E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre burgime të përjetshme për "Hakmarrjen për Drejtësi"

Ju janë dashur rreth katër orë dy prej prokurorëve të çështjes ndaj të akuzuarve si anëtarë të bandës me emrin "Hakmarrja për Drejtësi", për të lexuar një listë shumë të gjatë krimesh për të cilat akuzohen të pandehurit. Konkluzionet përfundimtare të akuzës, të paraqitura në një fashikull voluminoz prej 135 faqesh, janë shoqëruar edhe me një listë të rëndë dënimesh që janë kërkuar për të gjithë të akuzuarit. Është kërkuar që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat penale të "Kryerjes së krimeve nga banda e armatosur dhe organizata kriminale", "Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese", "Vjedhjes me dhunë dhe me armë", "Vjedhjes me pasojë vdekjen". Prokurorët e çështjes kanë kërkuar dënimin e Altin Arapit, Orik Shytit dhe Gentian Cakës me burgim të përjetshëm, ndërsa për pjesën tjetër të të pandehurve kanë kërkuar një dënim që në total kap shifrën e 143 vjetëve.

Sipas prokurorisë, aktiviteti i këtij grupi kriminal është shtrirë në vitet 1993 dhe 1996, ndërsa pas vitit 2002 ata janë akuzuar vetëm për disa raste falsifikimesh të dokumenteve zyrtare. Pretenca bazohej kryesisht në dëshmitë e tre prej anëtarëve të këtij grupi: Enkelejd Aga dhe Nikolin e Pasho Novruzaj. Deklarimet e këtyre personave janë marrë gjatë arrestimit të tyre në vitin 1996 dhe janë kundërshtuar në proces nga pala mbrojtëse. Gjithsesi prokurorët i kanë përdorur dje thëniet e Agait, i cili është gjetur i vrarë në vitin 1998 në malin e Dajtit, për të vërtetuar akuzat e tyre. Ndërkaq akuza është mbështetur edhe në provat materiale që janë sekuestruar nga policia në banesën e shtetases Zeliha Sina, që ishte marrë me qira nga Enkelejd Aga. Prokurorët thanë se bashkë me arsenalin e armëve dhe municioneve në këtë banesë ishin gjetur edhe disa materiale të shkruara me dorë, që sipas ekspertizës ishin shkruar nga Altin Arapi. Po në këtë banesë, e cila është kontrolluar nga policia në vitin 1996 dhe që u paraqit me shumë bujë si një nga provat kryesore për veprimtarinë e grupit, prokuroria deklaron se është gjetur edhe një leje arme gjahu në emër të Orik Shytit.

Përfaqësuesit e akuzës kanë kërkuar nga gjykata që të mos marrë parasysh deklarimet e disa dëshmitarëve të mbrojtjes, të cilët kishin thënë se këto armë dhe materiale ishin futur në banesë nga policia. Për mendimin e prokurorëve, këta dëshmitarë ishin të instruktuar nga mbrojtja dhe nuk kishin besueshmërinë e duhur në deklarimet e tyre. Po ashtu janë dhënë edhe argumente se përse procesverbali i mbajtur për kontrollin e banesës që ndodhet te pallatet 9-katëshe në kryeqytet ishte i rregullt. Mbrojtja gjatë gjithë procesit e ka kontestuar fort këtë procesverbal, duke deklaruar se ai ishte përpiluar në zyrat e komisariatit të policisë dhe nga persona që nuk kishin marrë pjesë në kontroll.

Një provë tjetër që sipas prokurorisë vërteton krimet e kryera nga të akuzuarit janë edhe disa armë zjarri që ishin hedhur në det, pasi ishin përdorur në disa ngjarje të rënda. Në vitin 1996 njëri nga anëtarët e grupit që u arrestuan, Nikolin Novruzaj, i ka treguar policisë vendin ku ishin hedhur armët. Ato gjendeshin në det, në një zonë jo shumë larg qytetit të Vlorës. Policia kishte përdorur polumbarët për t‘i nxjerrë ato nga deti dhe tashmë akuza i ka paraqitur si prova të pakundërshtueshme. Më pas prokurorët kanë nisur leximin e përshkrimit të 19 krimeve, për të cilat akuzohen të pandehurit. Ndër to, më të rëndat, mund të veçohen vendosja e një sasie eksplozivi në supermarketin e shoqërisë VEFA në Tiranë, ku nga shpërthimi mbetën të vrarë 4 persona dhe u plagosën shumë të tjerë; vrasja e drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve, Bujar Kaloshi, rrëmbimi i fëmijës Erion Nushi dhe një sërë vjedhjesh e grabitjesh me armë.

