Në pikëpyetje vota e 5 mijë efektivave të policisë
TIRANE - Është në pikëpyetje vota e 5000 policëve, që po trajnohen për të mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Uniforma dhe armët që mbajnë, sipas Kodit Zgjedhor nuk i lejon që të futen nëpër qendra të votimit, qoftë edhe për të votuar. Ky numër është caktuar nga Drejtuesit e Policisë, për t’u angazhuar në ruajtjen dhe sigurimin e 4830 Qendrave të Votimit, 66 KZQV-ve, si dhe shoqërimin e Komisioneve e materialeve zgjedhore nga Qendrat e Votimit për në Vendin e Numërimit të Votave. Por ende nuk është përcaktuar se ku dhe kur do të votojnë të gjithë këta punonjës policie që do të kryejnë detyrat e caktuara nga eprorët e tyre dhe ekspertët e misioneve të huaja. Sipas një përllogaritje të thjeshtë matematikore, afërsisht i bie që shërbimi gjatë zgjedhjeve të kryhet nga një polic i vetëm. Kjo do të thotë se nëse që do të ketë vetëm një turn pune, atyre nuk u jepet mundësia që të votojnë. Deri tani është folur se 5000 policëve që do të jenë në shërbim më 28 qershor, ditën e zgjedhjeve, do u krijohet mundësia për të votuar. Por se sa do të realizohet kjo, deri tani askush nga drejtuesit e policisë nuk ka dhënë një siguri. Sipas burimeve nga Ministria e Brendshme mësohet se po hartohet një udhëzim në lidhje me vendin ku do të votojnë policët, por deri më sot nuk është dhënë asnjë sqarim për këtë situatë. e.d