Vejsiu: Gjuha e huaj, lëndë me zgjedhje
Gjuha e huaj e parë nuk do të jetë as në Maturën 2012 provim i detyruar. Ndonëse ishte parashikuar që anglishtja do të futej si provim me detyrim për të gjithë maturantët e vitit të ardhshëm, specialistët e arsimit bëjnë të ditur se këtë vit shkollor u pa e arsyeshme që gjuha e huaj të jetë lëndë me zgjedhje. Në rast se gjuha e huaj e parë do të përzgjidhet si lëndë me zgjedhje në provimet e Maturës nga kurrikula bërthamë, kreditet e saj janë më të larta karshi të gjitha lëndëve të tjera. Kështu, gjuha e huaj e parë është vlerësuar me 10 kredite kur është pjesë e kurrukulës bërthamë dhe 6 kredite gjuha e huaj e dytë, kur është pjesë e kurrikulës me zgjedhje. Ndërkaq, vitin e ardhshëm maturantët do të kenë më shumë provime me zgjedhje, kjo në bazë të krediteve që ata duhet të plotësojnë. Ky kriter i ri që do të fillojë të aplikohet në Maturën 2012 për pranimet e të rinjve në universitete ka ardhur si nevojë për të rritur cilësinë e studentëve që ulen në institucionet e arsimit të lartë. “Tashmë është vënë kriteri që të japë lëndë me zgjedhje 2 ose 3. Me kusht që numri i krediteve të jetë jo më pak sa 8. Ndër kriteret e tjera ka qenë si ide që gjuha e huaj duhet të ishte lëndë e detyrueshme, këtë vit shkollor u pa e arsyeshme që gjuha e huaj të jetë lëndë me zgjedhje”, - thotë drejtori i Arsimit Parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu. Por, vitin e ardhshëm pikët e maturantëve do të llogariten dhe me një formulë të re, e cila do të ndryshojë në bazë të numrit të lëndëve që kanë zgjedhur të rinjtë. “Pesha specifike e lëndëve me detyrim është 20%, ndërsa pesha e lëndëve me zgjedhje, 2 apo 3, është 40%”, - shpjegon Vejsiu. Tashmë Ministria e Arsimit ka nisur trajnimet me drejtuesit e arsimit të rretheve, për të shqyrtuar të gjitha risitë që do të ketë Matura e vitit 2012-2013.