Procesi ndaj "Hakmarrjes për Drejtësi" ka nisur që në vitin 1996. Prej tre vjetësh e gjysmë ai i ka kaluar për kompetencë Gjykatës së Krimeve të Rënda. Disa prej të pandehurve kryesorë të kësaj dosjeje kanë fituar azil politik në disa vende evropiane, ndërsa avokatët e tyre mbrojtës kanë kundërshtuar akuzat, duke deklaruar se ato janë të montuara dhe kanë sfond politik. Në seancën e ardhshme pritet t‘i jepet fjala mbrojtjes për konkluzionet e saj përfundimtare.

Dënimet

Altin Arapi, burg të përjetshëm

Orik Shyti, burg të përjetshëm

Gentian Caka, burg të përjetshëm

Nikolin Novruzi, 24 vjet burg

Roland Shyti, 25 vjet burg

Leart Shyti, 22 vjet burg

Kreshnik Spahiu, 22 vjet burg

Pasho Novruzaj, 21 vjet burg

Dritan Hate, 21 vjet burg

Gëzim Gjoni, 8 vjet burg

Lista e krimeve për të cilat akuzohen 10 të pandehurit

Vjedhje me armë në filialin e VEFA-së në Vlorë, më 12.01.1996, ku janë grabitur rreth 145 mijë dollarë

Vjedhja me armë e Bankës Kombëtare Tregtare në Vlorë, më 18.04.1996, ku janë grabitur lekë dhe valutë e huaj, si lireta e dhrahmi, që kapin shifrën e rreth 2.2 milionë lekëve të reja

Vrasja e Bujar Kaloshit, më 26.07.1996

Vjedhja me armë e argjendarisë "Agron", ku u vodh flori dhe rreth një milion lekë

Vjedhja me armë e Bankës Kombëtare në Vlorë, dy herë gjatë mesit të vitit 1994

Vjedhja me armë e selisë së shoqërisë "Japa", më 13.4.1994, ku janë vjedhur rreth 53 mijë dollarë

Vjedhja me armë e selisë së shoqërisë "Japa", me pasojë plagosjen e rojës së ndërtesës Eduart Trimi, ku u vodhën rreth 3500 dollarë

Vjedhja me armë e firmës "Gjallica" në Vlorë, ku u vodhën 2.4 milionë lekë të reja, me pasojë plagosjen e financierit

Vjedhja me armë me pasojë vdekjen e shtetasit Pirro Korini, punonjës i VEFA-s

Vjedhje me armë e fabrikës "Albafon" në Laprakë, ku u vodhën rreth 940 mijë lekë të reja

Vjedhja me armë e kompanisë "Butongas", më 3.3.1995, ku u vodhën rreth 430 mijë lekë të reja

Vjedhja me armë e shoqërisë së sigurimeve INSIG, më 21.2.1995, ku u vodhën 156 mijë lekë të reja, me pasojë plagosjen e punonjësit të kësaj shoqërie

Vjedhje me armë me pasojë vdekjen e Sami Jatës, në dhjetor të vitit 1995, ku pas vrasjes nuk u bë e mundur vjedhja

Vjedhja me armë e pikës së karburantit "Shkumbini Petrol", më 21.1.1995, ku u vodhën 2.6 milionë lekë të reja

Vjedhjen me armë të Bankës së Kursimeve në Vlorë, më datë 20.1.1995, ku u vodhën rreth 2.6 milionë lekë

Rrëmbimi i fëmijës Erion Nushi, që u mbajt tri ditë dhe u la i lirë, pa i marrë gjobën e 200 mijë dollarëve amerikanë, më datë 31.10.1995

Vendosje eksplozivi në kompaninë VEFA, më datë 26.2.1996

Vjedhja e Bankës së Kursimeve në Tiranë, më 29.1.1993, ku janë vjedhur rreth 307 mijë dollarë amerikanë



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›