E Shtunë, 31 Tetor 2026

Huazimi i lehtë i demokracisë

Ylber LILI 

Demokracia është njëra nga shumë huazimet që populli shqiptar, ashtu si një pjesë e madhe e popujve të ndryshëm anekënd botës marrin nga vendet që e kanë shpikur dhe zhvilluar këtë procedurë. Si çdo huazim tjetër që përcillet me mosnjohje të motiveve fillestare që kanë ndikuar të shpiken risi të ndryshme, edhe demokracia pranohet më shumë si formë sesa si përmbajtje dhe domosdoshmëri. Në fushatën e fundit të zgjedhjeve parlamentare patëm një dalldisje, të tipit amerikan, të paktën ashtu siç e perceptojmë Amerikën - ne shqiptarët: paraqitje glamuroze, me afishe, pankarta ku pikaseshin liderët apo kandidatët, mitingje që mbushnin sheshet e qyteteve me klithje, për demokraci dhe njollosje të kundërshtarëve.
 Në këtë tablo shiheshin shumë fëmijë që dëshmonte thellësisht keqkuptimin e demokracisë, ose thënë ndryshe shpërfillje e saj. Të gjitha sugjerimet për moskeqpërdorim të fëmijëve në këtë fushatë nuk patën efekt. Partitë politike dëgjonin vetëm zërin e tyre të brendshëm: fitoren me çdo kusht. Për ta ilustruar akoma më shumë panoramën e fushatës, na shfaqeshin kolona makinash, dekorim i kushtueshëm i skenave, muzikë alarmuese, zëra të çjerrë, mesazhe krekosëse për vetveten, sa të pakuptimta, po aq edhe të pahijshme, përdorim i gjuhës së urrejtjes, mungesë të ofertës programore, këto ishin disa nga elementët kyç që zgjasnin distancën mes formës dhe përmbajtjes. Edhe ato mesazhe të pakta diskurseve, fatkeqësisht ishin në shpërputhje me standardet estetike të kushtueshme të fushatës. Këtë tendencë të ofertës së varfër politike, ekonomike dhe strategjike, këtë intonacion të ligjërimit njollosës që e dhanë partitë politike fatkeqësisht e pranuan edhe mediat, kryesisht ato elektronike, por edhe ato të shkruara. Analistët të lodhur dhe të “shterur” nga paraqitjet e shumta ishin të detyruar që të bëjnë analiza ad-hoc duke mos patur fare kohë që të hulumtojnë shkaqet reale të ekspozimit të atillë të partive politike. Ashtu siç ndodh rëndom, debatet ndërmjet atyre që politikën e kuptojnë si relacion mik-armik merrnin karakteristika të një konfrontimi personal. Është e qartë se në mitingje nuk mund të zhvillohet dialogu mes përfaqësuesve të partive politike dhe të pjesëmarrësve në miting, kështu që është plotësisht e kuptueshme mënyra e dërgimit të mesazheve përmes ligjërimit pamfletik, mirëpo mbetet krejtësisht absurde mënyra e debatit konfliktual, të pakulturuar ndërmjet përfaqësuesve, fillimisht të partive politike, pastaj të vetë analistëve.
Në vend të analizës, popullit iu ofrua një zhanër i ri i polemikës që do ta përkufizonim si strategji e pengimit të kundërshtarit për të folur. Sa herë që oponenti politik fillonte të ndërtojë një frazë të kuptueshme dhe kritike për kundërshtarin pasonte reagimi imediat i të adresuarit dhe për pasojë kishim një konfuzion total që impononte një pyetje të natyrshme: pse ky biçim debati dhe cili ishte qëllimi i tij.
