Çeku në paraburgim deri të shtunën, Prishtina: Sot lirohet
Ish-kryeministri kosovar Agim Çeku do të mbahet në paraburgim nga Bullgaria deri ditën e shtunë. Kështu ka bërë të ditur kryeprokurori bullgar Nikolaj Kokinov, njoftojnë agjencitë e lajmeve. Çeku u arrestua para dy ditësh nga autoritetet bullgare, në vendkalimin mes Bullgarisë dhe Maqedonisë, në bazë të një urdhër arresti të Serbisë, i cili është lëshuar në vitin 2002. Ekspertë të sigurisë konsiderojnë se institucionet kosovare nuk kanë ndërmarrë masa të duhura tek Interpoli që të mos ndodhin arrestime të tilla ndaj kosovarëve. Ndërkaq, Serbia dorëzoi në Bullgari kërkesën për ekstradimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku. Interpoli serb ka lëshuar disa fletarrestime për liderët kosovarë, nën akuzat për krime lufte gjatë konfliktit 1998-99. Ato cilësohen të pavlefshme për institucionet e Kosovës, por jo për policitë ndërkombëtare. Kjo është hera e katërt që Agim Çeku arrestohet në bazë të fletarrestimeve të lëshuara nga Interpoli serb. Së fundimi ai u ndalua në Kolumbi. Ndërkohë, vetë Interpoli, në faqen e tij të internetit, shkruan se nuk mund t’i anulojë fletarrestimet e lëshuara nga Interpolet e caktuara shtetërore, sepse këtë duhet ta bëjnë vetë shtetet që i lëshojnë ato. Serbia nuk ka anuluar ende as fletarrestimin ndaj kryeministrit Hashim Thaçi, i cili po ashtu ishte arrestuar, vite më parë, në Hungari. Ajo që mund ta mbrojë aktualisht kreun e Qeverisë, është imuniteti, që, sipas ligjit ndërkombëtar, u jepet krerëve shtetërorë. Të njëjtin imunitet e ka pasur edhe Agim Çeku sa ka qenë kryeministër, por pas kthimit në jetën civile, është aktivizuar sërish fletarrestimi ndaj tij. Ndërkohë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës besojnë se ish-kryeministri Çeku do të lirohet sot. Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Dragovest Goranev bëri të ditur se do të ndiqen procedurat e rregullta dhe se Gjykata e Drejtësisë do të vendosë.
Vendimi, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila po mban kontakte në lidhje me këtë rast me autoritetet bullgare, do të merret më herët. Zëdhënësja e kësaj ministrie, Albana Beqiri, tha se ditën e sotme Çeku do të jetë në Kosovë. “Nga informacionet e fundit që ka Ministria e Punëve të Jashtme, shpresojmë që zoti Çeku do të kthehet në Kosovë”,- tha ajo.
Ministria serbe e Drejtësisë thuhet se u ka nisur kërkesë zyrtare autoriteteve bullgare për ekstradimin e Çekut. Por, Albana Beqiri përjashton mundësinë e ekstradimit. “Jo, nuk ekziston mundësia e ekstradimit, absolutisht jo”.
25 Qershor 2009