E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veçantitë e një vizite në SHBA

Që nga fillimet e këtij viti regjistrohen disa vizita të njerëzve tanë publikë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke qenë se evenimente të tilla kanë munguar për një kohë relativisht të gjatë, ato kanë ndjellë interes të veçantë të grupeve të caktuara brenda për brenda vendit tonë, si edhe në qarqe të veçanta të sferës politike jashtë tij. A kanë pasur dhe a mund të kenë këto vizita efekte të njëjta, por edhe të mjaftueshme për të justifikuar përqendrimin në ‘to të vëmendjes së publikut? Sigurisht që jo! Dallimi në mes tyre mund të bëhet jo vetëm nga rezultatet e sjella, por edhe nga mënyrat e parashikuara të planifikimit apo të zyrtarizimit, nga koha apo rrethanat kur zhvillohen, nga përcaktimet protokollare që u bëhen dhe nga nivelet apo shkallët e kancelerive shtetërore ku shtrihen. Në këtë kuptim, ndryshon edhe rëndësia e tyre përtej brigjeve të Atlantikut.
Duke pasur prej disa kohësh një vakuum shkëmbimesh të tilla sinjifikative të karakterit politik, ekonomik dhe miqësor drejt vendit aleat më të fuqishëm të Shqipërisë, fillimisht u duk befasues njoftimi për vizitën që do të zhvillonte kryetari i Bashkisë së Tiranës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, pavarësisht se Lulzim Basha njihet aktualisht këtu dhe jashtë si një ndër eksponentët kryesorë dhe të përkëdhelur të Partisë që kryeson koalicionin qeverisës në Shqipëri, po aq e beftë ishte edhe tkurrja që pësoi interesimi rreth kësaj ngjarjeje. Një tkurrje që u diktua nga disa faktorë, por më së pari nga koha shumë e shkurtër që e ndante njoftimin për këtë vizitë, prej fluturimit të kryebashkiakut të Tiranës për në kryeqytetin e shtetit më të fuqishëm të botës. Një fluturim i iniciuar pa ndonjë protokoll zyrtar, përveçse nga dëshira e tij për t’u takuar atje me homologun e vet amerikan.
Më pas, me njoftimin e pasqyruar në mediat tona të një komunikimi të zëdhënësit të Bashkisë së Uashingtonit, sipas të cilit, ky takim do të realizohej me kërkesën që i ishte bërë këtij të fundit nga një qytetar me origjinë shqiptare, të gjitha detajet e tjera të udhëtimit të largët të kryebashkiakut tonë kryeqytetas dhe të ekranizuara në mediat shqiptare do të ndiqeshim me nënqeshje të lehta. Natyrisht, detaje këto si: takimi me një zëvendësndihmës të Sekretares Amerikane të Shtetit mbrëmjes së riguar në sheshin përpara DASH dhe shtrëngimi i duarve me ‘të në një mjedis anonim, posaçërisht për efekte propaganduese këtu në Shqipëri, apo takimi në një “darkë pune” me investitorë shqiptaro–amerikanë, të cilët shquheshin atje për oreks të lavdërueshëm etj., pra të gjitha këto nuk mund të përfilleshin seriozisht, aq sa të meritonin vëmendje të veçantë dhe të vijoheshin nga efekte konkrete, të paktën për të ringjallur Tiranën me pretendimet e Feniksit.
Nuk do të kalonin pak ditë dhe drejtuesi i një aleance të re populiste me emërtimin e dy ngjyrave të flamurit shqiptar, një aleance të promovuar me shpejtësi kohët e fundit këtu dhe në trojet e tjera të banuara masivisht nga kombi ynë, mundi të shkelte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të zhvillonte atje disa takime kryesisht me bashkatdhetarë të vet. Sigurisht, kjo vizitë nuk mund të konsiderohej dhe të konsiderohet tërësisht private, sikurse jo edhe aq pretencioze, sa të ndikojë plotësisht në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si edhe në zhvillimet e ardhshme politike të vendit tonë. Megjithatë, nuk mund t’i mohohet kësaj Lëvizjeje mbështetja e Uashingtonit, përderisa konstatohet që ajo është duke përparuar disi dhe në vlerësimin e ambasadorit amerikan në Tiranë, gjatë një interviste të dhënë dhjetë ditë më parë, s’mund të dilet kundër saj tek bën thirrje për qeverisje më të efektshme, për transparencë.
Ishte pikërisht ky ambasador, i cili në intervistën e fundit të tij dhënë analistit amerikan për çështjet e Ballkanit, Janush Bugajski, nëpërmjet transmetimit në stacionin televiziv ‘Albanian Screen’, për herë të parë theksoi me tone të forta që viti 2009-të ishte për Shqipërinë një vit kthese në kuptimin negativ. Dhe, në këtë kohëvështrim, pasi vinte në dukje ndër të tjera rritjen në përmasa trishtuese të korrupsionit dhe manipulimin e zgjedhjeve, ai nuk mund të mos arrinte në një përfundim realist, sipas të cilit, Qeveria shqiptare është e lodhur nga pushteti. Po të merret parasysh, që vlerësimet publike të çdo ambasadori përçojnë politikën dhe qëndrimet e shtetit të tij për ngjarjet dhe ecurinë e tyre në vendin ku është akredituar, mund të kuptohet më mirë edhe deklarimi që bëri Arvizu gjatë minutave të asaj interviste, se duhet të gjendet një mënyrë që Shqipëria të kapërcejë ngërçin dhe të rifillojë udhëtimin. Një mënyrë të tillë, ai e konceptonte edhe si përpjekje të shtetit që përfaqëson, për të gjetur këtu partnerë të tjerë aktivë brenda forcave politike dhe jashtë tyre.
