Veliaj: Po grupohemi për "Kontratë me Shqipërinë"
"Vendi ka nevojë urgjente për një kontratë rë re me administratorët e ardhëshëm të pushtetit..". Erjon Veliaj është gati për një sfidë të re. Kësaj here politike. Lëvizja e paralajmëruar e ish-djaloshit që ngriti nga hiçi një lëvizje rinore të suksesshme, me shumë gjasa do të emërtohet sipas qëllimit të saj: një kontratë e re me Shqipërinë.
Z.Veliaj, një pyetje që po kuriozon dita ditës shumë njerëz është projektimi prej jush i një lëvizjeje të re politike, pse kjo iniciativë e pse pikërisht në këtë moment?
Ka disa arsye. Gjykoj se pas dy dekadash tranzicion – sa gjysma e diktatures – Shqipëria do të duhet të rikthejë moralin ideologjik në qendër të vëmendjes publike. Sic e quajti një mik në media, edhe unë ndihem i lodhur me një estradë therëse ku minjtë e diktaturës janë trasnformuar artificialisht në 'luanë' të demokracisë, e kjo tallje publike duhet të marrë fund njëherë e mirë në vitin 2009. Momentalisht, jemi i vetmi vend në Europë ku ish-komunistët, tashmë anti-komunistë, qëndrojnë në pushtet. Thuhet se po s'pati dimër të acartë, s'e shijon kush pranverën E pra dimri ynë ka zgjatur mjaftueshem, besoj me gjithë zemër se këtij ngërci moral do t'i japim dum për 18 muaj.
Së dyti, qoftë me nuhatje personale apo dhe me statistika sondazhesh që po na lebetisin cdo ditë, vërej qartë se besimi i publikut për qeverisjen aktuale është në pikën më të ulët në këto 17 vjet. Besimi tek autoritetet është valuta e demokracisë, dhe kur ai humbet, demokracia falimenton. Ndaj duhet restauruar menjëherë ky besim i shëkrmoqur. Secili grup shoqëror duhet të ketë një vend në tryezën e vendimmarrjes – sot fatkeqësisht kjo tryezë është reduktuar patetitikisht tek Berisha, 2 fëmijët dhe 10 shokët e tyre që operojnë me ligje të oborrit si të paprekshëm të gjitha levat e pushtetit. Ky deformim me besimin e publikut gjithashtu duhet të përfundojë në 2009-en.
Dhe një arsye e tretë, është fakti se vendi ka nevojë urgjente për një kontratë rë re me administratorët e ardhëshëm të pushtetit. Zgjidhjet që shohim sot, në arsim, sëhndetësi, shërbimet publike, gravrasjen, gjakmarrjen – dhe kur ekzistojnë – në rastin më të mirë janë momentare dhe të paqendrueshme. Nuk mund të ketë zhvillim me këtë mentalitet 'leukoplasti' e 'mballomash'. Ca plagë duhen kuruar një herë e mirë dhe seriozisht. Qeveria shet 'indulgjenca' kur kinse lufton korrupsionin apo sajdis zgjidhje atomike për Shqipërinë. Ndaj, një 'Kontratë e Re me Shqipërinë' do duhet të adresojë me përkushtim maksimal nevojat dhe zgjidhjet për secilin grup interesi. A nuk është vallë shoqëria jonë shumatore e fëmijëve në kopshte, nxënësve në shkolla, studentëve në universitete, punëdhënësve e punëtorëve, pensionistëve e të liruarve nga detyra, pacientëve në spitale, e fermerëve të drobitur? Cili nga këto grupe po njeh progres sot? 18 muajt e ardhshëm, përvecse të fundit me Berishën, do jenë gjithashtu një sfidë reale për administratorët e ardhshëm në përgatitjen e kësaj 'Kontrate me Shqiperinë'.
Dhe si do funksionojë konkretisht kjo lëvizje politike?
S'bëhet kurrsesi fjalë për një parti klasike, pasi nuk besoj se status-quonë do mund ta mundim me rregullat që ajo ka caktuar. Qasja duhet të jetë alternative, e zgjuar, e zdhervjellët, që artikulon moral në jetën politike e ofron zgjedhje të prekshme për secilin qytetar. Momentalisht po grupohemi si një bashkim vullnetar individësh të suksesshëm në një duzinë fushash me rëndësi publike. Nga reagimi tejet pozitiv i shumë prej emrave më të pastër në Shqipëri, unë ndihem goxha optimist. Po aq jam inkurajuar dhe nga kërkesat e shumta nga kontribute shqiptare jashtë vendit. Me shpresë kjo lëvijze do të mpiksë shumë prej këtyre aseteve më pranë Shqipërisë, për të ndaluar njëherë e mirë këtë hemorragji intelektuale që sot nuk gjen mbështetje në Tiranën zyrtare.