Nga këto debate të nxehta, më shumë teatrale sesa intelektuale, askush nuk kuptoi ofertën e partive politike, përveç gatishmërinë dhe guximin për fyerje të pakontrolluara të oponentëve. Kjo paraqitje natyrisht që ndikoi negativisht edhe në shoqërinë shqiptare, ku mirësjellja është parakusht i funksionimit të raporteve ndër njerëzore. Në këtë kontekst duhet thënë se në shoqërinë shqiptare ndodh një paradoks i çuditshëm: njerëzit janë shumë të kujdesshëm dhe të virtytshëm si qytetarë të zakonshëm, por sapo bëhen përfaqësues të partive politike këto virtyte i shndërrojnë në vese. Sidoqoftë le të analizojmë ditët e procesit të votimit, qëndrimin e lidershipit politik, sjelljen e qytetarëve, eklipsimin e sondazheve, trullosjen, emocionet mediatike dhe së fundi qëndrimin e faktorit ndërkombëtar për mbarëvajtjen e procesit.
Sipas definicionit të demokracisë, fushata organizohet për ta ndriçuar mendjen e qytetarit për zgjedhje të ofertës politike të sajuar në laboratorë partiake. Por, duke analizuar mitingjet e klithjeve të paartikuluara, duke analizuar debatet neurotike të gjithë atyre që merrnin pjesë në to, duke analizuar fyerjet dhe sharjet shokuese për qytetarinë shqiptare, kjo fushatë parazgjedhore mund të kategorizohet si trullosëse për elektoratin. Nuk besoj se dikush ka mbajtur në mendje një analizë të njëmendtë, apo një ofertë konkrete që ka fillim dhe fund. E gjitha që mbahet në kujtesë janë fragmente, apo batuta të ndryshme, gjestikulime mbresëlënëse, të cilat janë interesante në kuadër të një emisioni satirik, por jo edhe në kuadër të debateve serioze politike, prej të cilave varet fati i kombit. Natyrisht që në kësi rastesh, zhgënjimi i qytetarit shqiptar është i madh dhe objektiv: partitë politike edhe kësaj radhe treguan se për ta prioritet është interesi partiak dhe jo i vendit. Shikuar nga një aspekt tjetër duhet pranuar se fushata në përgjithësi pati dhe anët pozitive të saj, që natyrisht ka ndikuar në procesin zgjedhor. Bie fjala, Berisha hyri në garë ndryshe nga herët e tjera, ai arriti të që përmes paketimit modern të marketingut të krijojë një tjetër imazh nga ai që ishim mësuar ta shikonim. Së dyti, lideri i selisë blu për herë të parë lejoi figurat e tjera të partisë së tij që të jenë promotorë të fushatës, kemi parasysh Topallin, Bashën, Olldashin, Boden e ndonjë tjetër.
Ndërkaq lideri socialist e mori përsipër gjithë barrën e fushatës, duke i dhënë tonin fushatës, ndërkohë duke krijuar edhe hatërmbetje në kampin rozë. E përbashkëta e dy gladiatorëve (Berisha-Rama) në këtë fushatë ishte qëndrimi racional në ditët e zgjedhjeve. Për hir të së vërtetës ata dëshmuan si kurrë më parë maturi maksimale për të mbajtur ekuilibrat e domosdoshëm për të marrë nota pozitive nga faktori ndërkombëtar për zgjedhje të lira dhe korrekte. S’do mend se këto zgjedhje (ende të papërfunduara), ashtu siç u paralajmëruan nga faktori ndërkombëtar kishin rëndësi historike për Shqipërinë ngaqë nga mbarëvajtja e tyre vareshin fazat e ardhshme të integrimit të vendit në Unionin Evropian dhe për detaje të tjera që kishin të bënin me interesin jetik të qytetarit shqiptar siç është heqja e vizave për vendet e Shengenit.  Megjithëse vërehen përmirësime të dukshme nga të gjitha zgjedhjet e mëparshme, vlerësimet e faktorit ndërkombëtar nuk përputhen gjithaq me entuziazmin që na karakterizoi gjatë ditës së 28 qershorit. Përderisa këto fenomene demokratike faktori ndërkombëtar i trajton si norma për të marrë pjesë në lojërat olimpike ne ende i trajtojmë si norma krahasimtare: këto zgjedhje ishin më të mira sesa ato të kaluarat. Kjo diskrepancë metodologjike, ky moskuptim i nocionit normë dhe standard ndërmjet institucioneve ndërkombëtare dhe vendore do të prodhojnë edhe keqkuptime të tjera.  Duke vijuar me logjikën e analizës së këtyre zgjedhjeve, fenomen më vete ishin sondazhet, kryesisht të institucionit kosovar për hulumtim të opinionit ”Gani Bobi” dhe të “Zogby”. Ndonëse këto institucione hulumtuese janë serioze, megjithatë paralajmërimet e sondazheve të tyre po dalin të pasakta: kjo hap një dilemë, ose zgjedhjet nuk janë zhvilluar sipas standardeve demokratike, ose në metodologjinë e tyre ekziston ndonjë kalkulim i gabuar. Gjithsesi, mbetet të shihet ku fshihet gabimi. 
