E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veliaj: Referendum popullor për hapjen e kutive

Kreu i G99, Erjon Veliaj, jep një mundësi zgjidhjeje lidhur me situatën politike në vend. Gjatë një prononcimi për televizionin ALSAT, Veliaj u shpreh: “Ne e sfidojmë qeverinë që ashtu siç shpreh interes dhe vendosmëri të realizojë referendum popullor për Ligjin e Dosjeve, duke mos respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, atëherë le të realizojë një referendum popullor edhe për hapjen e kutive”. Sipas kreut të G99, kjo kërkesë është më se normale, pasi “nuk mund të përdoren dy standarde për respektimin e vendimit të gjykatave”, e në këtë klimë “populli opozitar ndihet i dhunuar, sepse percepton një garë aspak të drejtë e transparente”. Veliaj vuri në dukje se opozita ka kërkuar transparencë në të gjitha mënyrat, që nga hetimi i zgjedhjeve e deri te leximi i fletëve të votimit në bazë të ligjit mbi informacionin. “Tani, shtoi Veliaj, jemi të gatshëm për referendum popullor mbi këtë kauzë”. Në rast të kundërt, pra në rast se mazhoranca nuk pranon asnjë nga këto alternativa për zgjidhjen e krizës, atëherë sipas G99, opozita do të jetë në rrugë me popullin duke protestuar. I pyetur nëse opozita do të pranonte negociata pa u pranuar kërkesa për hapjen e kutive, Veliaj vuri në dukje se “kutitë janë thelbi” e sipas tij “hetimi i zgjedhjeve pa kuti do të ishte si të hetohej Gërdeci pa marrë parasysh shpërthimin, si të shikohej rruga Durrës-Kukës duke injoruar shembjen e tunelit”.  “Asnjë nga ne nuk dëshiron një ndarje në tavolinë të rezultatit zgjedhor. Ishte kjo kërkesë për rinumërim që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Megjithëse të dëmtuar e të indinjuar nga ky akt, ne nuk po zgjedhim ta vëmë atë në diskutim. Ajo që duam të bëjmë me hetimin mbi zgjedhjet është të bëjmë autopsinë e zgjedhjeve, për të kuptuar shkaqet e masakrimit të tyre”, tha Veliaj.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›