E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj: Gati për të ndryshuar Shqipërinë

 

Kryetari i Partisë G99, Erjon Veliaj, në konventën e këtij subjekti politik që u zhvillua dje në Tiranë, dha garancinë e tij se koalicioni qeverisës që do të vijë në pushtet pas 28 Qershorit është gati të punojë për ndryshimin e Shqipërisë. “Jemi gati për punë dhe gati për të ndryshuar Shqipërinë. Shqipëria jonë nuk është vetëm e të pasurve, por edhe e të varfërve, nuk është vetëm e pleqve por edhe e të rinjve, nuk është vetëm e fëmijëve të pasur të kryeministrit, por i të gjithë fëmijëve. Për ata që duan ta mbajnë Shqipërinë kështu siç është, beteja do të jetë shumë e vështirë”, deklaroi Veliaj. Kreu i G99 ka premtuar një qeveri ndryshe, që e ka vëmendjen te qytetarët dhe ka paraqitur prioritetet kryesore të tij. “Ne duam një qeveri që sheh dhe që vepron. Ne kemi vendosur ta përqendrojmë fushatën tonë në dy fusha, që në 100 ditët e para të qeverisjes të garantohet vota e emigrantëve dhe që të shpenzohet për arsimin 5 për qind e GDP-së”, ka pohuar Veliaj. Ai ka ironizuar me mesazhin e dërguar nga kreu i qeverisë në celularët e qytetarëve, duke u shprehur se Berisha ka bërë të kundërtën e atyre që ka premtuar. Më tej ai u ka drejtuar një mesazh të pranishmëve, duke iu kërkuar bashkim për ndryshimin më 28 qershor. Veliaj ka shprehur bindjen e tij se ky ndryshim do të arrihet. “Bashkë mund t’ia dalim dhe bashkë mund të ecim përpara. Këto zgjedhje janë në dorën tuaj, në dorën e secilit prej nesh, në dorën e gjithë shqiptarëve që duan ndryshimin”, ka shtuar Veliaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›