Mikele Plaçido, 24 orët e aktorit nesër në Tiranë
• Mikele Plaçido mesditën e nesërme do të mbërrijë në tokën shqiptare. Aktori i njohur italian, ka konfirmuar përfundimisht dje vizitën e tij në Tiranë me rastin e filmit të regjisorit Pirro Milkani, “Trishtimi i zonjës Shnajder”. Ftesa, artistit të njohur, ndryshe edhe si Katani, i është bërë nga regjisori shqiptar, ndërkohë mbështetja për ardhjen e tij në Shqipëri është bërë nga Ministria e Kulturës. Dhe jo pa qëllim, takimin e parë të tij, pas mbërritjes mesditën e së mërkurës, Plaçido do ta ketë me ministrin Ylli Pango në zyrën e tij rreth orës 16:30. Sipas burimeve të sigurta, takimi mes tyre përveçse mendohet të jetë disi i gjatë do të jetë edhe i hapur për mediat. Menjëherë pas këtij takimi, aktori italian do të paraqitet në kinema “Millenium 2” ku do të shohë për herë të parë një nga rolet e tij të veçantë, atë të kontit që i përket një prodhimi shqiptaro-çek, “Trishtimi i zonjës Shnajder”. Është për t’u theksuar se për Mikele Plaçidon, kjo është hera e parë që e sheh filmin të përfunduar. Ndërkohë që në këtë mbrëmje, e cila është quajtur si premierë e dytë, që do të zhvillohet në orën gjashtë janë të ftuar shumë personalitete të politikës dhe artit për të marrë pjesë së bashku në projeksionin filmik. Mësohet se mes personaliteteve diplomatike pjesë e këtij projeksioni do të jenë dhe Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ndonëse jo e konfirmuar, përflitet se do të marrë pjesë edhe shkrimtari i njohur Ismail Kadare. Ndërkohë të nesërmen mendohet që artisti të takohet me Presidentin e vendit, Bamir Topi, në zyrën e tij. Qëndrimi i aktorit në Tiranë do të jetë vetëm 24 orë. Gjatë ardhjes së tij në Shqipëri, Plaçido pritet të jetë vetë i dytë, por nuk dihet se kush do e shoqërojë. Ndërkohë aktori është shprehur se do të ketë edhe një surprizë për ardhjen e tij në Tiranë, gjë e cila do të zbulohet vetëm mesditën e së mërkurës. Mikele Plaçido interpreton në rolin e një konti çek, ish-pronar i një kështjelle në një fshat, të cilit në kohën e komunizmit ia kishin marrë të gjithë pronat, por duke e kursyer nga burgosja e kishin lejuar të qëndronte në kështjellën e tij, si udhërrëfyes, një ciceron që tregon gjithë historinë e kështjellës. Xhirimi i këtij roli të Plaçidos, në Rusi është realizuar vetëm për dy ditë. Plaçido ka qenë i pranishëm në Shqipëri në vitin 1991, kur Xhani Amelio xhironte filmin e tij “L’Amerika”, ku Mikele Plaçido kishte një rol të rëndësishëm. a.m