E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili: “Rama është anakronik, refuzon të të japë edhe dorën”



Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, tha se përgjegjës për rëndimin e situatës politike është kryetari i PS-së, Edi Rama. Sipas Vasilit, veprimet ekstremiste, anakronike dhe të egra, duhen kërkuar vetëm te Rama. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së dënoi gjithashtu edhe gjestin e Ramës, i cili kishte refuzuar që t’i jepte dorën në vizitën e rastësishme që ata kishin pasur në Kryegjyshatë, me rastin e festës së Kurban-Bajramit. “Gjuhën e përdorur ndaj liderit të opozitës?! Nuk di në ç’mënyrë tjetër mund të komunikohet me këtë lider opozite. Se, për fat të keq, ky është një lider predikues i gjesteve të mira. Jo më larg se sot nuk mungoi ta deklaronte këtë gjë me rastin e festave fetare, por njëkohësisht është dhe njeri i gjesteve të drunjta dhe të pagdhendura. Unë zhvillova një vizitë sot në Kryegjyshatë dhe ky njeri, edhe në një ditë të tillë refuzon të të takojë, të të japë dhe dorën. Mendoj se duhen kërkuar te Edi Rama të gjitha veprimet ekstremiste, njëkohësisht anakronike, por edhe të egra. Kështu që mendoj se zoti Berisha nuk ka bërë asgjë më shumë sesa ka përdorur gjuhën me të cilën duhet komunikuar me Edi Ramën”, - u shpreh Vasili. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, Vasili ka përshëndetur miratimin e Rezolutës për Shqipërinë nga ana e Parlamentit Europian. “kjo rezolutë, e cila për informim të opinionit publik u miratua me mbi 80 e ca për qind të votave të parlamentarëve europianë, vuri në dukje në mënyrë të prerë dhe të qartë, pa asnjë lloj ekuivoku, kërkesën e tyre të prerë për rikthimin e opozitës në Parlament. Në Rezolutë evidentohet qartë se vendi i vetëm ku mund të dialogohet në mënyrë të qartë, institucionale dhe të drejtpërdrejtë është vetëm Parlamenti shqiptar. Njëkohësit në Rezolutë opozitës i bëhet thirrje qartë që të ndalë bojkotin, t’i largohet rrugës, të kthehet në Parlament sepse këtë nuk e ka vetëm dëshirë, por detyrim madhor për votat që qytetarët kanë dhënë për të dhe të cilat duhet të përfaqësohen në Parlamentin shqiptar”, - tha Vasili.

28 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›