Opozita, tendencë për të shkelur ligjin e GJK në ngritjen e komisioneve hetimore

Mazhoranca ka dyshime të plota se Partia Socialiste dhe opozita në tërësi, duan hetim parlamentar në shkelje të ligjit të Gjykatës Kushtetuese, për komisionet hetimore parlamentare si dhe rrëzimin e Kodit Zgjedhor, mbi të cilin u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të 2009-ës. Edhe pse ky i fundit është një produkt konsensual bipartizan i dy forcave më të mëdha politike, por edhe më mbështetjen paraprake të partive të vogla, u mendua se hodhi baza të sigurta për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pranueshme. Por, kështu nuk mendon më Partia Socialiste, kryetari i së cilës duket se ka kthyer mendje, pasi në vend që të kërkojë ngritjen e komisionit hetimor sipas ligjeve të Gjykatës Kushtetuese dhe hetimin e zgjedhjeve sipas Kodit Elektoral, pretendon të anashkalojë dy prej ligjeve më të rëndësishme zgjedhore, për të krijuar një ngërç të ri, këtë radhë kushtetues. Sigurisht që kjo s’do të lejohej me asnjë kusht dhe asnjë koncesion i mazhorancës nuk mund t’i dhuronte opozitës shkeljen e Kushtetutës dhe nxjerrjen jashtë loje të Kodit Zgjedhor, me tentativën për të përmirësuar kodin e ri elektoral, për zgjedhjet e ardhshme vendore. Në këtë sens, opozita jo vetëm që ra këmbë e krye në gropën e saj të falsitetit, por për më tepër po kërkon flakjen tutje të Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor, që u votua me zell të madh në parlament 2 vjet më parë. Përsa kohë opozita nuk pranon pikën e 4-ët në këresën e saj 3 pikëshe, që s’është asgjë tjetër veçse togfjalëshin “hetim parlamentar në përputhje me ligjin e Gjykatës Kushtetuese për komisionet hetimore dhe kodin elektoral”.
Analistët: Komisioni hetimor duhet të ndjekë parimet e Kodit Zgjedhor/Analisti Artan Hoxha, komenton bisedimet politike të PD-së dhe PS-së për ngritjen e komisionit hetimor zgjedhor. Hoxha tha se seancën e fundit plenare u duk sikur po arrihej zgjidhja dhe deri diku filloi arsyeja për të arritur një konsensus. Sipas tij, në parim socialistët u paraqitën sikur ishin të papërgatitur për ofertën e Berishës. “Oferta e Berishës është perceptuar nga PS-ja e pamundur”- tha Hoxha. Sipas tij komisioni i hetimit do të ndjekë parimet e kodit zgjedhor, duke nënvizuar se kodi është miratuar nga aprovimi i të gjithëve. Ai tha se Berisha pranoi që opozita të ketë shumicën në komision, por PS-ja ende nguron. Hoxha ka theksuar se ngritja e komisionit hetimor është zgjidhje për të dyja palët. Hoxha tha se mazhoranca i bëri tolerime opozitës. Berisha i shtoi një pikë tre pikave të Xhafës, por Ruçi u mundua ta rrezojë pikën e katërt të Berishës.
Por sipas Hoxhës ndonëse të premten në orët e para të mëngjesit, nuk u arrit të miratohej komisioni hetimor, e rëndësishme është se seancë parlamentare u arrit që të vazhdojnë bisedimet, që janë lënë në seancën e ditës së hënë.