E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre mësime nga rasti “Marty”

Ditët e fundit politika në Tiranë e Prishtinë u përball me baltën e sulmeve, etiketimeve dhe akuzave të lëshuara në emër të Këshillit të Europës nga senatori zviceran Dick Marty. Prej kohësh nuk kishte ndodhur që politika gjithëshqiptare të vendosej nën akuzë dhe njëherësh, të reagonte me të njëjtën gjuhë. Pjesë e reagimit të njëjtë u bënë media, shoqëria civile, diplomatë e politikanë, zyrtarë politikë dhe krerët e shteteve apo qeverive respektive. Të gjithë, unanimisht, i lexuan raportin si sulm ndaj Kosovës dhe botës shqiptare, hodhën poshtë cdo akuzat e përfshira në raport, etiketuan ashpër senatorin zviceran dhe kështu, brenda hapësirës shqiptare krijuan idenë se dikush, diku, po punon edhe njëherë kundër interesave të shqiptarëve. Kjo është e vertetë. Kështu ka ndodhur më parë, kështu po ndodh tani dhe gjithmonë do të ketë dikë, diku, që punon kundër interesave të shqiptarëve. Sepse e tillë janë diplomacia, politika dhe interesat e shteteve sado që ne, kur bëhemi naivë, flasim e bëjmë sikur besojmë se në Ballkan, e kaluara është lënë pas dhe tani shqiptarë e serbë do të takohemi në Bruksel.
Nuk besoj se është ndonjë suprizë konkluzioni im, dhe besoj, i shumicës së qytetarëve shqiptarë në Tiranë e Prishtinë se akuzat për trafik organesh dhe skenarët me pengjet serbë në ndonjë banesë fshati, janë sa joreale aq edhe provokuese dhe absurde. Këtu nuk ka dilemë. Gjithësesi debati nuk mund të mbyllet me kaq. Zhvillimet e sotme globale dhe integruese nuk e pranojnë konceptin se unë jam i pafajshëm dhe me kaq mjafton. Duhet luftë për të provuar pafajësinë, duhet mund për krijuar imazh pozitiv, duhet djersë për të hequr baltën me të cilën të kanë goditur edhe kur balta vjen nga ndonjë emër që ka një jetë që vetëm hedh baltë kundër Shqipërisë, Kosovës apo shqiptarëve. Parë në këtë prizëm debati mbi raportin e Dick Marty duhet të na shërbejë për të reflektuar, të paktën në tre drejtime. E para, është një mesazh për politikën dhe vendimmarrësit e botës shqiptare se procesi i integrimit real shqiptar në familjen europiane nuk ka mbaruar. Mund të njihesh si shtet, të përfitosh liberalizim vizash, të hysh në NATO, etj, por kjo nuk mjafton për të bindur 400 milionë qytetarët e BE-së se ne jemi si ata, vende demokratike, shtete demokratike, shoqëri demokratike, ku respektohet ligji, e drejta dhe parimet themelore mbi të cilat ngrihet sistemi europian. Shqiptarët janë parë si delja e zezë në komunizëm, janë prezantuar me Europën me eksodet biblike 1991 e 1997, dhe sot, kur dukej se jemi prapë ndarjes me imazhin negativ, jemi ende nën akuzë si klasë politike që lidhet me krimin, vjedh zgjedhjet dhe përbën burim rreziku për vlerat europiane.