Cilët janë disa prej këtyre emrave, a mund të na i zbuloni?
Në fillim të vitit që vjen sigurisht do të prezantojmë ekipin e kompletuar. Emrat ndoshta s'janë scoop-i i vërtetë, se sa fakti që Shqipëria gëlon me talente që vec kërkojnë një mënyrë të ndershme. Në 4 vitet e punës me MJAFT, në cdo qytet e fshat të Shqipërisë, kam përjetuar një ekzpositë të mundësive e potencialit njerëzor që thjesht pret të clirojë energji pozitive. Qeveria aktuale mendon se administrimi i këtyre njerëzve është problemati kryesor. Në të kundërt, ne mendojmë se angazhimi i këtyre njerëzve është e vetmja zgjidhje që kemi.
Jeni vazhdimisht kritik ndaj qeverisë, realisht mendoni se gjerat po shkojnë aq keq?
Nuk ka rëndësi fare cfarë mendoj unë. Mjafton të shohim numrat që shpjegojnë gjendjen ku jetojmë. Sipas Bankës Botërore 780,000 bashkëqytetarë jetojnë nën nivelin minimal të varfërisë, nga të cilët 150,000 jetojnë në varfëri ekstreme ku nuk sigurohet as buka e gojës. Mesatarisht shqiptarët e kohëve moderne kanë vetëm 9 vjet arsim – pra një komb post-tetëvjecare. Papunësia zyrtare është mbi 15% e krahut të punës – më e larta në Europë. Jetëgjatësia – më saktë 'jetëshkurtësia' – jonë ka rënë nën nivelet e vendeve të tjera të rajonit. Furnizimi me ujë të pishëm në shkallë vendi ëshntë nën 12 orë në ditë, dhe energjia elektrike – kjo e fundit sdo më koment.
Pse zgjedh t'ju përgjigjem me këto shifra? Sepse besoj fort, shumë fort, se këto janë shqetësimet reale të publikut, dhe fundja fundit detyrimet reale të një qeverisje. Secila statistike bën fjalë për jetë njerëzish që ekzistojnë realisht, që kanë dhe ëndrra personale, dëshira për t'i përmbushur në jetë, nevojë për dinjitettë cilët ku më shumë e ku më pak ndjejnë se kanë humbur 17 vjet kohë të cmuar.Vetëm në kufirin lindor tonin, 50 km vijë ajrore nga Tirana, popullsia Maqedonase ka evoluar në atë stad sa ështëe mbuluar mbi 70% e republikës me internet me valë, ëireless. Kurse ne ende përjetojmë devolucion. Me cfarë ndricoheshin shqiptarët përpara se të përdornin qirinjtë? Hmmm, me energji elektrike!
Ndaj dhe mendoj se gjërat po shkojnë keq. Berisha qeveris me ekipin e para-të-rinjve, jo se nuk ka njerëz të aftë, por se cmon më tepër nënshtrimin absolut para cdo marrëzie sesa mendimin kritik në vendimmarrje. Kësisoj 'debati' brenda kabinetit – me aq sa i tregohet publikut të paktën – i ngjan një gare mes zerove, se kush esthe zeroja më e madhe, kriter ky që shkurton distancën për tek zemra e despotit. Dhe në këtë miks të injorancës dhe arroganicës – kombinimi më i terstë në pushtet – nuk ka asnjë statistikë që përmenda më sipër që të ketë njohur progres real, dhe më keq akoma nuk ka asnjë destinacion në horizont për të cilin kjo qeveri të bën të shpresosh. Në fakt, bëra një gabim të vogël, e vetmja statistikë që ka avancuar pozitivisht, shumë shumë pozitivisht, janë deklarimet e pasurive të ministrave. Një rast i përsosur për studim ky, i 'përparimit' të disa individëve në kurriz të rrënimit kolektiv.
A nuk ju duket një destinacion i afërt anëtarësimi ynë në NATO, me ftesën që pritet vitin që vjen? Apo dhe përafrimi ynë për antarësim në BE?
Unë jam tejet optimist.për ftesën. Jo sepse e meritojmë, por sepse është një politikë e qartë Shteteve të Bashkuara të zgjerojë Aleancën e Atlantikut në Ballkan. Por sërish, në fund ende mbetet pyetja, në NATO dakord, por në cfarë kushtesh? Një ushtarak në detyrë sot paguhet 200 euro në muaj. Kurse ish-ushtarakët ende vërtiten si varfanjakë të poshtëruar para godinave qeveritare. Apo duhet të flasim për ushtarët varfanjakë që mezi i sigurojnë ato 3 mijë euro për kokë për rryshfetin e zyrtarit të ministrisë që t'i cojë në Irak e Afganistan – sepse në vendin e tyre s'jetojnë dot aq mirë e s'fitojnë dot aq para sa dhe në një kazermë të luftës? Anëtarët e NATOs nuk janë naivë ndaj këtyre cudirave shqiptare, përkundrazi. Po sa mirë që na duan më shumë se c'duam ne veten. Pyetja gjithsesi mbetet, kur do fillojë politika jonë të mendojë për njerëz 'prej vërteti' e të heqë dorë nga gudulisja e veshëve të publikut për 'heroizma anëtarsimi' që kurrë s'u bënë? Ndoshta duhet të pranojmë më në fund që kjo qeveri as nuk do, por më e rëndësishme as nuk di t'u japë drejtim këtyre cështjeve.
