E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalemi ngjit në skenë "Dorst"

"Kthesa" është drama që regjisori sarandjot Mikel Kalemi ka vënë në skenë me një grup aktorësh, si Saimir Braho, Anastas Nika e Gentjan Zenelaj. Është zgjedhur pikërisht Saranda për premierën e dramës "Kthesa", e autorit të njohur gjerman Tankred Dorst, e vënë në skenë nga regjisori Kalemi. Një grup aktorësh si Saimir Braho, Gentian Zenelaj e Anastas Nika, që përveç miqësisë me njëri-tjetrin i lidhin edhe sipërmarrjet skenike, nën regjinë e Mikel Kalemit, ia kanë dalë të sjellin një produkt artistik me tone dramatikë, që përzihen me ata komikë.

Drama "Kthesa" është pritur ngrohtë nga spektatori në premierën e saj, dhënë në kinoteatrin "Butrinti" të qytetit të Sarandës. Në më shumë se një orë lojë në një skenë-varrezë, aktorët Braho, Zenelaj në rolin e menaxherëve të një agjencie funerali dhe Anastas Nika, në rolin e zëvendësministrit të Transporteve, të aksidentuar për vdekje me autoveturën e tij, kanë përcjellë skena dramatike dhe komike njëherësh. Ata kanë mundur të përçojnë te spektatori mesazhin e dramaturgut gjerman Tankred Dorst, sipas të cilit jeta e njërit është te vdekja e tjetrit etj.. Kjo dramë vjen nën përkthimin e Kastriot Çipit. Mesazhi kryesor i autorit gjerman ka qenë për politikën dhe shoqërinë në atë stad që gjenden sot politika dhe shoqëria shqiptare. Mesazhi kryesor është shprehur me gjuhë dramatike nga Dorst, i cili thotë se "kemi nevojë t‘i tregojmë njëri-tjetrit atë çka jemi, atë çka nuk jemi dhe atë çka duhet të jemi".

Drama "Kthesa" u vu në skenë në sajë të mbështetjes së kryetarit të Bashkisë së Sarandës, zotit Edmond Gjoka. Ai tha për "Shqip" se ky ishte një obligim i tij për mbështetjen e projekteve kualitative, që sjellin gjallërimin e jetës skenike të qytetit dhe një satisfaksion personal, për t‘u dhënë suport nismave të artistëve të qytetit, siç është rasti i regjisorit të kësaj shfaqjeje, të riut të talentuar Mikel Kalemi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›