E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hosseini tregon letrat e reja për Afganistanin

• “Gjuetari i balonave” duket se i hapi rrugën në tregun shqiptar edhe romanit të ri afgan “Një mijë diej vezullues”.Ben AndoniI njëjti autor, Khaled Hosseini, duket se ka vazhduar rrugën e nisur në letërsinë tonë të përkthyer, teksa është botuar në shqip nga OMSCA. Ndryshe nga historia e parë, duket se struktura e librit të dytë ka sërish dy qenie, por këtë herë në qendër me historinë e dy femrave thjeshtra. Laila dhe Marian të marrin me vete në një botë, që ne e njohim thjesht nga TV dhe në histori të pastisura, ku ngjarjet që të duken të pamundshme, mizorja, ti mundesh që t’i lexosh thjesht. Pse jo dhe me një lloj kënaqësie kureshtare. Sensi i autorit duket se mbetet që të ecësh përpara në një narracion të qetë, që rrëshqet lehtë deri në fund. Nuk mund të flasësh asesi për një strukturë romani të komplikuar. Kemi të bëjmë thjesht me ndërthurjen e jetëve të dy personazheve, që takojnë veç fateve njerëzore dhe zhvillimin e natyrshëm të një shoqërie. Struktura e qartë e këtij romani duket se e ka bërë të njohur më shumë Afganistanin se dhjetëra vite që kur vendi pushton headlines ndërkombëtare.* * *Mariam, personazhi kryesor që mbetet shpejt pa të ëmën, do të mendojë se do të gjejë shpëtimin kur të martohet. Por, si në shoqëritë e mbyllura të Lindjes, ajo që e pret është ferri në tokë. Në këtë rast pena e një mashkulli, ka mundur të ngrejë si diagramë vrundujt që ngrihen nga një shpirt i trazuar femëror. “Mariam ishte e frikësuar. Ajo jetonte me frikën e hënës së tij... Ditë të tjera Mariami tërbohej nga inati. Kishte qenë faji i Rashidit dhe i festimeve të tij të parakohshme...”, thotë për të shoqin e saj, boshtit maskilist ku përplasen fatet e femrave, të romanit të Khaled... Por edhe kjo nuk mjafton. Nuk mjafton edhe kur i lutet Allahut: “Ti bën që pas natës të vijë dita dhe pas ditës të kthehet nata përsëri; ti i ngjall të vdekurit në jetë dhe ti u çon mortin të gjallëve; ti i ndihmon pa kursim ata që i ke për zemër”... Por, ndërsa lexuesi duket i lodhur me këtë jetë dhe duket se është përpirë në këtë qerthull - vjen dhe çapitet ngadalë një jetë tjetër. Krejt ndryshe nga Mariami është Laila. Një grua e re, që gjendet afër saj. Pinjolle e një familje që e beson arsimin dhe që shpreson se arsimi është një rrugë për të ardhmen. Për më shumë, i ati i saj, e inkurajon për më tepër. * * *Laila ka një të dashur dhe me të madje shkon që të shikojë dhe Budat e famshme të Bamijanit. Shkon në kinema dhe kanë një jetë krejt tjetër nga ajo gruaja e këpucarit (Mariam), që ajo e shikon një moment papritur në krah të shoqit. Pa ditur se edhe ajo do jetë pak më vonë pjesë e këtij realiteti. Vetëm se më shumë se kaq, Khaled Hosseini ka bërë atë që i ka dhënë lexuesit Perëndimor edhe njëherë një histori të vendit të tij. Si në romanin tjetër, “Gjuetari i balonave”, njeriu mund të çuditet krejt që bash nga familjet e pasura dhe në gjendje rritet dhe rezistenca ndaj pushtimit sovjetik, por edhe talebanët e ardhshëm. Janë pikërisht vëllezërit e Lailës që i bashkohen muxhahedinëve dhe që me luftën e tyre bëjnë që rusët të tërhiqen.  Por ata janë dhe pjesa e talebanëve, që do e mbajnë gjatë peng vendin e tyre. Kur përballë nuk ka armik të jashtëm, fraksionet e muxhahedinëve gjejnë armik vetë njëri-tjetrin. Këtu fillon edhe tragjedia e vërtetë e Afganistanit. E ndërsa në romanin tonë edhe e vetë jetës së dy femrave. Mbetur keq... Laila do të bëhet gruaja e dytë e Rashidit. Jeta e vështirë e grave, që fillojnë si armike, bashkohet kur ato janë në një krah. * * *Mariami dhe Laila nuk janë më thjeshtra. Pak kohë më vonë e gjejnë veten dy shoqe, dy aleate përballë kësaj jete boshe. “Dhe, për herë të parë Laila nuk pa tek ajo fytyrën e kundërshtarit, por fytyrën e vuajtjeve të patreguara, të barrave të mbajtura pa u ankuar, të fatit të dorëzimit, të nënshtrimit. Nëse qëndronte në atë shtëpi, pyeste veten Laila, pas një periudhe njëzetvjeçare a do ishte kjo edhe shëmbëlltyra e fytyrës së vet?”. Në fakt jeta i jep sërish një vazhdim krejt tjetër. Afganistani, me gjithë problemet që ne dimë, mundet të ndryshojë, por kurrsesi të kthehet shpejt në një nga vendet me demokraci të zhvilluar. Kjo është dhimbje për autorin, ndërsa për lexuesin shqiptar, një sy për të parë jetën pa stisjet, që zakonisht na jepen prej kotësisë njerëzore dhe shpresave të kota. Laila shkon të gjejë vendin ku talebanët kanë varrosur Mariamin. Atë e shikon kudo në çdo element të jetës së saj, një paralele, sesi Khaled shikon vendin e tij dhe ku ashtu si në zemrën e vetë Lailës, shkëlqen me vezullimin shpërthyes të njëmijë diejve. Këtu është fundi. Duhet përgëzuar me këtë rast përpjekja e botuesit të OMSCA, Luan Pengili, për selektimin e prozës që ka sjellë vitet e fundit dhe seriozitetin. Dhe, patjetër, një falënderim për përkthyesen Ledia Agolli, në këtë sprovë, që e ka bërë Khaledin të flasë bukur shqip. Pak fjalë modeste, por shumë të mjaftueshme për një libër të mrekullueshëm.Titulli:         Një mijë diej vezulluesAutori:         Khaled HosseiniGjinia:         RomanPërkthyes:     Ledia AgolliRedaktor:     Loredan Bubani Faqe:         420Çmimi:         900 lekë Khaled HosseinBir i një diplomati dhe i një mësueseje, u lind në Kabul, Afganistan, më 1965. Atij iu plotësua kërkesa për azil politik në SHBA më 1980 dhe u transferua me gjithë familjen në San Joze, në Kaliforni, ku jeton edhe sot me gruan dhe dy fëmijët. Është diplomuar në mjekësi në Universitetin e San Diegos. Në vitin 2003 shkroi romanin “Gjuetari i balonave”. Shoqëria e famshme kinematografike “Columbia Pictures”, ka siguruar të drejtat për të realizuar filmin sipas subjektit të romanit “Një mijë diej vezullues”. Khaled Hosseini, më 2006 është emëruar si i dërguar i posaçëm i SHBA tek UNHCR, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›