E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushata elektorale, nëpunësit e administratës “rrëmbehen” me furgonë për të mbushur mitingjet

Shkelet statusi i nëpunësit civil, nuk respektohen oraret zyrtare. Zgjedhjet prishin orët e mësimit, mësuesit detyrohen të zbresin në shesh

Eljona Ballhysa
Fushata elektorale, e cila ndodhet në kulmin e saj, ka sjellë një çorganizim të dukshëm të administratës shtetërore qendrore apo lokale dhe paralizim të punës së shumë institucioneve. Kjo për faktin se nëpunësit e këtyre institucioneve jo vetëm që detyrohen të ndjekin aktivitetet politike duke u kërcënuar të mbushin sheshet ku mbahen mitingjet, por së fundi nëpunësit “rrëmbehen” me furgonë dhe dërgohen nga njëri qytet në tjetrin. Këtë e bëjnë të ditur vetë nëpunësit e institucioneve qendrore. Duke kërkuar të mos citohen për shkak se rrezikojnë vendin e punës, ata shprehen se çdo mëngjes gjejnë në dyert e institucionit ku punojnë furgonë apo makina shtetërore, të cilat mbushen me nëpunës të administratës pa iu dhënë informacion se ku shkojnë. Në shumicën e rasteve destinacioni mësohet vetëm rrugës. Ata detyrohen nga eprorët të qëndrojnë edhe jashtë orarit zyrtar dhe shëtisin nga njëri qytet në tjetrin duke mbushur sheshet në mënyrë që mitingjet e partive politike të duken sa më entuziaste. Ky fenomen ka ndikuar në paralizimin e punës së institucioneve shtetërore.
Boshatisja
Qytetarët ankohen se nuk gjejnë njeri në zyrat e institucioneve publike, qendrore apo lokale. Madje dhe vetë nëpunësit e administratës bëjnë të ditur se duhet të presin të paktën një javë për të firmosur një dokument nga një sekretar i Përgjithshëm i ndonjë institucioni shtetëror, pasi ai është në fushatë. Drejtorët e drejtorive rendin pas ministrave, kandidatë për deputetë. Të vetmet besnike të zyrave të shtetit janë sekretaret që mbajnë shënim telefonatat për eprorët. Por kjo situatë është e ngjashme edhe në institucionet lokale. Në çdo rreth ku zhvillohen mitingje u vihet dryni shkollave. Megjithëse në Kodin Zgjedhor është i ndaluar përdorimi i fëmijëve për fushatë, të parët që urdhërohen të dalin në shesh janë mësuesit. Për ta urdhri është i qartë: Nëse nuk mbushin sheshin me nxënës rrezikojnë vendin e punës. Madje ndihmesa e tyre e çmuar do të vihet re tani, pasi dje ka qenë dita e fundit e vitit shkollor dhe prania e mësuesve dhe nxënësve do t’u mungojë mitingjeve të zhurmshme. Jo vetëm mësuesit, por edhe nëpunësit e institucioneve të tjera lokale, të bashkive, të tatim-taksave, të Ujësjellësit, të Elektrikut, të gjithë detyrohen të zbresin në shesh. Fushata duket se i ka vënë “shqelmin” çdo ligji. Nuk merret aspak parasysh fakti se një nëpunës gëzon statusin e nëpunësit civil dhe është i pavarur në detyrën e tij publike. Kjo dukuri është vënë në dukje dhe në raportin e fundit të vëzhguesve të ODIHR-it. Ata kanë cituar në raportin e publikuar pak ditë më parë se kanë të dhëna se nëpunësit e administratës kërcënohen të marrin pjesë në aktivitetet politike, pavarësisht bindjeve politike që kanë.
Precedentët
Rasti më flagrant i detyrimit të administratës të mbushë sheshin është urdhri i lëshuar nga kryeministri Berisha për ceremoninë festive të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Gazeta “Albania” publikoi ekskluzivisht dokumentin në të cilin shprehet qartë plani i qeverisë për të mbushur sheshin “Skënderbej” duke i detyruar të gjithë punonjësit e shtetit që të marrin pjesë në ceremoninë festive që u organizua mbrëmjen e 5 prillit 2209. Urdhri i kryeministrit Berisha iu shpërnda të gjitha dikastereve shtetërore, të cilat, nga ana e tyre, kanë marrë masat për të njoftuar të gjithë eprorët, të cilët do të kenë përgjegjësinë për të çuar në miting vartësit e tyre. “Me rastin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut Verior, me urdhër të kryeministrit, zotit Sali Berisha, të gjithë punonjësit e institucioneve qendrore duhet të marrin pjesë në aktivitetet që do të zhvillohen në këto ditë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në zbatim të këtij urdhri, drejtorët në Ministrinë e Punëve të Jashtme kanë përgjegjësinë që të sigurojnë prezencën e të gjithë nëpunësve në orën 17:00, ditën e diel, datë 05.04.2009, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku do të jepet informacioni në lidhje me vendin e caktuar për stafin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, gjatë aktivitetit”, - thuhej në këtë dokument të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Madje në atë aktivitet ishin shënuar dhe hapësirat në sheshin “Skënderbej” se ku do të qëndronin nëpunësit e njërës apo tjetrës ministri.

13 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›