E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në pritje të nismës ligjore

Në shumicën e rasteve, diskutimet në fushën e drejtësisë nuk kanë aspak të bëjnë me politikën aktuale, por në të kundërt mundohet të mbahen sa më larg saj. Zhvillimet e 15 viteve të fundit në vendin tonë kanë treguar se, juristët shqiptarë janë munduar (ndoshta me të drejtë) të mbijetojnë ekonomikisht dhe kjo e ka shkëputur këtë klasë (shtresë) të shoqërisë nga frymëzimi dhe rrjedhimisht krijimi i ligjeve të reja, ligje, të cilat përveç faktit që është i pashmangshëm, se duhet t'i përshtaten zhvillimeve në çdo fushë të jetës, por së pari duhet të jenë të pranueshme nga vetë klasa që i përçon ato në popull (juristët në rastin konkret). Ashtu siç sallat e operacioneve nuk janë për njerëzit e thjeshtë, por për mjekët, ndërtimi i digave dhe autostradave nuk mund të bëhen nga "ustallarët", por nga inxhinierët, ashtu dhe ligjet nuk janë bërë për njerëzit e thjeshtë, por për juristët. Pikërisht për ata të vërtetit, të cilët s'pushojnë së lexuari, s'ndalojnë së kërkuari për ndryshim dhe jo atyre që zyrën e kanë nëpër kafenera ose që në vend të nevojës për ndryshim argumentojnë se sa të plotësuar dhe pa nevojë për ndryshim janë ligjet e Rusisë së Kuqe, një pjesë të të cilave janë ende pjesë e Kodeve tona.
Ka ardhur koha e një ndryshimi radikal në konceptet e të krijuarit jurist, e të qenit jurist, në të mirat dhe përgjegjësitë që ky profesion mbart. Duhet të mbarojë shpresa se një diplomë juridiku është ajo që hap dyert e jetës në drejtim të parasë apo pushtetit.
Tek ne nuk ka akoma një arenë juristësh ku ata të shkëmbejnë idetë dhe mendimet në mënyrë profesionale, dhe kjo duhet të marrë fund. Nuk mund të pranohet më një gjendje e tillë, ku asnjë jurist nuk e sheh veten të detyruar të diskutojë mbi ligje apo vendime gjykate, por vetëm shikon ku fillon apo mbaron puna e një rroge fikse, pa marrë parasysh rastet absurde të pazareve të rëndomta. Është detyrim i yni (juristëve) të shohim legjitimitetin e çdo ligji të ri dhe jo të bëhemi të vëmendshëm pas debateve politike. Janë juristët që i paraprijnë partive dhe jo këto të fundit, që duhet të na bëjnë të vëmendshëm për konfliktet konstitucionale. Po humbasim dinjitetin profesional me ata politikanë, të cilët ligjin e shohin si qenin, që ha çdokënd, veç jo të zotin dhe nga ana tjetër juristët që bëjnë sehir dhe presin copën e tortës nga abuzimi me ligjin.
Pas ndryshimeve radikale, si normat që luftojnë informalitetin, atyre që caktojnë çmimin dysheme për rrogat e të tjera nisma te qeverisë së re, ka ardhur koha të shohim nevojën e krijimit të reformës në drejtësi dhe asnjë jurist nuk merr përsipër të japë vlerësimet e veta në fusha të ndryshme të drejtësisë, në ndryshimin e ligjeve apo neneve të caktuara. Një ide e gabuar të marrësh guximin ta shprehësh, s'mund të jetë kurrë gabim më i madh sesa të jesh pasiv, kur sheh që diçka mund të bëhet më mirë.
Diskutimet mbi reformën në drejtësi janë shumë të kontrollueshme sepse bëhen vetëm brenda kornizës në të cilën drejtësia gjen vetveten. Përveç tre fushave të së Drejtës (Publike, Civile dhe Penale), rëndësi e veçantë duhet të bjerë mbi ato të procedurave respektive. Largimi i menjëhershëm nga mendësia komuniste, ku procedura ishte thjesht sa për garniturë, do ta afronte vendin tonë në atë kategori vendesh ku ne shpresojmë të aderojmë së shpejti. Mentaliteti, ku nuk ka rëndësi qëllimi, por rruga si të shkojmë drejt tij, do ndërronte një mendësi të shoqëruar plot gabime ligjore tashmë të ngulitur në mendjet e shqiptarëve dhe do na bënte të ishim më europianë në mendime dhe veprime juridike.
