Mashtrimi me maqedonasit e lashtë.
Është karakteristikë e popujve me krizë identiteti, që ta fillojnë historinë me shfaqjen e tyre.
E kaluara e fqinjëve fshihet, manipulohet, përgënjeshtrohet, ose demonizohet, siç ka ndodhur me grekërit, që i përçudnonin paragrekët, Ciklopin e përshkruanin si mishngrënës dhe me një sose, gjigandin Pallas e përshkruanin me një bisht të gjatë. Në këto ujëra kanë ecur dhe serbët.
Duke e etiketuar popullsinë autoktone dardane, si të ardhur në ato troje dhe banditë, në këto ujëra vazhdon të ecë Akademia Maqedonase.
Mirëpo, të dashur akademikë, historia nuk fillon në shekullin XIX, koha kur sllavët e jugut marrin emrin maqedonas, dhe as në shekujt VI gjer në XVIII, kohë kur paraardhësit tuaj mbërritën në Ballkan valë-valë, historia nis qysh kur zë fill njerëzimi e kur maqedonasit e vërtetë, jetonin në fqinjësi të mirë me ilirët.
Si ka mundësi, që ju keni pranuar të identifikoheni me Maqedonët e vjetër? Kjo s'ka ndodhur as me bullgarët as me serbët.
Bullgarët nuk u identifikuan me Trakët, edhe pse banojnë në trojet e tyre dhe serbët nuk u identifikuan me fisin Ilir të Panonëve.
Ka një shpjegim. Koncepti "Maqedoni" lindi shumë vonë, në fillim të shekullit XIX, si rezultat i kundërvënies ndaj Bullgarisë së madhe.
Ndaj këta sllavë të jugut e panë të nevojshme të identifikohen me maqedonasit e dikurshëm. Arsyetimet e akademikëve maqedonas, historiani Beqir Meta i përkufizon bukur kur thotë: "dëshmi e një nacionaliteti vulgar dhe naiv." i cili vepron sipas parimit "të ulim një komb për të ngritur veten"
Zotërinj akademikë, nëse ju pretendoni që në gjenin tuaj ka ADN maqedonase, ju këshilloj të bëni analizat e ADN-së në laboratorin e Gjenevës, për të kuptuar nga ç' pozita i shtrembëroni faktet historike.
Jo vetëm Maqedonia s'ka gjë të përbashkët me maqedonët e dikurshëm, fis dhe gjak me ilirët, por i gjithë Ballkani ka probleme me identitetin e vet. Sipas një studimi gjenetik, Serbia ka mbi 30% gjene ilire, në Greqi vetëm 35% e popullsisë është greke, në Kroaci mbi 30% e popullsisë është ilire, po kështu në Bosnjë e në Mal të Zi, një përqindje e madhe del se është e gjenit ilir.
Por çfarë shkruhet në Enciklopedinë Maqedonase, e quajtur shkencore dhe shtetërore? "Shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur nga Shqipëria Veriore. Ata kanë kolonizuar viset në Maqedoni, në shekullin XVI, duke i dëbuar maqedonasit nga shtëpitë e tyre."
Pohimi bëhet dhe më qesharak, kur flitet për rolin që ka luajtur Ali Pashë Tepelena: vërshimin e tyre drejt Maqedonisë e ka mundësuar Ali Pashë Tepelena."
Lihet në harresë fakti që Lugina e Pologut ka qenë e banuar prej fiseve ilire dhe se, shqiptarët që banojnë aty janë autoktonë.
Historia njeh shumë dëshmi arkeologjike dhe gjuhësore, që u kundërvihen tezave të tyre shoviniste. Duke folur për gjuhën e popujve të lashtë të Ballkanit Kretçmer thotë: "Këta, (Ilirët dhe Venetët) pushtuan Panoninë në Bregun e djathtë të Tunës dhe morën rrugën nga skaji verior i Adriatikut.
Pastaj u përhapën nga perëndimi i gadishullit Ballkan..." Një pjesë e ilirëve doli në Helespond (Dardanele) dhe në Propontis, në Azinë e Vogël, pse Dardanët e Trojës, të cilët përmenden prej Homerit bashkë me trojanët, janë pjesë e fisit ilir të dardanëve."
Franc Bop thotë: "Nga skaji i Tunës, prej Vjene, në Budapest e deri në Beligrad, e gjithë kjo zonë quhej Panoni, prej fisit ilir të panonëve, vendin e të cilëve më vonë e zunë fiset kelte.
