E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush e ka fajin...

Që po mësohemi me errësirën, sepse kur po mbathim këpucët në korridor ose po hyjmë e dalim në banjë a në ballkon po harrojmë të ndezim dritën? Që kur vjen korrenti, nga nxitimi i lumturimit, fusim keq prizat dhe djegim shtëpinë?
Për qindra-mijëra fukarenj anembanë Shqipërisë, të cilët, mbrëmjeve kur numërojnë qindarkat e së nesërmes, çekuilibrohen tek shohin e dëgjojnë politikanët që akuzojnë pareshtur njëri-tjetrin për qindra-miliona të vjedhura?
Për burra e gra, të cilët kanë vite që rropaten për të mbledhur para për një vizë, ndërkohë që dëgjojnë të flitet pafund për "lehtësim vizash", nga dëshpërimi, kush të mundet i pari, ai merr një thikë e ia ngul në gjoks asaj, ose ajo merr një sqepar e i bie në kokë atij? Për mijëra e mijëra shqiptarë, të cilët me paratë e djersës dhe gjakut kanë blerë më së fundi një apartament, ngaqë nuk e hipotekojnë dot pas rropatjesh shumëvjeçare, dhjetë herë në ditë i bëjnë vetes pyetjen absurde: A është i imi apartamenti im?
Për shqiptarët që vdesin përditë mbi autostrada, shqyer nga rrotat e makinave, pa pasur asnjë ide mbi mangësitë korruptive të ndërtimit të rrugëve? Për të shkolluarit jashtë që mbetën në mes; kur vijnë këtej menjëherë mendja u vete të kthehen andej, dhe sapo prekin tokën andej, në çast i zë malli për këndej? Për ministrat, të cilët ose heshtin si peshq ose kur e hapin gojën nuk flasin si njerëz normalë, por qeshin si karagjozë? Për statisticienët që po habiten, për spikerët që u meket zëri, gazetarët të cilëve po u dridhet dora kur shohin se si përditë po vret, burri gruan, vëllai vëllanë,vëllai motrën, nipi gjyshen etj., etj.? Për shqiptarët që po luten, po presin, po ulërasin, po qajnë për një Shtet për së mbari se e kanë kuptuar që mbarëvajtja e përpjekjeve individuale kërkon urgjentisht qeverisje kolektive. Me rregulla, me rend, me ligje! Por shtetin nuk po munden ta kenë sepse të zgjedhurit nuk po u shërbejnë zgjedhësve. Dhe jo vetëm nuk po u shërbejnë, por janë po ata, pakica e zgjedhur, që po pretendon të shërbehet prej shumicës së zgjedhësve! Kështu, ndërkohë që po kërkojnë të qeverisen nga një qeveri që të punojë në të mirë të tyre, qeveria punon për të punuar, madje ditë e natë, por vetëm për veten e vet, dhe vetëm për pushtet.
Që sa më tepër "sukses" po ka qeveria në luftën kundër korrupsionit, korrupsioni dhe nepotizmi, jo vetëm që nuk po pakësohen aspak, por po shtohen përbindshmërisht, ndërkohë që shqiptarëve po u kalojnë mornica nëpër trup dhe nëpër tru kur marrin vesh se Shqipërinë e bukur, ku mund të jetojnë në begati edhe dhjetë milionë banorë, ia kanë katandisur po aq të korruptuar sa edhe Kameruni i luftërave civile e pushtetit absolut?
Që ende pas 17 viteve, për shkak të po atyre përmasave të llahtarshme që ka marrë korrupsioni i administratës, fare të pakët janë ata që e kanë një ide pak a shumë të qartë mbi pronën sa e kanë e ku e kanë? Për pronarin e ligjshëm, që po detyrohet të blejë në rrugë korruptive pronën e vet? Për administratën që është mbushur plot e përplot me kushërinjtë injorantë të ministrave të paaftë? Për ministrin, i cili e shfrytëzon aq ligsht imunitetin saqë ka paturpësinë të mos i bindet thirrjes së prokurorit, por pretendon ai ta thërrasë prokurorin?
Që pas pak vitesh shqiptarët nëpër fshatra do firmosin me gisht sepse nuk do dinë as shkrim e këndim, për shkak të rritjes së frikshme të analfabetizmit? Për bulqizakët që vazhdon t'i vrasë miniera? Për gjyqet, që nuk janë gjyqe por pazare? Për pyjet që po sharrohen? Për shumicën e fushave që mbetën të pambjella? Për fshatrat që po zbrazen? Për gjithato përurime dhe aq pak përfundime? Për muzikën e keqe, për festivalet e këngës që janë shndërruar në festivale të sherrit politik konspirativ? Për dy mallrat e vetme më problematikë, energjinë dhe ujin, për prodhimin dhe shpërndarjen e të cilëve kujdeset shteti? Për të gjitha pushtetet që i ka pushtuar pushteti?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›