E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza financiare, Europa e gjitha në lëvizje për marrjën e masave “on block”



Ervin Koçi

Ashtu si pjesët e tjera të botës të cilat po mobilizohen për të përbauar me masa të ndryshme krizën financiare globale, edhe “kontinenti plak”, ka luajtur nga vendi. Të trembura nga përshkallëzimi i krizës nga SHBA drejt tyre, qeveritë e vendeve të Europës po nxitojnë të zbatojnë skema të reja për garantimin e sistemeve bankare e sidomos të depozitave të qytetarëve. E ndërsa shqetësimet për krizën financiare sa po vijnë e shtohen, ministrat e vendeve të BE-së, nisën aplikimin e masave të para. Nëse vendet e veçanta kishin parashikuar ndërhyrje të shpejtë dhe të fortë, tani është koha e ndërhyrjeve në bllok. Ky është opinioni dhe konkluzioni i mbledhjes të së premtes të ministrave të Financës, guvernatorëve dhe ekspertëve të 7 vendeve më të forta ekonomike të botës (Gjermanisë, Kanadasë, SHBA, Francës, Japonisë, Anglisë e Italisë) përballë krizës. Me gjithë premtimet për të bërë të mundur zgjidhjen e krizës të Xhorxh W. Bushit, përsëri në tregun financiar mungon likuiditeti. Pas kësaj mbledhjeje, menjëherë u mblodhën ministrat e Financës, guvernatorët e bankave qendrore dhe ministrat e Ekonomisë të “G20”. Një mbledhje e 20 vendeve më të pasura në botë, që janë në kushtet e emergjencës. Qëllimi ishte i njëjtë: "Të bëjmë gjithçka qw është e mundur që të punojmë, në bllok, së bashku e në harmoni". “G20” u propozua të funksionojë si forum botëror për menaxhimin e krizës. Në Evropë po projektohet plani evropian i krizës, i iniciuar nga Londra. Bëhet fjalë për një plan tjetër pwr 700 miliardë likuiditete në euro në ndihmë të sistemit financiar evropian. Gjermania (ministri i saj i Ekonomisë dhe Financave e kundërshtoi para disa ditësh planin evropian të ndërhyrjes), është tërhequr nga ky pozicion. "Ta ndërpresim mbështetjen dhe zgjidhjen rast pas rasti. Duhet ndërhyrje frontale dhe zgjidhje e përgjithshme", theksoi të premten ministri gjerman i Financave. Pas 25 miliardë paund, të akorduar nga qeveria angleze po bëhet gati plani gjerman i ndihmës prej 100 miliardë euro. Gjermanët do të garantojnë huatë ndërbankare, për të frenuar efektin domino, ose "shiun monetar".

Gjermania garanton kursimet

Për të shmangur panikun në popullsi, qeveria gjermane deklartoi se do të garantonte të gjitha llogaritë bankare të bankave private (aktualisht me vlerë 568 miliard euro), në një përpjekje dramatike për të parandaluar panikun e tërheqjeve të depozitave teksa frika për një krizë financiare botërore u përhap në ekonominë më të madhe të Europës. “Ne duam t’u tregojmë njerëzve se kursimet e tyre janë të sigurta”,- tha kancelarja gjermane, Angela Merkel, në një konferencë të jashtëzakonshme të dielën e kaluar. Skema do të mund të mbullonte llogaritë ekzistuese dhe të tjera që kursimtarët mund të hapin. Zyrtarët gjermanë gjithashtu thanë se bankat tregtare të vendit kishin rënë dakord të injektonin një shumë shtesë likuiditeti prej 15 miliard eurosh në “Hypo Real Estate”, bankën e sëmurë të specializuar në dhënien e kredive për shtëpi, duke rritur shumën për shpëtimin e kësaj banke në 50 miliard euro, më e madhja që prej nisjes së krizës financiare. Përpjekja fillestare për shpëtim gati sa nuk dështoi, pasi në fundjavë doli në dritë që nuk ishte zbuluar situata reale e hendekut të madh në fonde të “Hypo”. Skema e Berlinit për kursimet , e cila ndoqi veprimet e diskutueshme të Irlandës javën e kaluar për të garantuar detyrimet e të gjashtë bankave të saj, do të çojë në heqjen e skemës aktuale të mbrojtjes, e cila garanton 90 për qind të të gjitha depozitave të bankave, por vetëm deri në 20.000 euro për llogari. Zyrtarët gjermanë thanë se ky vendim u miratua për shkak të frikës së kriza e “Hypo Real Estate” mund të shkaktonte panik.

