Zyrtarisht nën akuzë
Kundër gjashtë zyrtarëve të Komunës së Prishtinës është konfirmuar aktakuza. Ata akuzohen për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe shumë shpjet pritet të dalin para trupit gjykues. Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër Ekrem Rexhës, Ridvan Shahinit, Refik Sadikut, Halil Fejziut, Qazim Bajramit dhe Hazir Krasniqit, të gjithë zyrtarë të Komunës së Prishtinës. Sipas kësaj prokurorie, aktakuza e ngritur ndaj tyre, është bazuar mbi një nen të Kodit Penal të Kosovës, për veprën penale “Shpërdorim i pozitës zyrtare”.
Aktakuza ka të bëjë me kontratën për ndërtimin e kolektorit atmosferik mbi lumin Prishtina, në lagjen Kalabria në Prishtinë, dhe dyshohet se kjo është bërë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për ndërmarrjen private “Çlirimi” nga Korisha-Prizren.
“Dyshohet se ata e kanë bërë këtë duke tejkaluar autorizimet e tyre zyrtare, dhe kanë paguar apo urdhëruan t’i paguhen kryesit të punimeve, 846 mijë e 712 euro e 80 centë, në emër të materialit të blerë, edhe pse kjo nuk ishte paraparë me kontratë dhe ishte në kundërshtim me Ligjin mbi prokurimin publik”, thuhet në fund të njoftimit zyrtar nga Prokuroria e Qarkut të Prishtinës.
Por edhe përkundër këtij vendimi, Komuna nuk e ka ndërmend t’i lëshojë për në shtëpi këta zyrtarë, pasi ka besim të plotë në punëtorët e saj. Sipas Muhamet Gashit, zëdhënësit të Komunës së Prishtinës, që të gjashtë punonjësit do të vazhdojnë punën në detyrat që ata kanë në Komunë. “Këta normalisht e vazhdojnë punën. Komuna është e bindur për pafajësinë e tyre”, sqaron Gashi për Express. Megjithatë, sipas tij, fjalën e fundit rreth ushtrimit të detyrës nga ana e këtyre zyrtarëve, e ka gjykata.
“Kështu, deri atëherë kur drejtësia ta vërtetojë të kundërtën, këta zyrtarë për ne janë të pafajshëm”, thotë ai.
Gjashtë zyrtarë të Komunës së Prishtinës kanë rënë në prangat e policisë, në maj të këtij viti. Ata janë arrestuar si të dyshuar për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës zyrtare, përkatësisht keqpërdorim lidhur me një tender, i cili ka pasur të bëjë me mbulimin e lumit Prishtevka. Gjatë zhvillimit të hetimeve dhe mbledhjes së fakteve lidhur me kryerjen e veprës penale të cekur më lart, dyshohet se vlera e keqpërdorur arrin shumën prej qindra mijëra eurosh.
Pak kohë para se të bëheshin këto arrestime, Isa Mustafa, kryetari i Prishtinës, veprimet e policisë i quajti të ngjashme me ato të ish-shërbimit të fshehtë të Serbisë-UDB’së. Ai nuk pati hezituar të japë edhe konkluzione se bastisjet e policisë në Komunë i konsideron veprime politike dhe shantazhe, të cilat po bëhen ndaj Komunës që drejton ai.