E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, qarqet që kërcënohen nga manipulimet e mundshme

Cilat janë zonat që konsiderohen problematike në zgjedhjet e 28 qershorit. Tirana, Durrësi, Elbasani etj., në shënjestër të manipulimeve, për shkak të numrit të madh të mandateve

Shaban Sulçe

Qarqet që kanë numrin më të madh të mandateve për deputetë mund të rrezikohen nga manipulimet e mundshme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 28 qershorit. Qarqe të tilla si Tirana, Durrësi, Elbasani apo Korça, mund të jenë në epiqendër të planeve për manipulim, për vetë faktin se në këto qarqe numri i deputetëve është më i madh se gjysma e vendeve në Parlamentin e ardhshëm. Në rast se segmente të caktuara do të tentojnë që të manipulojnë zgjedhjet, sigurisht ato do të kenë një interes më të pakët që këto manipulime t’i zhvillojnë në qarqe të tilla si Kukësi, Lezha, apo Gjirokastra, ku numri i mandateve për deputetë është mjaft i pakët. Për këto arsye, opozita, e cila në mënyrë të vazhdueshme ka shprehur shqetësimin e saj për manipulimet që rrezikojnë zgjedhjet, do të përqendrojë kryesisht në qarqet e mëdha vëmendjen dhe strategjitë e saj për të parandaluar dhe denoncuar tentativat manipuluese të zgjedhjeve të 28 qershorit.

Denoncimet
Edhe pse duhen më pak se gjashtë muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare, opozita ka shprehur shqetësimin për të paktën dy çështje, të cilat përbëjnë rrezik për zhvillimin normal të zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndër to kanë qenë parregullsitë në pajisjen me karta identiteti dhe krijimi i policisë elektorale. Pak ditë më parë Partia Demokracia Sociale denoncoi skemën, sipas së cilës ishin lënë jashtë listave për pajisen e shpejtë me karta identiteti të votuesve që njihen si mbështetës të partive të majta. Sekretari Politik i Partisë Demokracia Sociale, Artur Duçkallari, ka denoncuar dje tentativën e qeverisë për manipulimin e zgjedhjeve me anë të selektimit të procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit. “Ne kemi konstatuar raste të abuzimeve së fundi edhe në rrethin e Burrelit, ku po tentohet që shumë votues, që rezultojnë të papajisur me pasaporta, të cilët mendohet të votojnë për forcat e majta, nuk janë përfshirë në listat prioritare për pajisjen me karta identiteti. PDS-ja ka vërejtur se në Tiranë, por edhe në shumë rrethe, nga verifikimet ka dalë se në listat e afishuara ka shumë shtetas që s’jetojnë më, apo dhe shumë zgjedhës që janë të pajisur me pasaporta, ndërkohë që shumë të tjerë, që mendohet se votojnë për partitë e opozitës dhe që s’janë të pajisur me pasaporta, nuk e gjejnë emrin e tyre në listën e dërguar nga Ministria e Brendshme në njësitë e pushtetit vendor. Me një kujdes të veçantë, njerëzit e Berishës po bëjnë gjithçka që këta shtetas të mos kenë mundësi t’u drejtohen kutive të votimit më 28 qershor. Në të njëjtën kohë, bashkitë dhe komunat e qeverisura nga Partia Demokratike po “bëjnë kujdes” që qytetarët e damkosur si votues të së majtës të mos i gjejnë emrat në lista dhe të mos kenë mundësinë e aplikimit apo të pajisjes me kartë identiteti, një dokument i rëndësishëm për pjesëmarrjen në zgjedhjet e 28 qershorit”, - ka thënë Duçkallari.

Policia Elektorale

Kohët e fundit, Partia Socialiste ka ndarë shqetësimin e saj në lidhje me rrezikun që u kanoset zgjedhjeve si rezultat i emërimeve politike të militantëve të PD-së në krye të strukturave të Policisë së Shtetit. Ky shqetësim është shprehur në mënyrë të vazhdueshme nga ana e deputetit socialist Pirro Lutaj, i cili ka thënë se procesi zgjedhor rrezikon të kryhet normalisht si rezultat i krijimit të Policisë Elektorale. “Veprimet në drejtim të lëvizjes pa kriter dhe politikisht të motivuar të kuadrove të Policisë që, për hir të së vërtetës, ka shoqëruar politikën e Ministrisë së Brendshme qysh me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike, si dhe vendimi më i fundit i qeverisë për të marrë në punë rreth 1600 punonjës mbi organikat ekzistuese të ministrive, baras me të paktën 5 ministri të mëdha aktuale, janë një veprim i qartë për një sinjal ogurzi, në fermentim, me synim vënien e strukturave të Policisë së Shtetit nën diktatin politik të maxhorancës qeverisëse, duke cenuar rëndë rolin dhe funksionet kushtetuese të Policisë së Shtetit e njëkohësisht duke rrezikuar jo vetëm besueshmërinë e këtij institucioni, por në radhë të parë, e mbi të gjitha, procesin zgjedhor dhe rolin e Policisë së Shtetit në këtë proces”, - ka deklaruar deputeti Lutaj.

Njohja e zonave

Partia Socialiste ka hartuar strategjinë për të parandaluar dhe demaskuar skemat e mundshme të manipulimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Në Shtabin Elektoral të Partisë Socialiste është krijuar grupi për trajtimin ligjor dhe administrativ të zgjedhjeve. Këtij grupi i janë përcaktuar edhe detyrat konkrete që kanë të bëjnë me strategjinë për ndalimin e manipulimit të mundshëm të zgjedhjeve. Konkretisht, në këtë strategji kërkohet të përcaktohet harta e zonave problematike të administrimit të zgjedhjeve. Gjithashtu në të kërkohet hartimi i listës me llojet kryesore të manipulimit dhe dhunimit të zgjedhjeve. Duke pasur parasysh problemet që mund të ndodhin gjatë procesit zgjedhor në zonat problematike, Shtabi Elektoral i Partisë Socialiste ka menduar të krijojë një rrjet kombëtar për të administruar zgjedhjet në këto zona. Gjithashtu është bërë përcaktimi i koordinatorëve dhe grupeve për çdo qark dhe bashki që do të merren me parandalimin e manipulimeve të mundshme në zonat problematike.

14 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›