E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Referendum në Burgas... Po në Vlorë?"

Gjatë mbledhjes së 20 dhjetorit, Këshilli Bashkiak i Burgasit vendosi që një referendum lokal do të mbahet në 17 shkurt 2008, lidhur me naftësjellësin Burgas-Aleksandropulos. Lajmi është bërë publik nga mediat e vendit. Pyetja së cilës do ti përgjigjen qytetarët e Burgasi në referendum është nëse janë dakord me ndërtimin e kësaj vepre industriale në territorin e bashkisë së tyre. Këshilltarët bashkiakë votuan edhe për një fond prej 60 mijë levash që do të përdoret për organizimin e referendumit, - njoftoi gazeta "Dnevnik". 10 mijë leva të tjera do të përdoren për një fushatë informuese 20-ditore. Një komision prej 7 personash do të organizojnë fushatën informuese. Që rezultatet të jenë të vlefshme sipas ligjeve lokale, në referendum duhet të marrin pjesë së paku 51 për qind e zgjedhësve. E solla këtë lajm në rubrikën tuaj, për të kuptuar se si i zgjidhin punët e tyre popujt e tjerë, se si janë marrëdhëniet mes qeveritarëve dhe qytetarëve në vende të tjera. Kurse Vlorës ia mohuan referendumin dhe madje ia kanë minuar edhe solidaritetin qytetar. Ky trajtim i qytetarëve të vet si njerëz të dorës së tretë, është i zakonshëm për standardet e qeverisësve shqiptarë, por është fyes për ata shqiptarë që kanë respekt për veten e tyre, për integritetin e tyre si njerëz të lirë; për ata shqiptarë që fëmijët e tyre do t'i rrisin këtu dhe duan një vend të pasur e të pastër dhe jo një vrimë haleje ku bëjnë miliarda një grusht ordinerësh, që pasi të lenë karriget do arratisen për të jetuar si sheikë, nëpër parajsat fiskale të planetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›