Raporti i fundit i BE-së ishte një pasqyrë për lakuriqësinë tonë qeverisëse. U desh që Brukseli sërish të na thotë se mbreti nuk ka rroba – ndëkrohë që Faraoni i Valbonës dhe enturazhi i tij insiston se jo vetëm që i ka, por dhe i vezullojnë. Shikoni në cfarë situate komike gjendemi sot. Ambasadorët e BE-së, SHBA-së etj. i thonë qeverisë të zbatojë ligjin, Lëvizjet qytetare protestojnë e angazhohen konkretisht në rrugëzgjidhje për problematikat, kurse Qeveria organizon fushata, po po, fushata sensibilizuese, sit ë ishte një OJQ, fushata për drejtësinë, dhunën, korrupsionin, gjakmarrjen. Tani, a mund të më thoni cila palë është OJQ e cila Qeveri? A nuk mund të ketë një interpelancë ku ministri i rendit, fjala bie, paralajmërohet për largim nga detyra nëse forcat e rendit nuk u përgjigjen rigorozisht cdo denoncimi dhune në familje? Ndoshta këtu ja fus pak kot – s'mund të pres kaq nga një qeveri që ka vetëm një femër në kabinet e vec 3 në parlament. Por ajo që dua të theksoj është se ka ardhur koha që qeveria të sillet si një operator serioz i propozimit e zbatimit të ligjeve – ndryshe do vazhdojë të reduktohet në një OJQ – e cila në pamundësi për të ndryshuar gjë, vetëm mund të sensibilizojë masat. Ndoshta kjo qeveri vazhdon dhe operon në mentalitet fushate, thjesht se s'ka kuptuar ende që nuk është më në opozitë, por aty ku duhen gjetur pergjigjet për gjithë këto shqetësime.
E pra, anëtarësimi në BE kërkon dicka më shumë se thjesht ambalazhim publicitar e sensiblizim elektoral. Pa qenë krushq që ndajmë të njëjtat vlera, dhe operojme me seriozitet, druaj se do na ftojnë në gostinë europiane tani afër.
Jemi në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, si e gjykoni procesin gjer në këtë fazë?
Besoj se kjo është tashmë një cështje e mbyllur. Puna do e donte që politika jonë të ishte më e zhdërvjellët në këtë proces – dhe zoti i bekoftë të gjithë këshilltarët e publicitetit pranë qeverisë që e quajnë cdo takim rutinë me të huajt 'lobim për kosovën'. Por fatmirësisht kemi qenë në anën e 'të mirëve' në këtë debat, e miq më të fuqishëm se ne, kanë kompesuar avokatinë tonë të munguar. Zgjedhjet e rregullta e politikat e matura në Prishtinë shuajnë cdo paranojë për dhunë, intolerancë apo ultra-nacionalizëm shqiptar. Bie dakord me ata që thonë se 'frika' më e madhe e serbve do qe dita kur dy komisionerë të ardhshëm europianë do flisnin Shqip në Bruksel. Koha sigurisht do të provojë se kjo është në të vërtetë zgjidhja më e qëndrueshme për këtë agoni administrative thuajse 10-vjecare në Kosovë.
Dhe në fund, cdo t'u uronit shqiptarëve këtë fundviti?
Fundi i vitit është një moment i mirë për të relflektuar se ku qëndrojmë si komb dhe si individë në vlerat dhe idealet tona. Pse jo, në këtë kohë krishtlindjesh ka adhur koha e predikimit të një ungjilli social në komunitet tona. Varfëria po shtohet e kriza sociale sa vjen e bëhet më e dukshe – sot më shumë se kurrë kemi nevojë për ata 'Samaritanë të mirë' të Shqipërisë. Ndonjëherë këta vijnë në formën e atij që ende jep borxh farë kosi, apo hap dyqanin për listat e më të vuajturve, apo për inkurajimin që u japin më të dobtëve. Këto janë forca shumë më të forta civile se cdo qeveri e paafte dhe e korruptuar.
Ndaj ju uroj të gjithëve, kurajo dhe angazhim.
