"Vejusha e zezë" shfaqet përsëri
Një 38-vjeçar nga qyteti i Beratit ka përfunduar në spital në rrezik për jetën, pas pickimit prej merimangës së zezë. Burime të spitalit rajonal bënë me dije se me ardhjen e ditëve të nxehta është shfaqur rasti i parë i pickimit nga insektet. Një ditë më parë ka mbërritur në gjendje të rëndë në spital 38-vjeçari Besnik Veseli, i cili ishte pickuar prej një merimange që njihet si "vejusha e zezë", e cila vitet e fundit është shfaqur duke rrezikuar shumë njerëz. Veseli, banor i lagjes periferike Uznovë, e ka marrë veten pas ndihmës mjekësore. Ai ka treguar se është pickuar në dorë prej insektit helmues, ndërsa punonte tokën.