E Diel, 1 Nëntor 2026

Atdheu është borxhi që u kemi fëmijëve tanë

Çdonjëri ka të drejtën e një standardi jetese, që garanton shëndetin dhe mirëqenien e tij e të familjes së tij, duke përfshirë ushqimin, veshjet, strehimin dhe kujdesin shëndetësor, së bashku me shërbimet sociale e me të drejtën e sigurimit në rast papunësie, sëmundjeje, aftësie të kufizuar, moshe të shkuar apo çfarëdo pamundësie tjetër për të jetuar normalisht. Kështu thotë neni 25 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, e cila është aprovuar në unanimitet nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në dhjetor të vitit 1948.
Shqipëria që kemi 17 vjet pas rënies së diktaturës komuniste, nuk është Shqipëria e të drejtave dhe lirive të garantuara për çdo shqiptar po Shqipëria e diktaturës së korrupsionit, që shtyp përditë të drejta e liri shqiptaresh e shqiptarësh pa pushtet; kjo që kemi pas 17 vjet lirie nuk është Shqipëria e ëndrrës europiane të miliona shqiptareve e shqiptarëve, po është vendi i tretë në botë për nivelin e korrupsionit, ku një pakicë gjithnjë e më e vogël pasurohet në mënyrë të papranueshme dhe një shumice gjithnjë e më e madhe varfërohet në mënyrë të patolerueshme; kjo që kemi pas 17 vjet votimesh nuk është Shqipëria që kemi amanet nga të parët tanë, idealistë që në kohë të ndryshme e në barrikada të ndryshme u vranë, u helmuan, u pushkatuan, u burgosën, u torturuan, u internuan e u varrosën dhe zhvarrosën nga toka e nga librat për një atdhe të lirë e të drejtë, po është atdheu i marrë peng nga një politikë e vjetër pa atdhedashuri, nga një klasë politike pa skrupuj, nga një qeveri pa asnjë fre moral që zhytet në zullume përditë e më të mëdha dhe nga një Kryeministër tërësisht i paaftë, që çdo ditë hap një vrimë në xhepat e shqiptarëve.
Ku është Shqipëria e dritave dhe ujit 24 orë që na premtoi zoti Kryeministër? Në vend të saj, kemi një Shqipëri të zhytur në errësirë e në prapambetje në mes të Europës së dritës e të zhvillimit, një Shqipëri që nuk shuan dot etjen e njerëzve e të tokës së bukës për ujë edhe pse Perëndia i ka falur një pasuri ujore që pakkush e ka në Europë.
Ku janë rrogat dhe pensionet e dyfishuara që na premtoi zoti Kryeministër? Në vend të tyre janë shumëfishuar çmimet e ushqimeve që vijnë edhe nga fundi i botës, ndërkohë që fshati shqiptar lëngon në një izolim mesjetar dhe bujqve e fermerëve tanë u kalben prodhimet e tyre në dorë nga mungesa e kushteve për të dalë në treg.
Ku janë politikat nxitëse për sipërmarrjen që na premtoi zoti Kryeministër? Në vend të tyre, sipërmarrja përjeton trysninë e një shteti primitiv dhe një pushteti arbitrar që nuk inkurajojnë punësimin po thellojnë papunësinë, varfërinë, depresionin social.Ku janë shkollat dhe universitetet europiane që na premtoi zoti Kryeministër? Në vend të tyre kemi afro 50% të fëmijëve të këtij vendi që nuk kryejnë arsimin e detyruar dhe mijëra e mijëra të reja e të rinj që hyjnë në dyert e universiteteve pa gjetur vend për t'u ulur, pa pasur dritë për të ndjekur leksionet, pa marrë thuajse asgjë prej dijeve të nevojshme për të përballuar të nesërmen dhe që dalin nga dyert e universiteteve më së shumti për të shtuar radhët kilometrike të të papunëve.
Ku janë ambulancat dhe spitalet në shërbim të çdo shqiptareje e shqiptari në nevojë, siç na premtoi me lot në sy zoti Kryeministër? Në vend të tyre kemi Shëndetësinë e damkosur me rekordin e korrupsionit dhe një infrastrukturë shëndetësore të lënë në mëshirën e fatit, së bashku me mjekët e infermierët që kanë mbetur në mëshirën e pazarit të Kryeministrit, me një parti të krijuar në sallën e Parlamentit.
Kjo është Shqipëria e Politikës së Vjetër, Shqipëria e Sali Berishës dhe e Fatos Nanos, Shqipëria e Presidentit të dalë nga shitblerja e mandateve të popullit, Shqipëria e Parlamentit të dalë nga shitblerja e votave të popullit, Shqipëria e Qeverisë së dalë nga shitblerja e deputetëve të popullit, Shqipëria e Kushtetutës së shkelur dhe e drejtësisë së munguar, Shqipëria e shtypit të kërcënuar dhe e sipërmarrjes së përdhunuar, Shqipëria e shqiptarëve të ndarë në të majtë e të djathtë, njësoj të gënjyer e zhgënjyer 17 vjet rresht nga parti politike, të shkëputura tërësisht nga populli e nga hallet e tij dhe nga politikanë telenovelash, që dalin nga kutia e televizorit vetëm kur ka fushata elektorale.
Sot shqiptaret e shqiptarët e thjeshtë e të ndershëm, të majtë a të djathtë qofshin, e vuajnë po njësoj errësirën, papunësinë, varfërinë, injorancën dhe dhunën e Diktaturës së Korrupsionit.
Unë bëj thirrje për një Bashkim të Ri. Për Shqipërinë dhe fatin tonë të përbashkët, që është përtej të majtës e së djathtës. Për dinjitetin dhe lirinë e çdo shqiptareje e shqiptari, që janë vlera përtej të majtës e së djathtës. Për shtetin e ri modern të shqiptarëve, që s'duhet të jetë as i majtë e as i djathtë po i paanshëm. Unë ftoj të gjithë njerëzit e thjeshtë e të ndershëm të këtij vendi që ta refuzojmë përmes një Bashkimi të Ri Politikën e Vjetër, e cila në të vërtetë s'është as e majtë e as e djathtë, po e pashpirt, e paditur dhe e korruptuar.
Unë bëj thirrje të bashkohemi përtej kufijve të vjetër partiakë dhe t'i japim jetë një Politike të Re me zemër për të ndjerë hallet e çdo shqiptareje e shqiptari të ndershëm, me veshë për të dëgjuar çdo shqiptare e shqiptar që ka diçka për të thënë, me sy për të parë tek Shqipëria atdheun tonë të bukur që e kemi amanet nga Gjergj Kastrioti, nga Rilindësit tanë të mëdhenj, nga Ismail Qemali, nga dëshmorët e lavdishëm të Luftës Antifashiste, nga At Zef Pllumi e nga martirët e diktaturës komuniste, nga të gjithë ata që luftuan e punuan pa u kursyer për një Shqipëri më të mirë.
Atdheu është borxhi që u kemi fëmijëve tanë. Për atdheun sot duhet një idealizëm i ri, një fuqi e re zemrash e mendjesh të bashkuara në emër të një kauze që është më e madhe sesa partitë tona, një Bashkim i Ri, për një Shpresë të Re. Një shpresë e re për Shqipërinë dhe çdo familje shqiptare që meriton të ketë një shtet të denjë në shërbim të saj, në qytet a në fshat, në qendër e në skaj të vendit. Një shpresë e re për arsimim, punësim, prodhim e mirëqenie. Një shpresë e re, për Atdheun e fëmijëve tanë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›