Nëse do fillohej diskutimi në aspektin e Kodit Penal dhe nevojës për ndryshime, do ishte jetësor diskutimi mbi veprat penale që tashmë janë inkoherente me sistemin demokratik. Kemi elementë penalë, të cilat përjashtojnë dogmatikisht njëra-tjetrën, si vjedhja dhe vjedhja me anë të mashtrimit; kemi vrasje dhe armëmbajtje pa leje dhe ndërkohë s'kemi zjarrvënien për arsye mashtrimi të siguracioneve (një krim mjaft modern); trajtojmë dashjen si element të fajit; krimin kompjuterik e kemi shumë të varfër, po aq në mos më keq atë në trafikun rrugor. S'mund të trajtohet më krimi automobilistik si kundërvajtje administrative, kur ka njerëz që në makinë nuk hipin pa pirë alkool (shembujt kemi dhe nga ish-kryeministra).
Po kaq imediate është ndërhyrja në Kodin Administrativ dhe atë të Procedurës Administrative, ku gjithë Jurisprudenca perëndimore vë një theks të veçantë, kurse në universitetet tona në shume raste s'e kemi as lëndë me zgjedhje. Të drejtat themelore të paktën të shkruara i kemi, ndërsa zbatimi dhe sanksionet për moszbatimet lënë për të dëshiruar.
Përsa i përket së Drejtës Civile, si fusha më e gjerë dhe më e prekshme nga populli, duhet të shohim veten si shkaktarët kryesorë të kësaj katrahure pronash dhe konfliktesh, pasi nuk është politika më tepër fajtore se klasa juridike. Vullneti politik për shtrirjen e shinave të drejtësisë është njëra anë, por nevoja, përgatitja jonë dhe presioni për një fushë ligjore më të mirë ushqehet nga profesionistët e mirëfilltë juristë. Mendoj se kapituj të tillë, si Qiraja, Sipërmarrja, Përgjegjësia (jashtë) kontraktore, e drejta e Punës, e Drejta Hipotekore etj., nuk janë aspak të plotësuara me huazimin në mënyrë parciale dhe aspak logjike që kemi bërë nga sisteme të ndryshme europiane, duke mos vlerësuar faktin se në këto shtete zbatohen sisteme të ndryshme të së drejtës private.
Është për të ardhur keq, që tek ne as Dhoma e Avokatëve e as ajo e Noterëve nuk ka bërë atë për të cilën ato janë krijuar, por janë parë më shumë si poste sesa si detyrime. Një zhvillim i ri profesional ka kohë që pret t'i hapet dera, por me kokëfortësi nuk po lejohet të ndodhë. Janë këto ndryshime që vendit i duhen, të cilat shtresa intelektuale në diasporë pret të ndërmerren. Një shtresë në Shqipëri ka frikë për pozicionin e vet dhe gjithashtu ka frikë nga konkurrenca, prandaj i vonojnë, por kjo s'mund të zgjasë përjetësisht.
Ai jurist që sytë për këto ndryshime i kthen nga politika, fatkeqësisht nuk ka kuptuar akoma profesionin e tij. Është detyrë e jona të propozojmë ndryshime cilësore dhe të studiuara dhe ta fillojmë atë menjëherë. E duam vendin si më të mirin në botë dhe kjo duhet të na shoqërojë në çdo fazë të jetës sonë. Koha e atyre që e shohin Shqipërinë si një koshere bletësh nga ku vetëm mjalti mund të mblidhet, duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Ta fillojmë ndryshimin (dhe pa vonesë) me një revolucion ligjor.
*Autori është diplomuar në Drejtësi në Universitetin e Bremenit, Gjermani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›