E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj: “Në krye të Policisë ka ende ish-truproja të paarsimuar e me precedentë penalë”



Erion Veliaj deklaroi se në krye të Policisë janë vendosur truproja pa arsim dhe jo rrallë me precedentë krimesh. “Është e turpshme që Policia e Shtetit të drejtohet nga njerëz të tillë, nga të cilët duhet të ruhesh”, - tha Veliaj gjatë një tryeze që G99-a organizoi në lidhje me rendin. Sipas kreut të G99-s, gjendja e rendit është përkeqësuar qysh nga viti 2005, kur kjo maxhorancë mori në dorë vendin. Veliaj nënvizoi se “viti që kaloi pati një bilanc të trishtuar të humbjeve të jetëve për shkak të krimeve, aksidenteve dhe zjarreve dhe se ky indikator dëshmon për nevojën e përmirësimeve në punën e forcave të rendit”.
Gjatë kësaj tryeze, të organizuar në kuadër të fushatës “Siguria e jetës”, e para e këtij lloji në Shqipëri, G99-a kishte një seri sugjerimesh praktike, duke filluar që nga vendosja e një numri unikal telefoni për emergjencat e qytetarëve. Ndërsa për problemin e sigurisë së qytetarëve në rrugë dhe adresimin e problemeve të trafikut, sipas drejtuesit të G99-s, investimi kryesor duhet bërë në fushën e parandalimit, duke investuar në arsimimin e një brezi me një kulturë më të mirë të sigurisë në rrugë.
Pjesëmarrës në konferencë ishin specialistë, ekspertë dhe ish-funksionarë të lartë të forcave të Policisë, të Emergjencës Civile etj. Gjatë zhvillimit të tryezës u mbajtën prezantime nga Berti Koxhaj, ekspert i sigurisë rrugore, ish-drejtues i lartë i Policisë, tashmë specialist pranë Qendrës së Studimeve të Trafikut Rrugor; Besnik Shehu, ekspert i luftës kundër krimit, ish-drejtues i lartë i Policisë së Shtetit; Alfred Kristuli, ekspert i Policisë për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin, specialist për emergjencat civile; si dhe Genci Kojdheli, ekspert i G99-s, specialist i çështjeve ligjore për rendin dhe policinë.
G99-a organizoi Konventën e parë në Shqipëri për sigurinë e jetës, më datë 24 janar.

14 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›