësi që Partia Republikane alias Fatmir Mediu, nuk mori qoftë edhe një votë të vetme… Nuk ka dënim më të mençur se sa ky… Gërdeci bëri në këtë rast përjashtimin dhe përfshirjen e vet. Vota për Partinë Demokratike ndofta nuk është aq entuziaste sa të mrekullojë politologët e zgjedhjeve, por qëndrimi përjashues ndaj partisë tjetër e bën më përcaktuese logjikën popullore që funksionoi sipas disa parimeve të rëndësishme njerëzore. Exit poll-i i Gërdecit, ndofta do të ishte më i sakti në një sondazh të mundshëm. Fenomeni i Gërdecit u pa edhe në zona të tjera të Shqipërisë. Kukësi, është një tjetër qytet që mori një vendim të shpejtë dhe shumë të drejtpërdrejtë përsa i takon zgjidhjes së vet. Autostrada që u ndërtua për ta ndryshuar zonën dhe për t’i sjellë ata banorë më afër botës së qytetëruar, ka një impakt normal tepër pozitiv dhe pa mëdyshje.
Kuksianët votuan vetveten. Ndërsa Gërdeci zgjodhi të votojë për një marrëdhënie njerëzore pa falsitet. Në të dyja rastet kemi një tendencë të fortë qytetarie dhe prirje për pjekuri. Më vjen ndër mend një thënie mbresëlënëse e një diplomati maqedonas, që në një bisedë mbi shqetësimet e rajonit u shpreh: “Ju shqiptarët e keni marrë në një thes qeverinë tuaj e po e çoni në Europë, ndërsa në Maqedoni qeveria e ka futur në një thes popullin vet e do ta çojë në Europë”.
Gërdeci është një shembull i mirë dhe optimist për ta kuptuar këtë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›