Albanologu i shquar Nokli thotë: "Trashëgimet linguistike që vijnë nga gjuhët e lashta ballkanike, si ajo e ilirëve dhe e trakëve, janë të lidhura ngushtësisht me shqipen."
Gjeografi i njohur danez, Malte-Bryn (1755-1822) thotë: Shqipja është më e vjetër se greqishtja, ajo lidhet me greqishten para homerike."
Dumon thotë: "Në Europë s'ka racë më të vjetër se shqiptarët."
Por, akademikët e sotëm maqedonas nuk i njohin këto fakte apo i anashkalojnë, nëse Diodori i lashtë do t'i kritikonte grekët për sindromën e sëmundjes së tyre, se: "gjithshka e ndërtuar në këtë botë në lashtësi është vepër e tyre "Akademikët sllavo-maqedonas, krizën e identitetit të vet e gjejnë duke falsifikuar historinë me të dhëna të marra në tregun e fshatarëve sllavofilë të Shkupit. Qyfyri më i madh është origjina vllahe e Nënë Terezës.
Ajo që mbetet për t'u mësuar nga bota e kulturuar është emblema maqedonase, Aleksandri i madh, i cili e bëri të njohur këtë popullsi të harruar në zëmër të Ballkanit. Nuk duam t'i japim përkatësinë shqiptare, paçka që të gjithë e dinë, Aleksandri i madh nga nëna e tij, Olimpia, ishte me gjak epirot, gjithsesi Aleksandri nuk i përkiste sllavëve të jugut.
Ajo që ndodh me shovinizmin sllav sot, është një vijimësi konstante, që e ka pikënisjen në mesin e shekullit XIX, ku nisin të gjitha llojet e shovinizmit ballkanas, dhe të gjitha qëndrimeve që ata kanë mbajtur dhe mbajnë ndaj popullsive autoktone shqiptare.
Historiani Ferid Duka këtë qëndrim të Akademisë Maqedonase e quan me të drejtë "pjesë e historiografisë serbe dhe sllave, të frymëzuara nga doktrina nacionaliste e që s'kanë bazë shkencore.
"Ndërsa historiani D. Ebro, thotë: "Maqedonia është shteti më pak i stabilizuar në Ballkan, dhe më artificial."Si një njohës i periudhës osmane ai thekson një fakt domethënës: "Nga shekulli i XV gjer në shekullin e XIX, osmanët nuk e njihnin termin maqedonas."
E thënë me fjalë të tjera, gjatë kohës kur hidhen dhe pretendimet e një invadimi të popullsisë shqiptare në trojet e maqedonasve të dikurshëm, shteti turk nuk e njihte Maqedoninë.
Në Maqedoninë e populluar me shqiptarë, Perandoria Turke njihte vilajetet e veta. Për këtë problem historiani i njohur Kasëm Biçoku, argumenton: "Kjo lëvizje ka qenë shumëfish më e vogël se ajo e fushave", ku banonte një popullsi shqiptare autoktone.
Ndërkohë që, shqiptarët në mesjetën e hershme kishin shtetet e tyre si, "Principatën e Arbërit" apo "Despotatin e Epirit", të ndriçuara zbehtë dhe nga historiografia jonë, termi artificial "Maqedoni" krijohet shumë vonë, fundi i shekullit XVIII dhe fillimi i shekullit XIX.
Historia e afërt dhe e largët ka treguar se shqiptarët kanë treguar mirëkuptim dhe tolerancë në krijimin dhe në ekzistencën e këtij shteti, nisur nga parimi i fqinjësisë së mirë, dhe shqiptarët e Maqedonisë kanë qenë faktor tolerant në krijimin dhe zhvillimin e këtij shteti, edhe duke sakrifikuar identitetin e vet.
Pas ndryshimeve demokratike dhe shpërbërjes së Jugosllavisë, ne ishim të parët që bëmë zyrtarisht njohjen e shtetit maqedonas, ndonëse në Maqedoni shqiptarët edhe sot ndjehen qytetarë të klasit të dytë.
Ne kemi pritur që fqinjët tanë verilindorë të reflektojnë, gjithsesi presim, nuk vëmë veto si Greqia, as diktojmë veprime të fshehta strategjike, si Serbia, por nacionalizmi maqedonas nuk e ka kuptuar tolerancën tonë, ndryshe, s'ka se si të nxirrte në dritë një Enciklopedi e tillë, me shpifje dhe urrejtje për popullsinë fqinje.