BSH, bizneset: Parashikimet për ekonominë janë negative
Në një studim që Banka e Shqipërisë ka bërë gjatë fillimit të këtij viti në biznese të sektorëve të ndryshëm, rezulton se ekonomia shqiptare në të gjithë sektorët vazhdon që të vuajë pasojat e krizës
Kriza ekonomike që ka fshikulluar ekonominë e vendit, ka dhënë ndikime të forta në ecurinë e sipërmarrjes që pas një viti të vështirë pret një situatë aspak të favorshme edhe në vitin 2010. Vlerësimet janë bërë nga ana e Bankës së Shqipërisë, pas një pyetësori të realizuar tashmë në mënyrë periodike me bizneset. Anketa e realizuar nga ana e BSH-së, që tashmë është një statistikë e realizuar në mënyrë periodike, ka nxjerrë në pah edhe rezultatet më të fundit, nga ana e sipërmarrjes kësaj here.
Ndërtimi
Sipas anketës së realizuar nga ana e Bankës së Shqipërisë, vlerësimi i bizneseve të sektorit të ndërtimit për ecurinë e ekonomisë në përgjithësi gjatë tremujorit të katërt shënoi rënie të theksuar. Balanca e këtij treguesi ra me 19.3 pikë përqindjeje, duke shënuar vlerën -34.9. Shfrytëzimi i kapaciteteve ndërtuese në tremujorin e katërt të vitit 2009 ishte 61.2 për qind, rreth 7.6 pikë përqindjeje më i ulët krahasuar me tremujorin e tretë të vitit. Faktorët me ndikimin më të madh negativ në ecurinë normale të bizneseve të ndërtimit janë renditur ato që kanë të bëjnë me kuadrin ligjor dhe institucional, si dhe korrupsioni dhe ekonomia informale.
Inventarët kanë shënuar një rënie të lehtë në tremujorin e katërt të vitit 2009. Bizneset raportojnë për rritje të çmimeve të prodhimit gjatë tremujorit të katërt të vitit, edhe pse me ritme më të ulëta se në tremujorin e mëparshëm. Ndërsa për sa i përket gjendjes financiare, bizneset raportojnë për një përkeqësim më të lartë se ai në tremujorin e kaluar. Balanca e këtij treguesi ra në nivelin -15.5 për qind, nga -4.0 për qind që ishte në tremujorin e mëparshëm. Por nuk është vetëm tremujori i katërt i vitit 2009, që mbyll në tërësi një vit recesioni, por edhe pritjet për vitin 2010 nga ana e sipërmarrjes janë të errëta. Sipas anketës, pritjet e bizneseve për ecurinë e ekonomisë në përgjithësi dhe për aktivitetin ekonomik të tyre gjatë tremujorit të parë të vitit 2010 janë negative. Përkeqësimi i treguesit të agreguar në sektorin e ndërtimit u shkaktua nga zhvillimet negative në të gjithë komponentët përbërës të tij. Kontributin më të madh negativ e ka dhënë rënia e balancës së kërkesës me 17.6 pikë përqindjeje krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Gjithashtu, në tremujorin e katërt të vitit 2009, negativisht është vlerësuar edhe ecuria e prodhimit. Balanca e këtij treguesi ra me 15.2 pikë përqindjeje krahasuar me tremujorin e tretë të vitit. Situata e punësimit është vlerësuar negativisht në tremujorin e katërt të vitit, duke shënuar rënie me 5.2 pikë përqindjeje krahasuar me një tremujor më parë.
Industria
Një nga sektorët që vazhdon të vuajë pasojat e rënies ekonomike është edhe industria. Sipas vlerësimeve, ky sektor me një rëndësi strategjike vjen në radhë i dyti pas ndërtimit për nga vala e goditjes. Treguesi i besimit të industrisë (TBI) është ulur me 0.6 pikë përqindjeje gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009. Kjo rënie, sipas anketës së realizuar nga ana e Bankës së Shqipërisë me përfaqësues të këtij sektori, ka ndërprerë zhvillimet pozitive në treguesin e besimit të industrisë të regjistruara në tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit 2009. Gjatë këtyre tremujorëve, TBI u rrit përkatësisht me 2.3 dhe 5.6 pikë përqindjeje, pasi ra ndjeshëm me 13 pikë përqindjeje në tremujorin e parë të këtij viti. Aktualisht, niveli i TBI-së, sipas BSH-së, qëndron 8.4 pikë përqindjeje poshtë mesatares së tij afatgjatë. Rënia e besimit në industri në tremujorin e katërt të vitit 2009 u shkaktua kryesisht nga vlerësimi i ulët i bizneseve për prodhimin industrial. Rritja e inventarëve kontribuoi gjithashtu negativisht në treguesin e agreguar të besimit për këtë sektor, ndërsa vlerësimi për punësimin ka dhënë një kontribut pozitiv, por pa arritur të kundërbalancojë zhvillimet negative të dy komponentëve të tjerë. Kriza ekonomike tashmë është pranuar edhe nga ana e qeverisë. Vetëm pak ditë më parë ishte ministri i Financave, që doli në një konferencë për shtyp dhe pranoi efektet e saj në gjithë ekonominë, duke deklaruar se do të ketë një tkurrje të buxhetit të shtetit me rreth 250 milionë dollarë. Deklarata për një ndryshim të buxhetit të shtetit si pasojë e reduktimit të shpenzimeve vjen vetëm pak ditë pasi kryeministri Berisha lëshoi një deklaratë bombë për rritjen ekonomike, që sipas raportit të “Uni Bank”, cituar prej tij, do të ishte 9 për qind për vitin 2010. Kjo shifër që u përmend disa herë radhazi nga kreu i qeverisë, la me gojëhapur të gjithë ata që marrin vesh sadopak nga ekonomia dhe janë në koherencë të zhvillimeve ekonomike në vend gjatë këtij viti. Por surpriza vazhdon dhe vetëm ditën e djeshme, kreu i Financave del dhe hedh poshtë të gjitha shifrat që janë bërë publike deri tani.