E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët socialistë, apel Berishës: Hiq dorë nga gjuha dhe skenarët e 97-s!

Grupi Parlamentar i PS-së reagon pas akuzave të kryeministrit në drejtim të Ramës. Deputetët e PS-së: Do të vijojmë bojkotin e Kuvendit dhe zhvillimin e protestave

Deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste kanë reaguar pas akuzave të ashpra të kryeministrit Sali Berisha në drejtim të kryetarit të PS-së, Edi Rama. Në një deklaratë për shtyp, që u mbajt nga deputeti Klosi, të zgjedhurit socialistë i kanë bërë apel kryeministrit Berisha që të heqë dorë nga gjuha e dhunshme dhe skenarët e vitit 1997. “E paralajmërojmë kryeministrin të heqë dorë njëherë dhe mirë nga gjuha dhe skenarët e vitit 1997, përndryshe do të mbajë jo vetëm përgjegjësi historike, por edhe përgjegjësi ligjore deri në fund”, - thuhet në deklaratën e Grupit Parlamentar të PS-së. Deputetët socialistë kanë shprehur indinjatë për gjuhën e urrejtjes së përdorur nga kryeministri në foltoren e Kuvendit. Deputetët socialistë kanë konfirmuar bojkotin e Kuvendit dhe vendosmërinë për realizimin e aksionit politik me protesta dhe bojkot deri në hapjen e kutive të votimit.

Reagimi
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i ka cilësuar ogurzeza deklarimet e kryeministrit Berisha. Sipas tyre, kryeministri ka shpërfytyruar foltoren e Kuvendit. Deputetët socialistë i kanë quajtur të turpshme akuzat e Berishës në drejtim të Ramës. “Dënojmë me indinjatë të thellë gjuhën e krimit dhe të urrejtjes, e cila shpalos konceptin që kryeministri i vendit ka për Kuvendin, duke shpërfytyruar foltoren më të lartë të përfaqësimit të popullit e duke e kthyer Kuvendin e një vendi anëtar të NATO-s dhe aspirant të BE-së në një poligon për eliminimin e opozitës dhe si pronë e klaneve qeveritaro-mafioze me kryeministrin në krye. Hedhim poshtë me vendosmëri të gjitha kërcënimet dhe shpifjet, harbutërinë e shfrenuar ndaj kryetarit të PS-së, deputetëve dhe familjeve të tyre, kërcënimet ndaj mediave, biznesit dhe institucioneve të pavarura”, - thuhet në deklaratën e deputetëve të PS-së. Ata u kanë bërë thirrje Presidentit të Republikës dhe institucioneve kushtetuese që të garantojnë transparencën e plotë të procesit zgjedhor.

Aksioni

Deputetët e Partisë Socialiste kanë konfirmuar vullnetin për të mbështetur aksionin politik të opozitës deri në hapjen e kutive të votimit. “Ne, deputetët e Partisë Socialiste, të bindur se ky agresion mafioz në sallën e Kuvendit është tregues i falimentit politik të Sali Berishës dhe klanit që ai përfaqëson, shprehim edhe njëherë vendosmërinë dhe bindjen në drejtësinë e vendimit tonë. Për të vazhduar veprimin tonë politik për transparencë të procesit zgjedhor, deri në plotësimin e kushteve thellësisht demokratike dhe ligjore të paraqitura nga ne Parlamentit, qeverisë dhe institucioneve të tjera kushtetuese, për të refuzuar të jemi pjesë e këtij Kuvendi për sa kohë që vepron nën diktatin e interesave të paligjshme të familjes së Sali Berishës, për të vazhduar protestat bashkë dhe në krye të të gjithë atyre shqiptarëve dhe shqiptareve, të majtë apo të djathtë, për të cilët liria e votës është baza e çdo lirie; e drejta e votës është garancia e çdo të drejte dhe transparenca e votës është çelësi i çdo shoqërie të hapur e demokratike, për të mos lejuar që kryeministri dhe qeverisja e tij klanore të heqin zvarrë zhvillimet europiane të vendit, të pengojnë integrimin tonë të plotë me korrupsionin e tyre të pashembullt, me grabitjen e bizneseve shqiptare dhe shkeljen e të drejtave demokratike të opozitës, të mediave të lira, të ish-pronarëve dhe ish-të përndjekurve politikë, të sindikalistëve dhe ish-ushtarakëve, të papunëve dhe administratorëve të ndershëm, të studentëve dhe intelektualëve të çdo fushe dhe veprimtarie”, - vijon deklarata e Grupit Parlamentar të PS-së.

Grupi Parlamentar i PS-së miratoi aksionin politik të opozitës

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, në mbledhjen e dy ditëve më parë, miratoi aksionin politik të opozitës për vazhdimin e bojkotit dhe protestave deri në plotësimin e kërkesës për hapjen e kutive të votimit. Takimi u zhvillua në kuadër të analizimit të situatës politike pas zhvillimit të protestës treditore të opozitës, si dhe qëndrimet e mëtejshme që do të mbajë Partia Socialiste ndaj qeverisë aktuale, në kushtet e refuzimit të kërkesës së saj kryesore që ka të bëjë me hapjen e kutive të votimit. Në përfundim të takimit të deputetëve socialistë është vendosur që Partia Socialiste të ndjekë linjën e deritanishme: me bojkot dhe protesta popullore. Pas takimit, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi se nëse Berisha nuk hap kutitë e votimit, atëherë atij do t’i duhet të largohet bashkë me to.
Rama gjithashtu shprehu kënaqësinë për unanimitetin e qëndrimeve dhe mendimeve të shprehura nga deputetët e PS-së ndaj refuzimit të maxhorancës për të hapur kutitë e votimit. Kreu i PS-së i bëri thirrje kryeministrit Sali Berisha që të shfrytëzojë kohën e lënë nga opozita për të plotësuar kërkesat e saj.

28 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›