Masat në vendet e tjera

Edhe vendet e tjera të BE-së, po aq të fuqishme por dhe të pasigurta sa edhe Gjermania përball kësaj krize globale, po nxitojnë të marrin masat e shpëtimit. Britania e Madhe dhe Franca po përpiqen të mësojnë detaje mbi planin gjerman, përmes shqetësimeve se qeveri të tjera të BE-së do të ndjekin të njejtën skemë të Berlinit dhe do të ofrojnë masa të ngjashme mbrojtëse për kursimtarët, në mënyrë që të shmangin një kalim të kapitalit përtej kufijve në banka më të sigurta. Po kështu edhe qeveria daneze garantoi të hënën në mëngjes të gjitha depozitat e bankave në Danimarkë si pjesë të marrëveshjes me bankat për të krijuar një fond likuidimi me vlerë “35 miliard DKr” (6.5 miliard USD). Deri tani, depozitat në bankat daneze ishin garantuar deri në 300,000 DKr. Edhe Austria pritet gjithashtu të ndjekë të njejtën rrugë. Depozitat janë garantuar aktualisht deri në 20,000 euro, por një zëdhënës i ministrit të financave tha se nuk është e qartë se deri sa do të jetë kufiri i ri i sigurimit të depozitave. Në samitin e tyre të fundjavës së kaluar, udhëheqësit nga Franca, Gjermania, Italia dhe Britania e Madhe ranë dakord të mos linin asnjë institucion të madh financiar të vendit të tyre që të falimentonte, sipas njerëzve që ndoqën këto bisedime.

Pesë masat urgjente të “G7”-ës

1. Të merren të gjitha masat decizive e të përdoren të gjitha mjetet në dispozicion për të mbështetur institucionet financiare dhe për të penguar falimentimin e tyre. Kjo është koshienca maksimale e G7.

2. Të merren të gjitha masat e nevojshme për të zhbllokuar kreditin dhe tregjet monetare, e për të bërë të mundur që bankat dhe institucionet financiare të kenë akses të gjerë dhe afatgjatë në likuiditete e kapitale.

3. Të bëhet e mundur që bankat dhe institucionet financiare të G7-ës të mund të përdorin burimet dhe kapitalet publike e private, kur të gjykohet e nevojshme dhe të përdorin shumat e nevojshme për të kthyer besimin, e për të bërë të mundur vazhdimin normal të aktivitetit të ndërmarrjeve dhe të qytetarëve.

4. Programet kombëtare të vendeve të veçanta të garantojnë depozitat bankare që ato të jenë të forta, të qëndrueshme dhe që depozituesit e vegjël të mos tronditen psikologjikisht.

5. "Të marrim vendimet më të mira të mundshme", thotë G7, për të riaktivizuar tregun sekondar të huave hipotekore dhe të aktiveve të tjera financiare: vlerësime të sakta të aktiveve financiare, informacion transparent e të shpejtë, respektim të normave kontabël të vlerësimit e të raportimit financiar.

Bankat europiane në lëvizje për më shumë siguri

Paralel me qeveritë e shteteve të BE-së, edhe bankat private më të mëdha në Europë kanë nisur nga marrja e masave për të siguruar kapitalet dhe depozitat e tyre. Qeveria belge bëri të premten e kaluar një marrëveshje me “BNP Paribas”, bankën franceze, për t’i shitur asaj një paketë kontrolluese në aktivet e mbetura të “Fortis”, duke ndjekur nacionalizimin surprizë të bizneseve gjermane bankare dhe të sigurimeve të “Fortis”. Geir Haarde, kryeministri i Islandës, tha në një konferencë për shtyp se, ai do të njoftojë një paketë shpëtimi të pjesshme për sektorin bankar të vendit të tij. Ndërsa banka italiane “UniCredit” miratoi shtimin e një kapitali të ri prej 6 miliard eurosh, teksa lëvizi që të dalë në mbrojtje pas një rënieje të lehtë të aksioneve.

Rënia e çmimit të naftës, “OPEC” thërret seancë të jashtëzakonshme

Organizata e vendeve eksportuese të naftës “OPEC” planifikoi të mbajë në nëntor takim të jashtëzakonshëm për shkak të rënies së vazhdueshme të çmimit të naftës. Sipas mediave të huaja, takimi do të mbahet në Vjenë më 18 nëntor, një muaj para takimit të rregullt të OPEC-ut. Takimi është thirrur për shkak të pakënaqësisë së disa anëtarëve të OPEC-ut nga rënia e madhe e çmimit të arit të zi, të shkaktuar nga konsumi i zvogëluar përkundër ofertës dhe rezervave të mëdha. Çmimet e naftës në këtë moment janë rreth 40 për qind më të ulëta sesa në qershor të këtij viti, kur një fuçi e naftës shitej për 142,27 dollarë. Çmimi i naftës ka nisur të bjerë ndjeshëm pas vendimit të bankave qendrore në shtatë vende përfshi këtu edhe Bankën Qendrore Evropiane dhe Bankën Federale Amerikane, për ulje të normës së interesit. Kjo rënie ka shënuar kuotat më të ulëta në dhjetë vitet e fundit, duke kapur shifrën deri në 86 dollarë për fuçi gjatë dy ditëve të fundit. Sipas ekspertëve të huaj, parashikohet që çmimi i naftës të shkojë deri në 84 dollarë për fuçi. Ndërkaq, që nga 1 korriku çmimi i naftës është ulur me 60 dollarë.

14 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›