E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Fatos Nano i ka kthyer kurrizin Partisë Socialiste”

Kreu i PS-së: “Nano, i vetmi ish-kryetar partie që bën thirrje për mosvotimin e partisë së tij”. Rama: “Lista e kandidatëve tanë, ekipi i ri që do të fitojë zgjedhjet”

Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar pas akuzave dhe deklaratave të ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të PS-së, Fatos Nano. Gjatë konferencës për prezantimin e listës së kandidatëve të PS-së për zgjedhjet e 28 qershorit Rama tha se Fatos Nano i ka kthyer kurrizin Partisë Socialiste. Rama tha se Fatos Nano është për të ardhur keq, pasi është i vetmi ish-kryetar partie që bën thirrje për të mos votuar partinë e tij. “Fatos Nano i ka kthyer kurrizin PS-së dhe listat e deputetëve nuk janë lista që bëjnë vlerësime historike, por janë lista që përfaqësojnë skuadra që angazhohen për të ardhmen. Është vërtet për të ardhur keq dhe unë jam shumë i keqardhur që Fatos Nano është i vetmi ish-kryetar i një partie që bën thirrje për të mos votuar partinë e tij. Por ky është problemi i tij, projekti ynë i ri politik është një projekt që zhvillohet mbi bazën e garancive për të ardhmen dhe jo vlerësimeve për të shkuarën”, - tha kryesocialisti Edi Rama.

Kandidatët
Duke folur për listën e kandidatëve, Rama tha se Partia Socialiste vjen në zgjedhjet e 28 qershorit duke u ofruar shqiptarëve grupin më të mirë të mundshëm parlamentar, i cili do të qeverisë vendin dhe do ta nxjerrë Shqipërinë nga tranzicioni i stërgjatur. Rama tha se lista e kandidatëve përbëhet nga një grup parlamentar në të cilin harmonizohet eksperienca parlamentare dhe politike me prurje të reja nga radhët e PS-së dhe nga shoqëria civile. “Kjo është një tjetër arsye për të besuar se oferta jonë është oferta më e mirë, e cila garanton që politika jonë e re e ndryshimit të marrë një përmasë të prekshme në jetën parlamentare të vendit. Kemi sot një grup deputetësh që janë një bazë shumë solide për të integruar grupin që hyn për herë të parë dhe për të pasur kështu një grup që të funksionojë si një makinë ligjvënëse me cilësi e mbi të gjitha me shpejtësinë e domosdoshme për reformat e thella që ne duam të ndërmarrim”, - u shpreh Rama. Duke folur për hartimin e listave, ai theksoi se hartimi i listave nuk është ndërtuar mbi bazën e koniunkturave, por me një ekip të ri që do të garantojë fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit. “PS-ja është e përgatitur për t’i fituar këto zgjedhje me një program të ri, me një ekip të ri dhe me një lider të ri. Kur them jemi të përgatitur në këtë aspekt, ju siguroj se jemi të përgatitur dhe në aspektin tjetër. Askush nuk do të mund të deformojë vullnetin e popullit shqiptar më 28 qershor. Shqiptarët e shqiptaret do të votojnë ashtu siç ata e dëshirojnë dhe kundër dëshirës së tyre nuk do mund të shkojë askush. Ne do të mbrojmë me çdo kusht shprehjen e vullnetit të lirë të popullit shqiptar. Ne do t’i fitojmë zgjedhjet me këtë koalicion dhe do të qeverisim me këtë koalicion”, - vijoi kreu i Partisë Socialiste Edi Rama.
Qeverisja
Rama ka shpjeguar arsyen se përse nuk do të jetë në listën e kandidatëve për deputetë. Ai theksoi se është në garën e zgjedhjeve, por në një garë më të rëndësishme për të marrë në dorë fatet e vendit dhe për të ndryshuar Shqipërinë. “Unë do të jem një kryeministër i një lloji të ri dhe do ta bëj detyrën time në një mënyrë krejt të re, me njerëzit dhe për njerëzit, jo me fjalë, por me prani, aty ku njerëzit jetojnë, aty ku problemet vazhdojnë të trashëgohen dhe kërkojnë zgjidhje dhe aty ku unë besoj se do të lindë Shqipëria e re për të cilën të gjithë ne jemi të angazhuar nga përfshirja e njerëzve në procesin qeverisës. Për sa i përket çështjes për zbritjen në fushën e betejës, unë jam në fushën e betejës. Nuk shikoj asnjë kundërshti mes vazhdimit të një detyre për të cilën qytetarët e qytetaret e Tiranës me kanë ngarkuar dhe çuarjes përpara të një misioni që së bashku me këta burra e gra këtu dhe me të tjerë që s’janë këtu, kemi vendosur ta bëjmë një mision të të gjithëve për një Shqipëri që të ketë më në fund një shtet të të gjithëve”, - tha Rama. Ai sqaroi gjithashtu se pasi të bëhet kryeministër do të linte postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

21 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›