E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veliaj: “Fatos Nano është një gërmadhë politike”



Kryetari i Partisë G99, Erion Veliaj, ka reaguar pas deklaratave të ish-kreut të Partisë Socialiste, Fatos Nano. Veliaj e quajti Nanon si një gërmadhë politike, ndërkohë që e cilësoi atë si ortak të kryeministrit Berisha. Ai tha se Nano dhe Berisha kanë rënë në dëshpërim politik. “Jemi sot në këtë deklaratë për shtyp së pari për të reaguar ndaj komenteve që dëgjuam dje nga një gërmadhë morale e quajtur Fatos Nano. Ajo që ndodhi dje është që pamë që Fatos Nano vizitoi sërish Shqipërinë. Në këto katër vjet Shqipëria është vizituar më shumë nga kryeministra italianë, sesa nga ish-kryeministri i saj. Ajo që pamë dje ishte qesharake dhe një fyerje ndaj të rinjve shqiptarë, të cilëve sërish u ofrohet e njëjta gjellë politike, të cilën e kanë gatuar këta politikanë dhe me të cilën jemi ushqyer këto 18 vitet e fundit. Ajo që ndodhi është që fantazma e politikës së vjetër, e quajtur Fatos Nano, e vizitoi Shqipërinë në një moment kritik, momentin më kritik kur shqiptarët do të duhet të vendosin midis hapjes së një kapitulli të ri apo ndjekjes së një politike të vjetër dhe në fakt ka ardhur në momentin më të mirë, sepse na qartësoi të gjithëve se çfarë përfaqëson në thelb politika e vjetër e zotit Fatos Nano dhe zotit Sali Berisha. Ne dëgjuam dje nga zoti Nano të fliste për studentët shqiptarë, për hallet e tyre dhe kush i përfaqëson ata. Pyetja që ne kemi për zotin Nano është: Në cilën kazino të Vjenës i takon studentët shqiptarë, në cilën pijetore i takon ata, sepse studentët shqiptarë paguajnë taksa që zoti Nano të shkojë dhe t’i përfaqësojë në Parlament?” - tha Veliaj.
Kreu i G99-s i kujtoi Nanos faktin që ai nuk e ka vizituar asnjëherë zonën e tij elektorale. “Zoti Nano dje volli mllef pa fund për G99-n. Në fakt ai duhet të shqetësohet për një numër 99, Zona 99 është zona e tij elektorale, zona ku është deputet dhe nuk ka shkelur asnjëherë, nuk ka shkuar t’i përfaqësojë në Parlament. Studentët shqiptarë ndihen të fyer që zoti Nano dhe zoti Berisha jo vetëm nuk u ofrojnë atyre mundësitë e shkollimit dhe të punësimit, por ndihen të fyer që zoti Nano dhe zoti Berisha ende tallen dhe me taksat e tyre jetojnë jetët e familjeve të tyre, aspak në shërbim të interesave publikë të Shqipërisë”, - tha Veliaj.

21 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›