Kurajo, sepse ic thosh dikur F.D.Roosevelt në ditën më të vështirë të Amerikanëve, s'duhet të frikësohemi nga asgjë përvec vetë frikës. Sot duhet të zgjedhim një anë, s'mund të rrimë indiferentë. Jo mes të majtës e të djathës, jo mes të varfërve e të pasurve, jo mes qytetarëve e fshatarëve. Absolutisht jo, zgjedhja është pak më e vështirë se kaq. Duhet të zgjedhim mes dinjitetit dhe poshtërimit, mes progresit dhe dështimit, mes përkushtimit publik dhe moskokëcarjes. Nje zgjedhje mes të mirës e së keqes në thelb.
Dhe angazhim për një tjetër ndryshim. Ndryshim në qeveri, ku Berisha dhe liliputët e tij zhyejnë 'duart e pastra'. Ndryshim në parlament të mykur nga moskokcarja. Ndryshim në atmosferën e kombit, i lodhur e i zhgenjyer. Por ndryshimi s'do vije kurrë nga lart. Ndryshimi do vijë vetëm nga mobilizimi i grupeve qytetare - nga studentë, fermerë, artistë, minatorë, akademikë, ushtarakë, peshkatarë, pensionistë! Në 18 muaj do e donte puna që përfaqësuesit më dinjitozë të këtyre grupeve do duhej të ishin në parlament. Gjer në 2009-ën, le të mos presim në apati, por të mbetemi qytetarë e fqinjë të mirë të një komuniteti që sot duhet të tregohet më dinjitoz se kurrë më parë. Gëzuar!
BOX
Kryeprokurorja? Së paku u vra alibia për keqqverisjen
Si e gjykoni zgjedhjen e kryeprokurores Ina Rama?
Këtu janë dy pyetje në një. Është si te thuash, a i cmon diamantët? Dhe, a i cmon diamantët e vjedhur? Po dhe Jo janë përgjigjet respektive. Kryprokurorja e re, për sa më intereson, mund të zotërojë gjithë talentin, pasionin e aftësinë e duhur për punën, por sigurisht nuk qe e cmuar mënyra me të cilën u krye ky transplatim. Për këtë është folur tashmë shumë, Shqipëria u damkos sërish në mediat ndërkombëtare si një vend me qeverisje despotike, dhe sondazhet e fundit po tregojnë që publiku shqiptar gjithashtu ja ka nxjerrë kallajin populizmit 'anti-korrupsion'. Të paktën një gjë e mirë ndodhi nga beteja për kryeprokurorinë – kjo qeveri tashmë vrau alibinë e mosfunksionimit të gjërave. Tashmë duhet t'i kthehet pyetjes klasike 'po tani që kontrollojmë gjithcka, kujt vallë do ja vëmë fajin'? Sot Shqipëria po 'ulëret' po aq sa dje, për drita, ujë, rend e dinjitet – e kjo qeveri duhet të kuptojë se ndoshta në mes të mandatit të vet duhet të fillojë të punojë për disa nevoja reale dhe ta ndërpresë këtë seri stuhish në gota. Ose, të vazhdojë të mbledhë cikërrima pushteti tip ekipi kombëtar e akademia e shkencave, për t'i humbur më pas të gjitha sic dëshmon dhe historia jo shumë e largët. Për të gjitha këto 2007a do hyjë në histori si një annus terribilis.
A nuk meriton të provohet në punë prokurorja e re?
Sigurisht që po. Unë e di mirë c'do të thotë të japësh prova konkrete me punë konkrete. Në katër vitet e mia tek MJAFT, protestuam dita-dites për dy vjet ndaj keq-qeversijes Nano dhe ekzaktesisht dy vjet ndaj keq-qeverisjes Berisha duke marrë përsipër dhe zemëratën e militantëve respektivë. Por, do isha shumë i gatshëm t'i ripërgjigjesha kësaj pyetje kur, fjala vjen, prokurorja të hetojë vrasjen e Shkallnuerit e zotin Nano, apo pasurinë me progres eksponencial të familjes së zotit Berisha në këto pak vite pushtet. Në këtë muaj të fundit të mbushur me festime kombëtare – ku simbolet shqiptare, sërish sic vetëm fëmijët do vepronin, u zëvendësuan me ato partiake të tribunave blu – një mik më kujtoi ditën e pavarësisë se si rilindasit tanë shkrinë pasurinë e tyre për Shqipërinë, kurse Berisha po shkrin Shqipërinë për pasurinë e tij. Ndaj, përtej tryezave skautiste ku të gjithë politikanët e 'të pavarurit' e caktuar prej tyre kapen prej dore e sillen të lumtur para kamerave, do duhet të ketë prova konkrete se janë seriozë në misionin e detyrës që kanë marrë përsipër.