Këtë gabim e kapitalizuan, e hiperbolizuan analistët, natyrisht me përjashtime, të cilët filluan t’i japin kosës duke bërë komente që binin ndesh me parashikimet e tyre paraprake. Pak kush prej njerëzve të mediave nuk i vendosi në dyshim rezultatet e exit poll-it, por me lehtësi të madhe filluan që t’i ndryshojnë parashikimet e tyre paraprake. E gjithë kjo dëshmon se analizat dhe komentet tona kanë diçka të përbashkët me politikën: jo seriozitetin e duhur. Me këtë konstatim, natyrisht nuk duam të provokojmë debat, por është evidente se nacionaliteti mediatik u pushtua nga emocionet dhe animet partiake. Këto emocione u mbartën në mënyrë euforike edhe në ambientet publike. Në këtë rast, ndërhyrja e Edi Ramës duke i zhvlerësuar katërcipërisht sondazhet zbutën disi klimën e një euforie që mund të merrte dimensione të mëdha. E thënë me fjalë të tjera, exit poll-et në një farë mase trullosën shoqërinë dhe mediat, saqë në një mënyrë apo tjetër komentatorët dhe opinion-bërësit lehtësisht ranë në “rrjetën” e parashikimeve që dilnin nga sondazhet duke vendosur kështu në diskutim qasjen racionale. Për ta ilustruar, deklarata e drejtueses së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Carien Jonker, shprehu besimin se populli shqiptar ka potencialin e plotë të ndërtojë një shoqëri demokratike si ajo evropiane. Jonker, në prononcimin e saj e vuri theksin edhe tek mediat, që sipas saj ato nuk duhet të jenë tribunë e partive politike, por të jenë në shërbim të informimit të popullit. Në fakt, marrë në tërësi shoqëria shqiptare është më cilësore sesa vetë politike dhe në disa raste më racionale sesa një pjesë e medias. Gjithnjë kur shfaqet një shpërputhje ndërmjet përfaqësuesve politikë dhe nivelit të vetëdijes së shoqërisë fillon procesi i nënçmimit të politikës. Është koha të parandalohet ky fenomen. Sidoqoftë, duke marrë parasysh normalitetin dhe vendosjen e një standardi pozitiv ditën e votimeve, duke marrë në konsideratë edhe tendencat abuzive në ndonjë qendër numërimi, duhet thënë troç dhe pa ekuivokë se zgjedhjet vendosën një standard të ri për Shqipërinë. Natyrisht meritën kryesore për këtë e ka z. Berisha, pa minimizuar aspak edhe peshën e z. Rama. Si përfundim, pavarësisht disa rrëshqitjeve të vogla nga binarët e procesit të qetë dhe progresiv, pavarësisht se kush do të jetë fitues apo humbës, e rëndësishme është fitorja e Shqipërisë që është kthyer në domosdoshmëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›