Vdes në spital një nga të plagosurit
Fatjon Çela ka ndërruar jetë në spitalin ushtarak për shkak të plagëve të marra bashkë me dy kushërinjtë e tij, Allmuça
Policia identifikoi Erjon Dudën, si autor të dyshuar të krimit. Ngjarja ndodhi pas një grindjeje në pab
TIRANË- Vdes në spitalin ushtarak Fation Çela 30 vjeç, një nga personat e plagosur mbrëmjen e të dielës në një lokal në rrugën "Ali Demi", ndërkaq dy vëllezërit, kushërinj të viktimës, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkaq më pak se 12 orë nga ngjarja e të dielës në mbrëmje, policia ka mundur të zbardhë autorësinë e krimit, duke identifikuar Erjon Dudën i cili është shpallur në kërkim.
Ky fakt është bërë i ditur për gazetën "Shekulli", nga burime të policisë së kryeqytetit, të cilët kanë konfirmuar se shkak për krimin e trefishtë ndaj vëllezërve Taulant dhe Klodian Allmuçës është bërë grindja e tyre në një prej pabeve të Tiranës.
Sipas burimeve të policisë, autori i dyshuar i vrasjes së trefishtë të Fatjon Çelës dhe e vëllezërve Allmuça e mbetur në tentativë, është banor i zonës ku ndodhi ngjarja në lagjen "Ali Demi".
Sipas burimeve, ai është identifikuar nga oficerët e hetimit të krimeve të komisariatit nr.1 si dhe të zyrës së hetimit të Krimeve ndaj Jetës në Policinë e kryeqytetit gjatë orëve të natës të së dielës duke u gdhirë dita e hënë.
Ndërkaq, policia ka kryer disa kontrolle banesash, në kërkim të të dyshuarit të tyre por ai nuk është gjetur, ndërsa është shpallur në kërkim me akuzën e vrasjes me dashje dhe të vrasjes së mbetur në tentativë.
Ndërkaq, Fatjon Çela, i plagosur me dy kushërinjtë e tij në ngjarjen e të dielës në mbrëmje, ndërroi jetë mëngjesin e djeshëm në spitalin ushtarak në kryeqytet, për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë në pjesët e gjoksit. Edhe pse ndërhyrja e mjekëve ka qenë e shpejtë ai nuk ka mundur të mbijetojë për shkak edhe të hemoragjisë.
Mjekët nuk kanë mundur që t'i shpëtojnë jetën 30- vjeçarit nga Tirana, i cili u plagos me thikë pas një sherri banal midis dy grupeve të rinjsh, mbrëmjen e së dielës.
Një ditë pas ngjarjes së rëndë, Policia e kryeqytetit ka arritur që të identifikojë personin që i shkaktoi vdekjen Çelës duke e goditur me armë të ftohtë. Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë Tiranë, autori i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë 27- vjeçari Erjon Duda, lindur dhe banues në Tiranë.
Konflikti midis Fatjon Çelës, vëllezërve Allmuça dhe autorit që dyshohet të ketë plagosur të dielën tre të rinjtë, ka filluar pesë ditë më parë në një nga lokalet e Tiranës. Por dje konflikti i nisur më parë është ndezur përsëri dhe këtë radhë ka degjeneruar në përdorimin e armës së ftohtë.
Policia ka shoqëruar disa persona nën cilësinë e dëshmitarëve për t'i pyetur për konfliktin e dy ditëve më parë si dhe për zanafillën e konfliktit midis dy grupeve.
Fatjon Çela u plagos rëndë me thikë, bashkë me dy vëllezërit, Taulant dhe Klodian Allmuça, përkatësisht 24 dhe 29 vjeç, rreth orës 19:00 të së dielës në lagjen "Ali Demi" pranë një karburanti, në këtë lagje.
Dy të plagosurit e tjerë nga sherri midis të rinjve, ndodhen nën kujdesin e mjekëve të Spitalit Ushtarak dhe janë jashtë rrezikut për jetën.