Vdes veterania britanike e Luftës së Parë Botërore

Shuhet në moshën 110 vjeçare Florence Green, veterania e fundit britanike e Luftës së Parë Botërore.
Këtë e bëri të ditur qendra për të moshuarit në Kings Lynn të Anglisë, duke theksuar se veterania vdiq të shtunën e kaluar.
Florence Beatrice Patterson ishte bërë pjesë e Royal force air që në moshën 17 vjeçare.
Më pas ajo filloi të punonte në mensën e zyrtarëve në bazën Raf Marham, në Lindje të Anglisë.
Green u njoh zyrtarisht si veterane lufte, kur një kërkues kishte gjetur dosjen e saj në arkivat kombëtare.
Ushtarakët e bazës Raf kishin festuar 110 vjetorin e saj shkurtin e kaluar.
Kur e pyetën si ndihej tani që ishte 110 vjeç, ajo u përgjigj: “Nuk ka shumë ndryshim nga të qenit 109 vjeç”.
Veterani i fundit britanik që mori pjesë në Luftën e Parë Botërore, Claude Choules, u nda nga jeta vitin e kaluar në Australi.