ASHR, propozim Ministrisë së Shëndetësisë për riorganizimin e urgjencave
Autoriteti Shëndetësor Rajonal i Tiranës i propozon Ministrisë së Shëndetësisë riorganizimin e urgjencave në rang rajonal. Propozimi është bërë për të shmangur krijimin e situatave të vështira dhe mungesën e shërbimit në rastet e urgjencave. Në bazë të kësaj nisme, parashikohet që të gjitha urgjencat në të gjithë vendin të presin pacientët sipas zonave të mbulimit. Dyndja e madhe në urgjencën e Tiranës ka bërë që pacientët të mos marrin shërbimin e duhur. Drejtori i ASHR-së, Mhill Gecaj, sqaroi se për shkak të dyndjes së madhe të pacientëve dhe mungesës së kushteve për përballimin e situatës në urgjencën e Tiranës, pacientët nuk kanë marrë shërbimin e nevojshëm për shkak të mungesave. Në shumicën e rasteve, kjo urgjencë është përballur me mungesën e oksigjenit që është elementi bazë në përballimin e rasteve urgjente. Rishikimi i shërbimit të urgjencës lidhet me ekzistencën e një sistemi që vijon prej shumë vitesh në gjendje të keqe, deri në mungesa të oksigjenit, defribilatorëve. Sipas Gecajt, Urgjenca e Tiranës është e profilizuar në dhënien e ndihmës së parë për personat që kërkojnë ndihmën e parë si dhe merr pjesë në të gjitha emergjencat civile, që kanë nevojë për ndërhyrje mjekësore. Personeli mjekësor në Urgjencën e Tiranës ka 27 mjekë, 21 infermierë, 2 sanitarë dhe 13 shoferë, të cilët janë në gatishmëri dhe shërbim 24 orë për të gjithë qytetarët e Tiranës, numri i të cilëve, arrin në rreth 900 mijë.
Mungesa e specialistëve, MSH-ja pret raportin e Drejtorive Rajonale
Ministria e Shëndetësisë po harton një raport të plotë me mungesat e specialistëve në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit. Të gjitha drejtoritë rajonale të rretheve kanë dorëzuar pranë Ministrisë të dhënat për qendrat përkatëse. Pritet që një relacion i hollësishëm të bëhet i ditur javën e ardhshme nga Ministria e Shëndetësisë. Pas kësaj, ajo do të prezantojë mënyrën e plotësimit me mjekë specialistë të të gjithë spitaleve të vendit. Dy ditë më parë, Ministrja u shpreh se studentët e Mjekësisë duhet të kryejnë 5 vite punë në zonat nga kanë ardhur. Për këtë mësohet se ministria ka ndërrmarrë një nismë të re ligjore në formën e projektligjit për të përcaktuar rregullat e reja për shpërndarjen e mjekëve.
15 Tetor 2008