E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aldo Bare u martua gjatë arratisë

Procesi
Njeriu më i kërkuar për tetë vite në Shqipëri lidhi kurorë me studenten Denada Kodra

Aldo Bare, njeriu më i kërkuar gjatë dekadës së fundit në Shqipëri, ka lidhur kurorë me studenten shqiptare në Rumani, Denada Kodra. Gjatë procesit të djeshëm gjyqësor ndaj të pandehurve të Bandës së Lushnjës, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka provuar se Bare, me emër të ndryshuar Mikel Kodra, ka lidhur martesë ligjore me shtetasen Denada Kodra. Prokuroria vërtetoi se Denada Kodra, e cila ka studiuar për Mjekësi në Rumani, ishte pikërisht personi përmes së cilës kalonin paratë nga anëtarët e bandës tek Aldo Bare. Dje, në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka dëshmua shtetasi Artan Bendo, pronar i një agjencie këmbimi valutor. Ai konfirmoi se Vjollca çela ka bërë disa dërgesa me para drejt Rumanisë, ku pritëse ishte e bija Denada, në atë kohë studente. Fakti që Denada Kodra ka lidhur martesë me të akuzuarin, sipas prokurorisë, ka përcaktuar se paratë shkonin në duart e tij. Ndërkohë, dëshmitari i dytë i thirrur në procesin gjyqësor ndaj Bandës së Lushnjës ka qenë Fatmir Taullai. Ai është pyetur nga prokurorët Gentian Trenova dhe Besnik Muçi për vrasjen e vëllait të tij, Baki Taullai. Sipas dëshmitarit, banda e Aldo Bares e torturonte familjen e tij për tetë vjet me radhë. Gjatë këtyre viteve u vinte gjoba të njëpasnjëshme, si formë kërcënimi. Pas kërcënimeve ka ndodhur edhe ekzekutimi i Baki Taullajt, i cili është hedhur në erë. Fatmiri ka treguar dje se ka mësuar nga i vëllai se kërcënohej nga Enver Dondollaku e Ilir Stergu, të cilët i kishin vënë gjoba prej 10 milionë lekësh e 6 mijë USD. “Një ditë, tregoi dëshmitari, banda mori peng vëllain tim, Jetmir Taullai, të cilin e dërguan te varrezat e dëshmorëve. Atje e keqtrajtuan dhe i bën presion se, nëse nuk paguante ‘taksat’ ndaj bandës, do t’i shuhej e gjithë familja”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›