Reflektimi i dytë lidhet me sjelljen europiane politike. Ka ikur koha kur liderët shqiptarë mund të flasin për mediat perëndimore me të njëjtën gjuhë me të cilën shqiptari flet në lokalin e fshatit të tij. Deklarimet gati emocionale, etiketuese dhe akuzuese për raportin, për autorin dhe hera herës edhe për vetë Këshillin e Europës janë sa kundraproduktive aq edhe parademokratike. Një shtet serioz sillet në mënyrë serioze. Në vend që përpara medias të nxjerrim nga kultura jonë llojet e sharjeve për Dick Marty dhe modelet që ai përfaqëson, më produktive do të kishte qënë që qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë, Prokuroria e Kosovës dhe e Shqipërisë të deklaronin të parat qëndrimet e tyre dhe të ndërmerrnin hapa juridike në institucionet e drejtësisë europiane. Prokuroria jonë u mor dy ditë kundër një partie dhe për ca kuti votimi në Shkodër, ndërkohë që iu desh dhjetë ditë për të dhënë një copëz deklaratë për akuzat e Marty. Një shtet serioz nuk merret me etiketime folklorike e nacionaliste, por më mirë të kërkonte sqarim pse deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nuk ishin të pranishëm në mbledhjen e KE ku diskutohej raporti, dhe si vend anëtar, të ndërmerrte veprime konkrete diplomatike në KE, OSBE, NATO e kudo tjetër, për distancimin dhe transparencën. Tu flasësh mediave në Tiranë e Prishtinë si në tregun e Rrogozhinës dhe njëherësh, të jesh i paaftë të përdorësh instrumentet e përfaqësimit shtetëror ndërkombëtar, trego më shumë se paaftësi dhe sjellje parashtetërore. Reflektimi i tretë është edhe më alarmant. Prej një viti Tirana zyrtare është nën presionin politik të opozitës dhe të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare për gjetjen e një zgjidhje politike për krizën postzgjedhore. Së fundi, Shqipëria u ndërshkua me humbjen e statutit të vendit kandidat në BE. Edhe qeveria dhe institucionet e Kosovës, pavarësisht notave positive diplomatike në publik, në kanalet diplomatike është nën presionin e gjetjes së një zgjidhje të shpejtë e të qëndrueshme politike pas problemeve të mëdha me zgjedhjet e fundit parlamentare. Pas Bjellorusisë, vetëm Shqipëria e Kosova ende janë pjesë e debateve europiane mbi problemet zgjedhore. A nuk është koha që retorikën në mbrojtje të interest kombëtar (nënkupto, kundër Dick Marty dhe tezave të tij) ta zbatojmë pikësëpari duke zgjidhur fillimisht krizat tona politike brenda vetes? A mund të jemi të besueshëm kur vetë jemi në krizë dhe akuzë se "nuk ka mature politike" apo se demokracia jonë është "hibride"?
Së fundi dhe më e rëndësishmja. Supozoni që një ditë Dick Marty apo dikush tjetër si ai, të vendosë të hartojë një raport mbi krimin e organizuar, trafikun e drogës dhe mafian në Shqipëri, Kosovë dhe në Ballkan. Supozoni që ai të dijë shqip, të lexojë gazetat në Tiranë, Tetovë e Prishtinë; të shohë konferencat e shtypit në secilën kryeqëndër dhe më pas, të paraqesë një raport se - po, shqiptarët janë koka e krimit, mafias dhe drogës në rajonin e Europës Juglindore. Edhe njëherë të gjithë ne do të ngrihemi ta shajmë raportin, autorin e këto tjetër pas tij, duke hedhur poshtë akuzat e duke kërkuar prej tij fakte. Po sikur ai të përgjigjet: akuzat dhe faktet nuk i gjeta unë, ato mi dhatë ju. Ja psh, në Tiranë cdo ditë qeveria akuzon publikusht opozitën të lidhur me krimin e organizuar dhe drogën. Dhe anasjelltas, opozita akuzon kryeministrin për lidhje mafioze dhe pastrim parash. Në Tetovë dy partitë shqiptare bëjnë të njëjtën gjë kundër njëra tjetrës. Në Prishtinë akuza të tilla kanë qënë e vijojnë të jenë prezente, madje duke patur vetdenoncime publike për atentate e vrasje politike. Atëherë? A nuk janë vetë politikanët tanë, të cilët për qëllime krejt personale (post, pushtet) lëshojnë akuza të tilla? A nuk janë ata që akuzonin dikur drejtues të UCK si terroristë e marksistë? A nuk janë ata që etiketojnë udhëheqësit e radhës si baronë droge e tradhëti kombëtare? A nuk janë ata që me deklaratat e tyre inkriminojnë politikën, shoqërinë dhe kështu, edhe identitetin shqiptar në Europë? A nuk janë ata që tek kundërshtari politik shohin armikun, mafian, baronët e drogës? A nuk sillen ata me shqiptarët, sic sillet edhe Dick Marty në raportin e fundit të tij? Absolutisht po.
Për këto tri motive debati i fundit meriton reflektim, sidomos nga ata që kanë mandat për të na udhëhequr, jo për të na baltosur të sotmen dhe të ardhmen tonë. Dick Marty nuk është proshqiptar. Ai nuk na zhgënjeu sepse ka qenë e është konseguent kundër interesave tona. Ai nuk është as i pari dhe me siguri, nuk do të jetë as i fundit. Ndaj më me shumë rëndësi se emri e raporti, duhet të shohim vetveten në pasqyrë, të reflektojmë vetë, të çlirojmë veten nga miti i Rozafës, sepse shteti e politika nuk janë profesion për këto, dhe, sepse si shpesh po na ndodh të sjellim ndërmend Konicën me kritikën e tij therëse mbi shqiptarët dhe armiqtë më të mëdhenj të tyre.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›