E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shënoj në Madrid dhe kualifikohemi

Me golin që shënoi në Mynih (i dhjeti në 29 ndeshjet e tij në Champions), është shumë pranë ëndrrës për të luajtur në finalen e tij të parë të Ligës së Kampioneve. Dy vjet më parë me Interin, Frenk Riberi nuk mundi të luante në “Bernabeu”, për shkak të kartonit të kuq në ndeshjen e parë gjysmëfinale kundër Lionit, pas të cilit u pezullua me 3 ndeshje. Mungesa e yllit francez i dënoi gjermanët të hiqnin dorë nga arma e tyre kryesore në Madrid, duke humbur 2-0 ndaj italianëve. Por tani, fantazisti francez nuk kërkon ta humbasë këtë shans dhe ka ndërmend që t’i shtangë “galaktikët” edhe në shtëpinë e tyre, megjithëse pranon se Bajerni duhet të tregojë kujdes maksimal: “Jam shumë i lumtur për fitoren. Na jep shumë besim për ndeshjen e kthimit më 25 prill. Personalisht u argëtova në fushë. Me gjithë atë mbështetje të tifozerisë, besoj se e kemi bërë gjysmën e rrugës drejt finales. Por, ndeshja në Madrid do të jetë shumë, shumë e vështirë. Megjithatë, kurrsesi jo aq sa për të na penguar që të luajmë sërish përpara tifozëve tanë më 19 prill. Ata janë motivimi kryesor për t’u kualifikuar në finale. Mjafton që të fitojmë, por nëse do më jepej mundësia, do ta befasoja sërish Kasijasin dhe do fluturonim në shtëpi si fitues”. Për ish-emblemën e Marsejës, për të besuarit e Hejnkesit, avantazhi 2-1 me të cilin shkojnë në Madrid pas një jave, nuk do të ndikojë në strategjinë e gjermanëve në “Bernabeu”. Bajerni do të luajë për të fituar: “Unë nuk mendoj se goli që ata shënuan në shtëpinë tonë do na detyrojë të ndryshojmë taktikën në ndeshjen e kthimit. Skuadra do qëndrojë kompakte, ashtu siç ishim të martën. Spanjollët janë të detyruar të sulmojnë dhe do lënë hapësira pas, dhe ne do kemi shansin t’i godasim përmes kundërsulmeve”. Hejnkes e kishte thënë përpara ndeshjes se e kishte parë Riberinë më të motivuar se lojtarët e tjerë. 66-vjeçari u shpreh pas ndeshjes se së bashku me Alabën në krahun e majtë, kjo dyshe i sjell telashe thuajse çdo skuadre, pavarësisht forcës së saj. Tani mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjë 29-vjeçari në stadiumin ku nuk mundi dot të ishte prezent 2 vite më parë.

Shaqiri: “Fitoni finalen, titullin jua jap unë”
Ai nuk e ka veshur ende fanellën e Bajernit, por ndjek gjithçka që ka lidhje me skuadrën e ardhshme të tij. Xherdan Shaqiri, fantazisti kosovar i cili luan sezonin e fundit me Bazelin, tha për faqen “bick.ch” se i vinte keq që Bajerni kishte dalë përfundimisht nga gara për titullin kampion në Bundesligë, por do të fitonte Champions-in. “Kam shumë besim se Bajerni do arrijë në Mynih. Më vjen keq vetëm që e humbën shansin që të bënin bis. Por unë do t’u jap një dorë sezonin e ardhshëm që ta shkurorëzojnë Dortmundin. Mezi po pres që të vesh fanellën e rekordmenëve”, – deklaroi mesfushori, që ka shansin t’i japë lamtumirën klubit zviceran me titullin kampion dhe trofeun e kupës.

Policia: Këpucët s’janë vjedhur në stadium
Veç betejës në fushë, incidenti i vjedhjes së këpucëve dhe fanellave të Ronaldos, Benzemasë dhe Ozilit, është shoqëruar me një luftë mediatike mes medias spanjolle dhe asaj gjermane. Klubi madrilen u ankua zyrtarisht në UEFA, ndërsa Policia e Mynihut reagoi përmes zëdhënësit të saj, Volfgang Venger. “Pajimet e skuadrës së Realit kanë qenë të siguruara në dhomat e zhveshjes. Vjedhja e tyre është raportuar rreth orës 17:00. Ne po hetojmë se kush mund të ketë qenë në atë kohë në kabinë, sepse pamjet e kamerave të sigurisë nuk tregojnë asnjë thyerje të sigurisë”.

Real-Bajern, 13 rrezikojnë finalen
Ndeshja mes Bajernit të Mynihut dhe Realit të Madridit ishte mjaft e tensionuar dhe këtë e tregojnë kartonët që u morën nga futbollistët. Bëhet fjalë për nëntë të verdhë, gjashtë prej të cilëve për madrilenët. Ndërkohë, në ndeshjen e kthimit, ekipet janë të detyruara ta “zbusin” paksa lojën ose, në të kundërt, do të ketë mungesa të rëndësishme në finalen e Champions-it. Te Reali rrezikojnë Marselo, Fabio Koentrao, Serxhio Ramos, Ksabi Alonso dhe Gonzalo Higuain. Ndërsa te Bajerni rrezikojnë Roben, Kros, Myler, Boateng, Lahm, Badshtuber, Luis Gustavo dhe Alaba.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›