E Shtunë, 31 Tetor 2026

Slavko Kovaçiç rivishet kuqezi, trajneri i ri i Flamurtarit

• Slavko Kovaçiç do të jetë trajneri i ri i Flamurtarit, duke zëvendësuar teknikun e shkarkuar, Eqerem Memushi, i cili dha dorëheqjen dje paradite gjatë një konference për shtyp.Ish-zëvendëstrajneri i Kombëtares shqiptare ka rigjetur ngjyrat kuqezi, këtë herë jo me përfaqësuesen, por me kuqezinjtë e Vlorës. Kroati mbërriti në drejtimin e vlonjatëve edhe me ndihmën e menaxherit Adrian Aliaj, i cili banon në Kroaci dhe ka sjellë 4 futbollistë te Flamurtari. Kovaçiç, për të cilin u fol në fillim të këtij edicioni se do të drejtonte Tiranën, do të jetë trajneri i dytë i huaj që drejton Flamurtarin, pas një eksperience të shkurtër të bullgarit Nikolai Arabov, kur 2-herë kampionët e Shqipërisë ndodheshin në Kategorinë e Parë në sezonin 2002-2003. “Kisha shumë dëshirë të rikthehesha për të punuar me një skuadër të Kategorisë Superiore dhe me t’u dhënë mundësia, i thashë menjëherë ‘po’ ofertës së Flamurtarit, është shprehur Kovaçiç në kontaktin e parë me mediat në Vlorë. Kam marrë informacione për këtë klub dhe kam shumë përshtypje të mira. Synimi im është të kthej publikun në shkallët e stadiumit dhe ta çoj sa më shumë përpara ekipin e Flamurtarit”. Disiplina në grupin vlonjat do të jetë një pikë ku Kovaçiç do të punojë shumë, ndërkohë që ka lëshuar sfidën edhe për lojtarët e huaj. “Më shumë se brenda fushës, më intereson disiplina e lojtarëve jashtë saj, nënvizoi tekniku i ri. Ndërsa për futbollistët e huaj, u them se do të jenë nën vëzhgim të rreptë dhe se duhet të tregohen 20 apo 30% më të mirë se lojtarët vendës, për të siguruar formacionin”. Presidenti Presidenti i Flamurtari, Shpëtim Gjika, ka folur për arsyet që e çuan të bënte ndryshimin në pankinën vlonjate. “Në kohën që rezultatet nuk po flisnin për Flamurtarin, ndihesha në siklet përpara opinionit dhe më duhej të ndërhyja për të gjetur shkaqet. Kam pranuar vetëm sot (dje) kërkesën e Memushit për t’u larguar nga pankina, por pa e larguar atë nga klubi”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›