E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doganieri grek pa qejf, shqiptarët presin nën diell

Vetëm ditën e djeshme kaluan traun e doganës greke, pas disa orësh pritjeje, 1800 emigrantë shqiptarë. Pritet numër më i lartë në ditët në vijim. Në doganën greke punohet me një sportel, ndërsa në anën shqiptare me 6 të tillë

KAKAVIJË - Autoritetet e doganës shqiptare të Kakavijës i kanë marrë të gjitha masat për të përballuar fluksin e emigrantëve që kthehen nga Greqia për të kaluar pushimet verore në vendlindje, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për palën greke. Vetëm mëngjesin e djeshëm, radha e automjeteve të emigrantëve e kaloi 1 km, vetëm për shkak se në anën greke të doganës që punonte vetëm me një sportel punonjësi ishte pak pa qejf, ndaj sigurisht rendimenti i punës do të ishte më i ulët. Gjendja shëndetësore e rënduar e doganierit grek të doganës së Kakavijës bëri që emigrantët shqiptarë që kthehen për pushime në vendlindje, të presin gati një orë në radhë në sportelet e përpunimit të dokumenteve. Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë në Gjirokastër, rreth orës 08:00 të së dielës ata janë sinjalizuar, se në tokën greke ishte krijuar një radhë pritje gati 1 km e gjatë e automjeteve me emigrantë shqiptarë që udhëtojnë në drejtim të vendlindjes për pushimet verore. “Menjëherë ne kemi marrë kontakt me palën greke, për të marrë informacionin e nevojshëm dhe shkaqet e kësaj vonese në përpunimin e dokumentacionit të emigrantëve shqiptarë”, thotë zëdhënësi i policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai. Ndërkohë, efektivat e policisë greke të Kakavijës u kanë shpjeguar homologëve shqiptarë, se shkaku i vonesës në përpunimin e dokumenteve dhe radhës së krijuar ka qenë se rreth orës 8:00 të mëngjesit, dogana greke punonte vetëm me një sportel, pasi një prej kontrollorëve kishte shfaqur shqetësime shëndetësore gjatë punës. “Ky ka qenë edhe shkaku i radhës së pritjes në sportelet e doganës greke”, konfirmojnë burimet zyrtare në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër. Në këtë situatë, vetëm rreth orës 10:00, dogana greke ka bërë zëvendësimin e punonjësit në fjalë, dhe më pas puna ka vijuar normalisht. Aktualisht, dogana greke punon me tre sportele, ndërsa ajo shqiptare me 6 të tillë.

Kaluan traun 1800 emigrantë

Deri në orën 14:00 të ditës së djeshme kanë lënë pas tokën greke për të udhëtuar në drejtim të vendlindjes rreth 1 800 emigrantë shqiptarë. Sipas efektivave blu të stacionit kufitar të Kakavijës, fluksi i emigrantëve pritet të rritet ditët e ardhshme, falë edhe vendimit të qeverisë greke, e cila u krijon mundësi emigrantëve shqiptarë që të lëvizin lirshëm në të dyja anët e kufirit në periudhën e pushimeve verore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›