E Diel, 1 Nëntor 2026

Të rinjtë në dyshim për vlerat europiane të teatrit shqiptar

Vlerat europiane të teatrit shqiptar, mobiliteti i artistëve dhe profesionistëve të kulturës brenda dhe jashtë Europës, përfshirja e kulturës dhe artit në politikat e edukimit dhe kultura si një mjet i zhvillimit social dhe ekonomik, dukeshin tema të largëta për të rinjtë që ishin ftuar të merrnin pjesë në debatin me titull “Vlerat europiane të Teatrit Shqiptar - Vendi i Kulturës në Europën e së Nesërmes”. Ndërkohë që paneli i këtij debati, që drejtohej nga regjisori Josif Papagjoni dhe publicisti Besnik Mustafaj, shpreheshin për të ardhmen kulturore të Europës, eksperiencat e tyre në skenat e Europës, qoftë dhe si spektator apo dhe për kushtet dhe qëllimet e një politike të vërtetë kulturore të Bashkimit Europian që duhet të ndiqet dhe në Shqipëri. Të rinjtë pjesëmarrës që vinin nga Akademia e Arteve kërkonin të gjenin aty përgjigje për shqetësimet reale që ata kanë për t’u integruar së pari në institucionet kombëtare të Teatrit e më pas të hidhnin sytë nga Europa. Shumë pyetje, që në fakt nuk morën asnjë përgjigje praktike për të rinjtë që aspirojnë të bëhen aktorë, regjisorë, skenografë etj. Në mbyllje të debatit, që u zhvillua nga Forumi për Aleancë të Qytetërimeve (AFALC) dhe Teatri Kombëtar, përfundimi ishte se Teatrit edhe pas këtij debati do t’i duhet të zgjidhë së pari problemet me veten pastaj të mendojë të përballet me të tjerët.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›