E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për pensionet, denoncojnë Serbinë

Mustafë Jashari, me banim në Zvicër, është kosovari i cili çështjen e pensionistëve kosovarë për kontributet e dhëna në kohën e Serbisë, ka arritur ta dërgojë deri në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Me shumë vullnet dhe punë, Jashari, së bashku me një grup shokësh, e kanë bindur organizatën ndërkombëtarë “Interfaith International”, e cila pastaj e ka denoncuar Serbinë në Këshillin për të Drejtat e Njeriut në OKB.

Në denoncimin e kësaj organizate, të cilin e ka siguruar Express, thuhet se që nga mbarimi i luftës, 60 mijë pensionistë kosovarë janë të privuar nga e drejta e pensionit të tyre, për kontributet gjatë tërë jetës se tyre në kohën e Jugosllavisë, për një periudhë 15 deri 40-vjeçare.

“Fondet e derdhura që vijnë nga kotizimi (kontributi) me vite të tëra, deri me 1999, duhet të gjenden në trezorët e Beogradit”, thuhet në denoncimin e datës 7 mars të vitit të kaluar.
Pas konstatimeve se janë shkelur të drejtat e njeriut, Këshilli në përgjigjen e vet i rekomandon institucioneve përgjegjëse, atyre serbe dhe në Kosovë, që të krijojnë një komision për t’iu paguar këto pensione më shumë se 60 mijë pensionisteve.
Jashari tregon rrugën se si e ka arritur ketë gjë. Ai thotë se ka mbledhur informata nga shoqatat e pensionisteve në Kosovë dhe ato ia ka dhenë kësaj organizate e cila pastaj ka ushtruar denoncimin. Sipas tij, krerët e kësaj organizate janë tmerruar kur kanë kuptuar se çfarë shkeljesh iu bëhen pensionisteve në Kosovë.
“Ata kanë konstatuar se kjo është shkelje e te drejtave të njeriut. Askund në botë nuk ndodh kjo”, thotë Jashari.

Sipas tij, kjo punë nuk përfundon më kaq, pasi institucionet në Kosovë duhet të bëjnë më shumë trysni në faktorin ndërkombëtar.

Kryetari i Komisionit statutar të Bashkimit të Pensionisteve të Kosovës, Adil Fetahu, thotë se në kohën e okupimit, Serbia u ka mbetur borxh pensionistëve shqiptarëë disa pensione të papaguara prej vitit 1993. Gjithashtu në vitin 1998-99 nuk ua pagoi pensionet, me arsyetim se në Kosovë po zhvilloheshin luftime.
“Ky arsyetim nuk pi ujë, sepse serbëve dhe malazezëve iu paguheshin pensionet rregullisht dhe pa kurrfarë pengese”, tha Fetahu.

Ndërkaq, për kohën e pasluftës, pensionistet thonë se Qeveria është ajo qe duhet të krijojë Ligjin për Pensionistët dhe të definojë qartë statusin e tyre.
Ministria e Punës, deri tash ka përgatitur tri-katër versione të projektligjit për sigurimin pensional dhe invalidor. Mirëpo, asnjëri nga ta nuk ka arritur të shqyrtohet nga Qeveria dhe të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës. Arsyetimi kryesor i Qeverisë gjithë këto vite ka qenë se FMN-ja nuk lejon rritjen e shpenzimeve buxhetore që do të shkaktonte miratimi dhe zbatimi i ligjit.

“Pensionistët nuk i besojnë këtij arsyetimi, sepse FMN dhe BB-ja e dinë fare mirë se asnjë shtet nuk mund të integrohet në strukturat integruese evropiane po qe se nuk e ka një ligj për reformën e sistemit pensional”, pohoi Fetahu.

Ndërkaq, në rekomandimet e organizatës “International Faither”, i bëhet apel bashkësisë ndërkombëtare dhe Këshillit për të Drejtat e Njeriut të formohet një komision që do të këtë për detyrë të marrë masa, në bashkëpunim me qeveritë dhe institucionet përgjegjëse, për t’i mbuluar pagesat e drejta të 60 mijë pensionistëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›