Ndërkohë, ishte po ky ambasador, që vetëm dhjetë ditë pas transmetimit të kësaj interviste shoqëroi për në SHBA liderin e opozitës politike shqiptare, Edi Rama, në një kohë që shoqërime të tilla bëhen përgjithësisht në rastin e vizitave zyrtare të krerëve të shtetit përcjellës dhe kur parashikohet dhe planifikohet që në shtetin pritës mund të zhvillohen takime të niveleve të larta dhe me ndikime të ndjeshme në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve. Prej kohësh, takime të tilla nuk i janë bërë të mundur kryeministrit tonë, Sali Berisha, me gjithë tentativat frenetike të tij nëpër korridoret e konferencave ndërkombëtare, për t’i zënë nga xhaketa ose për t’i ndukur nga mëngët personalitetet shtetërore të vendeve të zhvilluara, qoftë edhe sa për t’i quajtur këto si “takime të përzemërta”. Por, gjithashtu, të mos harrojmë që të tilla “takime të përzemërta” nuk zhvillohen kurdoherë ashtu siç do të dëshironte t’i propagandonte ai. Dhe, një rast kuptimplotë për incidente të tilla përbën së fundmi ai në Mynih, gjatë zhvillimit të një Konference për Sigurinë, kur nga fotot dhe filmimet e Agjencisë britanike të lajmeve ‘Rojters’ kryeministri ynë tromaksi Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, me këmbënguljen për ta takuar atë, apo për t’i shprehur përshëndetjet e tij “shumë të sinqerta”.
Sidoqoftë, gjithnjë e më tepër, gjithnjë e më shpesh, dora e zotit Berisha mbetet e nderë gjatë pjesëmarrjeve vetjake në evenimente të organizuara ndërkombëtarisht. Dhe, kjo ndodh ngaqë gjithnjë e më tepër, gjithnjë e më shpesh, gjithkush e ka kuptuar se ai as nuk beson te idealet demokratike dhe as nuk lëviz për t’i përjetësuar, qoftë edhe minimalisht, qoftë edhe formalisht ato. Sepse, siç u shpreh këto ditë Ambasadori amerikan, Uidhers, gjatë një interviste të dhënë një të përjavshmeje të vendit tonë, “sot, klasa qeverisëse shqiptare i përmbahet një koncepti të vjetër, e madje regresiv, se gëzon privilegje në raport me njerëzit e zakonshëm, se ka imunitet nga sundimi i ligjit, se nuk i nënshtrohet vullnetit të popullit...Vepra që ka lënë pas, shkon tërësisht kundër konceptit të ndërtimit të demokracisë. Ajo ka kanosur gjykatat në mënyrë rutinë, madje edhe nën fasadën e një ligji antikushtetues lustracioni”. Prandaj, siç theksonte më tej Uidhers, “është me rëndësi jetike për Shqipërinë, që të gjejë të tjerë udhëheqës –burra dhe gra, të vjetër apo të rinj, të çfarëdo feje apo etnie,- te të cilët flaka e demokracisë vazhdon të shndërrisë”.
Në kontekst të këtyre zhvillimeve që ndodhin në Shqipëri dhe të vlerësimeve që shprehin përfaqësues diplomatikë të SHBA-ve, të cilët i kanë përjetuar dhe i përjetojnë nga së afërmi këto zhvillime, mund të kuptohen edhe veçantitë dhe rëndësia e vizitës zyrtare të Edi Ramës në një vend aleat të madh të shqiptarëve. Një vizitë, që ishte planifikuar jo sot për nesër, por përpara më se një muaji, sikurse e kërkojnë procedurat protokollare të një shteti të fuqishëm. Një vizitë, që shoqëruar edhe prej Ambasadorit amerikan në Tiranë, nuk mund të përqendrohet vetëm në dhënie leksionesh, qoftë edhe në mjedise me prani të zgjedhur si ato të Fondacionit të famshëm me emrin e ‘Aleksandër Hamilton’, një prej tre federalistëve të parë amerikanë. Një vizitë që nuk mund të përqendrohet as vetëm te takimet me bashkatdhetarët tanë në SHBA, qoftë edhe në prag të 100-vjetorit të shoqërisë ‘Vatra’. Një vizitë, që e parashikuar vetëm për pak ditë, nuk mund ta ndërpresë intensitetin e saj në takime me zyrtarë të huaj të niveleve të ulta apo edhe të mesme. Një vizitë, që nuk mund të fokusohet as vetëm në elemente thjesht ceremoniale. Ditët e para të javës që vjen, ndoshta do ta bëjnë më të fortë theksin e kësaj vizite, nëpërmjet takimeve zyrtare të zhvilluara në Kongresin dhe në Departamentin e Shtetit, apo edhe në kanceleri të tjera, që u takojnë kateve më të larta të ngrehinës shtetërore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›